Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në vendin e quajtur “ Kthesa  e Çakranit” , ku një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) është përplasur nga një automjet tip “Benz” dhe më pas ka përfunduar në kanal.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 3 efektivë policie, të cilët janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, si dhe shoferi 20-vjeçat i makinës, Ardonelo Yzeiraj. Ky i fundit dyshohet të ketë qenë shkaktar i aksidentit pasi ka bërë manovër të gabuar gjatë qarkullimit dhe ka goditur nga pas furgonin e FNSH-së.

Siç shihet në videot e siguara nga Report Tv nga vendi i ngjarjes, blutë e Rrugores i kanë bërë testin e alkoolit punonjësit të policisë që drejtonte furgonin.

"Rreth orës 11:00, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Cakranit", automjeti me drejtues shtetasin A. Y., ka goditur automjetin e FNSH Fier, me drejtues punonjësin e policisë K. H. Për pasojë është dëmtuar shtetasi A. Y. dhe tre punonjës të policisë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit",- njofton policia.

Në vendngjarje kanë mbërritur tre autoambulanca, ndërsa policia po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.