Furnizimi me ujë, Veliaj: Nisim fazën e parë të investimeve me BERZH-in, dyfishojmë kapacitetin e Bovillës

Pas financimit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të projektit për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, si dhe ndërtimin e një linje të re për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së Unazës së Re, Tirana është gati për paketën e dytë të investimeve: zgjerimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve në zona të cilat, vitet e fundit, kanë njohur zhvillim të madh.

Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas vizitës një ditore në Stokholm të Suedisë, ku mori pjesë në konferencën e organizuar nga BERZH-i me investitorë të ndryshëm, për të diskutuar financimin e një sërë projektesh të rëndësishme për kryeqytetin. Në konferencë, Bashkia e Tiranës paraqiti propozime konkrete për garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë në ditë të qytetit.

Kemi nisur fazën e parë të investimeve me BERZH-in, që përkthehet në dyfishim të kapacitetit të Bovillës, si edhe vendosjen e linjave të transmetimit nga Bovilla drejt Astirit, Unazës së Re, që kanë qenë zonat më problematike të Tiranës, kryesisht të furnizuara me ujë pusi, por që tani janë rritur tej mase në popullsi. Jemi gati të propozojmë një paketë të dytë për UKT-në. Ambicia jonë është që brenda 5 viteve, nga fillimi i këtyre investimeve, të kemi ujë 24 orë në Tiranë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Një propozim i paraqitur nga kryebashkiaku Veliaj në konferencën e BERZH-it ishte ai për shfrytëzimin e burimeve ujore nga burimi i Gurit të Bardhë, me qëllim furnizimin me ujë të pijshëm me cilësi të qytetit të Tiranës, për të plotësuar të gjitha nevojat.

Propozimi tjetër ka të bëjë jo vetëm me rrjetin në zonën e Yzberishtit, por edhe me burimin e ri të Gurit të Bardhë, i cili do të sjellë në Tiranë një sasi të konsiderueshme uji, sidomos për Njësitë 1 dhe 2, të cilat aktualisht furnizohen vetëm nga Selita dhe burimet e Dajtit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Veliaj shprehu bindjen se nëse vijohet me këtë ritëm për transformimin e qytetit, nuk do të mungojnë financimet nga institucione të rëndësishme financiare, të cilët shohin te Bashkia e Tiranës një partner të besueshëm. Kreu i bashkisë deklaroi se ndonëse nuk janë rritur taksat për familjarët, falë rritjes së performancës financiare, si pasojë e mirëmenaxhimit të të ardhurave, Bashkia e Tiranës është sot një nga subjektet ideale për t’u financuar nga BERZH-i dhe shumë prej institucioneve që financojnë projekte të tilla.

Nëse vazhdojmë me këtë ritëm për ndryshim, nuk do të vonojnë as financimet. Aktualisht kemi kaluar fazat dhe filtrat e donatorëve, si një nga bashkitë me performancën më të lartë financiare. E kemi bërë këtë pa rritur taksat për familjarët, por sigurisht duke bërë që të pasurit, ata që ndërtojnë, të kontribuojnë më shumë, dhe besoj se ky harmonizim, pra me taksa të ulëta për familjarët dhe me kontribut pak më të lartë nga ata që edhe fitojnë më shumë, sjell një shëndoshje të financave të bashkisë, çka na bën sot një nga subjektet ideale për t’u financuar nga BERZH-i dhe shumë prej organizatave që financojnë projekte zhvillimore.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Tirana është autoriteti i parë lokal që është përzgjedhur nga BERZH-i, duke nënshkruar një marrëdhënie direkte bashkëpunimi, për realizimin e një sërë investimesh të rëndësishme me synim zgjidhjen e problemit 27-vjeçar të furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm të qytetit.

Por, ndërkaq, projekti për krijimin e Pyllit Orbital, ndërtimin e korsive të biçikletave, dhe transformimin e sistemit të transportit publik, e rendisin Tiranën si shembull suksesi në Europë sa i takon politikave mjedisore. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me BERZH-in, kanë nisur planin e veprimit për ta shndërruar kryeqytetin shqiptar në një qytet të gjelbër.

Kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë konferencës së organizuar nga BERZH-i në Stokholm të Suedisë )

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë