VLORË- Prej 10 ditësh vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve urbane, 5 kilometra nga qyteti i Vlorës. Flakët nuk janë më në sipërfaqe, pasi plehrat digjen në thellësi, duke krijuar ndotje masive të ajrit. Prej erës së rëndë dhe tymit toksik po vuajnë më së shumti banorët e lagjes “24 Maji” dhe ata të Nartës që kanë shtëpitë afër fushës ku grumbullohen mbetjeve urbane të gjithë Vlorës.

“Gjithë vendi në tym, këtu kam 22 vjet. Ndiqet vete, ka goma aty brenda.

Këtu jetoj në Vlorë. Ka një muaj që nuk gjen qetësi. I vënë zjarrin fshehurazi. Tymin e shpërndan era dhe ka mbuluar vendin. Këtu jetoj unë prej 30 vitesh, në kohën e demokracisë kam ardhur. Ca të bëjmë, kujt i themi, ku të ankohemi, kush na e qan hallin”, thonë banorët. 

Kur ndryshon moti e fryn erë, tymi toksik mbulon gjithë qytetin e Vlorës.

Këto janë pamjet e xhiruara nga Report Tv paraditen e sotme në “Transballkanike”.

Menaxhimi i plehrave është një problem i vjetër për qytetin bregdetar, që nuk po gjen zgjidhje. Disa herë i është vënë flaka vendgrumbullimit, sidomos gjatë sezonit turistik, por nuk është identifikuar asnjë përgjegjës nga policia dhe as nuk kryhen hetime nga Prokuroria. Zyrtarë të Bashkisë Vlorë do të deklaronin javën e shkuar se ky vendgrumbullim do të mbyllet shumë shpejt dhe mbetjet urbane do të depozitohen në landfillin e ri të Sherishtës, por kjo ende nuk ka ndodhur!