Kjo ka qënë më e dukshme sidomos në dy takimet e fundit dhe përkatësisht në qarkun e Elbasanit dhe atë të Korçës. Vetëm një ditë pasi lideri i opozitës ka prezantuar kandidatët në këto dy qytete, kreu i mazhorancës ka bërë të njejtën gjë, duke mos i lënë për asnjë moment banorët e këtyre qyteteve të marrin frymë. Të njejtën gjë Berisha ka bërë dhe në qarkun e Durrësit e atë të Shkodrës, ku ka zhvilluar mitingje menjëherë pasi kreu i PS Edi Rama ka prezantuar kandidatët për deputetë. Një “mbulim” një për një nga ana e Berishës për kreun e PS, dhe duke lajmëruar se një gjë e tillë duket do të jetë prezente dhe ditët në vijim.
TAKIMET
Ndërkohë kreu i PS Rama dje prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut të Fierit, duke deklaruar se Berisha ka sjellë në shesh njerëz me detyrim. “Saliu e mbushi sheshin me robër, ne erdhëm këtu dhe sheshi është mbushur me qytetarë, me të cilët më 23 qershor do të çlirojmë dhe robërit e qeverisë. Që të mos ketë më, mësues, mjekë, nëpunës shteti që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Mos ketë rrogëtarë që tremben nga ky pushtet”, tha Rama. Ai premtoi se qeveria e ardhshme e majtë do bëjë aq sa nuk është bërë për 20 vite radhazi. Rama nënvizoi se pas 23 qershorit do ndëshkohen drejtorat e PD qe nxjerrin me dhunë punonjësit në mitingje. Kreu i PS premtoi se do çlirojë qytetarët, biznesin, fermerët nga taksat e rënda, e do ndryshohet përfundimisht arsimi e shëndetësia. Ndërsa numri dy i PS dhe kreu i listës së kandidatëve për deputetë të qarkut të Fierit, Gramoz Ruçi ka prezantuar të gjithë kolegët e tij. Erjon Braçe, kandidati për deputet bëri thirrje që populli të votojë PS, me qëllim që të pengojë Berishën të vjedhë pasuritë e këtij qarku.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha deklaroi nga qyteti i Korçës, në hapjen e fushatës për këtë qark, se demokratët kanë vokacion perëndimor, kurse socialistët nuk e kanë një vokacion të tillë. Ai akuzoi Ramën se ka bllokuar integrimin, në një kohë që thotë se Korça është si Parisi ynë. Duke kërkuar një mandat të ri, ai premtoi se në 4 vitet që vijnë do ecet 4 herë më shpejt. Berisha i është përgjigjur dhe deklaratës së Ramës, bërë nga Korça, se në këtë qark ka kandiduar oficerin e Gërdecit e kryehetuesin e veshit. “Që të njihni kandidatët e Ramës në Korçë lexoni memoriet e katarsisit të Fatos Nanos, sepse ata i solli Fatos Nano. Pyesni Lushnjën, Gjirokastrën që t’ju thonë se s’i pranuan” tha Berisha.
Shkrimi u publikua ne Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)