Fushata 'derë më derë' e Ilir Metës në SHBA

Fushata 'derë më derë' e Ilir Metës në SHBA

Dikush duhet ta këshillojë Presidentin Ilir Meta, të mos publikojë fotot që bën në SHBA. Jo se del keq në foto. Nuk duket keq me shëndet, në qoftë se nuk flet dhe nuk i shoqëron me diçitura fotot.

Por dikush duhet ta këshillonte, që të krijonte një lloj mistike, meqë shkoi deri në Uashington në një vizitë të lobuar.

Mund të mjaftohej me foton tek “Mëngjesi i Lutjeve”, tek pjata e dytë me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo dhe pastaj ta linte pa njoftime.

Dikush në Tiranë nga mbështetësit e tij, së paku do t’i jepej mundësia të fantazonte se Presidenti i ka ca miq matanë oqeanit dhe po bën ndonjë punë, për të shpëtuar nga shkarkimi, apo për të rregulluar raportet e prishura me SHBA, me të cilën u konfrontua publikisht për Reformën në Drejtësi dhe zyrtarisht para 30 Qershorit, kur tentoi të fusë vendin në luftë civile.

Publikimi i fotove dhe akoma më keq diçiturat e tyre, ja zbehin vlerën jo vetëm udhëtimit, por dhe çmimit me të cilin është siguruar.

Për shembull çfarë mendon një anëtar i thjeshtë i LSI apo qoftë dhe i PD, kur dëgjon se Presidenti ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit dhe kanë diskutuar për mirërritjen e fëmijve.

Presidenti ynë nuk ka qenë ndonjë herë drejtor i AKU dhe as që është marrë me tema të sigurisë ushqimore. I vetmi arsyetim është që mund të kenë folur se si ka ndryshuar shëndetin pas dietës dhe si ka humbur kile.

Nuk di po ashtu çfarë rëndësie ka për një mbështetës të Ilir Metës në Shqipëri, fakti që ai ka takuar  për herë të dytë brenda dy ditëve një kongresmen republikan në koridoret e Kongresit.

Duket sikur i ke zënë pritë aty kujtdo që kalon dhe ky meqë i paska dhënë dorën një herë, i duket fytyrë e njohur, i flet prapë, buzëqesh dhe del prap në foto.

Lere pastaj fotot e përzemërta me stafin e VOA dhe Këshillin e Ambasadorëve. Të gjitha këto detaje frustruese të një vizite ku nuk e ka ftuar askush, dhe që i ngjan një fushate “derë më derë” si ajo e Lulzim Bashës, do të ishte e denjë të maskoheshin nga stafi, duke mos i publikuar fotot. Le të krijohej ideja që ka shkuar për një punë të rëndësishme në SHBA, që së paku të nënkuptohej se po përpiqet të pajtohet me Uashingtonin dhe t’i kërkojë falje zotit Palmer, që e ka sulmuar publikisht dhe familjarisht, ndërsa SHBA bëri thirrje të respektohej 30 Qershori dhe jo çmenduria e tij e 13 Tetorit.

Duke mos publikuar asgjë, mund të funksiononte më mirë. Madje mund ta shtynte disa ditë qëndrimin, siç e bënte Bujar Nishani, që e niste me dreka në New York dhe shkonte në çdo restorant shqiptar me qofte e mish, anembanë SHBA dhe kthehej pas dy javësh. Kështu do të dukej dhe më konspirative vizita e tij.

Por publikimi i fotove me shpjegimet përkatëse, tregojnë gjithë arsyet përse nuk është serioze, që  Presidenti të shkojë në SHBA për të trokitur derë më derë.

Dhe si për ta djallosur deri në fund, ende pa u kthyer, nxjerr Tit Vasilin t’i kërkojë llogari SHBA pse nuk ndryshon rrugë ndaj qeverisë “Rama”. Kërkon deomos të na mbushë mendjen, që nuk ia ka mbushur dot mendjen askujt në SHBA.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Arne Slot e konfirmon: Dua të jem trajner i Liverpoolit, klubet po negociojnë

Arne Slot e konfirmon: Dua të jem trajner i Liverpoolit, klubet po negociojnë