PRISHTINË - Qeveria e Kosovës ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes që do bëhej me qeverinë e Shqipërisë. Në një njoftim të bërë publik nga vetë kryeministria e Kosovës, është deklaruar se, duke qenë se, nëse mbledhja do të mbahet në ditën e përcaktuar më parë, do të shkaktonte reagime është kërkuar shtyrja e saj.

“Sot kërkuam mirëkuptimin e Qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë tashmë janë dakorduar që të organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive. Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar në mes dy shteteve tona.

Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo assesi nuk do të duhej të bëhej cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që kalendari i mbledhjes së përbashkët ishte dakorduar para caktimit të datës së zgjedhjeve.

Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e Qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor. Falënderojmë Qeverinë e Shqipërisë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për median nga qeveria e Kosovës.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)