Fushata për Dibrën, Basha 
shmang ish-ministrat e Berishës

Fushata për Dibrën, Basha <br />shmang ish-ministrat e Berishës
Politika e Tiranë është zhvendosur në Dibër për sfidën e 11 Shtatorit. Kryefjala e premtimeve të të dy kampeve është Rruga e Arbrit. Kryeministri Edi Rama është përbetuar se nuk do dalë nga zyra pas bërë Rrugën e Arbit. Nga ana tjetër, Partia Demokratike, pasi e premtoi gjatë 8 viteve të pushtetit, thotë se Rrugën e Arbrit do ta bëjë Lulzim Basha kur të bëhet kryeministër. Sa i takon rezultatit, shumica në pushtet po tregohet e përmbajtur në deklarata, madje kryetari i LSI e ka konsideruar garën një çështje lokale. Ndërkaq, opozita shprehet se sigurt për fitoren, por në të njëjtën kohë po përgatit terrenin për justifikimin e një humbje të mundshme. Ankesat nisin që nga prezenca e Arben Ndokës në Dibër e deri tek presioni ndaj mësuesve, duke demostruar pasiguri dhe nervozizëm para votimit. Po ashtu, të dy palët kanë angazhuar funksionarët më të lartë në fushatën për Dibrën, që nga kryetarët e partive, deputetët dhe ministrat. Madje, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, prej dy ditësh ka zbarkuar në Dibër, duke marrë pjesë në çdo aktivitet të Sherefedin Shehut. Në fushatën e demokratëve, bie në sy edhe shmangia e fytyrave të ish-ministrave të Sali Berishës, me sa duket për të evituar një impakt negativ që mund të prodhojë dalja e tyre në publik. Ish-ministrat janë evituar jo vetëm nga përzgjedhja e kandidaturës, por po mbahen larg fushatës së Sherefedin Shehut për Dibrën. Shmangia e tyre mund të lexohet edhe si një sinjal i Lulzim Bashës për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2017, listë e cila pritet të dominohet nga një rreth i ri në PD. Disa javë më parë, ndaj ish-ministrave shpërtheu befas edhe Ervin Salijani, i konsideruar si prurje e Bashës. Larg fushatës po qëndrojnë edhe Eduard Selami, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi etj., të cilët kanë kritikuar mënyrën se si Basha po e drejton PD.

Basha në fushatë
Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu, së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilluan një takim me të rinjtë në Peshkopi. Krijimi i kushteve për arsimim dhe mundësive për punësim, sipas PD, janë prioritet i Sherededin Shehut. Mes të rinjve, z. Shehu tha se që në moshën 22 vjeçare ka punuar me të rinj dhe sot të rinjtë janë energjia që do të mundësojnë realizimin e projekteve të tij. “Ju na jepni zemër. Ju jeni dëshmia që fitorja vetëm pret datën 11. Edi Rama ka thënë që unë jam pak i vjetër, por fatmirësisht unë jam rritur me rininë. Që në moshën 22 vjeçare unë kam qenë profesor. Ju do të jeni pjesa e ndryshimit të qytetit. Unë do t’u mbështes që të shkolloheni ashtu siç e meritoni ju edhe Dibra. Dibra është vendi me pasuri intelektuale. Dibra është vendi me një trashëgimi të madhe dhe kësaj pasurie ne do ia rrisim vlerat duke sjellë investime në Dibër. Flasim për investime private. Ne do të krijojmë një vizion të ri, por realizimi i tyre kërkon energji dhe atë energji do e marr tek ju. Ju do të jeni energjia e realizimit të projekteve të zhvillimit të Dibrës”, tha Shehu. Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se rinia është pararendëse e fitores së PD-së në Dibër dhe gjithë Shqipërinë. Ashtu si në vitet 90, edhe sot është detyrë e rinisë të largojë të keqen dhe t’ua kthejnë Dibrën, dibranëve.
 
 Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Nasrallah/ Presidenti iranian Pezeshkian viziton selinë e Hezbollahut, kryeministri i Rusisë zbarkon në Teheran

Vrasja e Nasrallah/ Presidenti iranian Pezeshkian viziton selinë e Hezbollahut, kryeministri i Rusisë zbarkon në Teheran