Fushata përballë pandemisë: Arsyet përse Lulzim Basha po sfidon dhe shmang COVID-19

Fushata përballë pandemisë: Arsyet përse Lulzim Basha po sfidon dhe shmang COVID-19

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Në çdo fushatë elektorale, grumbullimet, aktivitetet, tubimet, “dorështrëngimet spontane” e envente të tilla të ngjashme, janë thjesht axhenda të përgatitura, të planifikuara deri në hollësi dhe aspak spontane.

Njerëzit që do të marrin pjesë si “aradhë”, ata që do të takohen, batutat që do të përdoren, fëmijët që “ndodhen aty rastësisht”, nuk janë gjë tjetër veçse një skenar që shkruhet nga stafet e PR të fushatave.

Kjo ndodh në të gjithë botën, që nga koha kur televizioni e ktheu politikën në një show, më shumë se një përmbajtje.

Mitingjet, të fillimit apo të fundit, janë thjesht një demonstrim force numrash për të ndikuar sadopak në shtresat ky synohet që të jepet mesazhi.

Partitë politike, për të gjitha këto aktivitete shpenzojnë mjaft punë organizative dhe natyrisht shumë para.

Por me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit, edhe komunikimi masiv, por edhe ai politik, ndryshuan totalisht të gjitha mënyrat tradicionale.

Që prej një viti tashmë, kur COVID-9 ka bllokuar botën, disa vende kanë pasur fushata zgjedhore, ku është imponuar një mënyrë e re e të bërit fushatë.

Një mënyrë, ku thelbin e ka marrë jo show, por mesazhi politik, pra jo forma, por përmbajtja.

E kjo mundësi e dhënë nga kjo fatkeqësi e madhe, është realisht një rast i artë ku aktorët politik në lojë, ta shfrytëzojnë sa më shumë për të shpalosur idetë, planet, burimet njerëzore, e natyrisht objektivat që ata kanë hartuar.

Realisht kjo pandemi ka dhënë mundësinë që grupimet politike të tregojnë karakterin e vërtetë të formimit dhe përgatitjes së tyre.

Në zgjedhjet e nëntorit të vitit të shkuar për presidentin e SHBA-së, qasja ndaj pandemisë ishte realisht kyçi i verdiktit popullor, plus të tjerat.

Amerika, si një vend i madh dhe një kulm i civilizimit përplasi dy botë: atë të fushatës së Joe Biden që ishte i kujdeshshëm, i distancuar, nuk zhvilloi asnjë takim masiv dhe me njerëz dhe atë të fushatës së Trump, që u mpleks me turma dhe njerëz që madje nuk besonin fare as që ka COVID-19, por që e konsideronin si teori konspirative.

Në fund, fitoi Biden, pikërisht sepse ju qas kryeçështjes së vendit dhe të mbarë planetit.

Në Mal të Zi, një vend fqinj me Shqipërinë, i vogël me 600 mijë banorë, vjet ishte një nga shtetet me rastet më të vogla të koronavirusit.

Mirëpo fushata e grupimit filo-serb që u mbështet te Kisha Ortodokse Serbe, që zhvilloi grumbullime të mëdha e të ngjeshura, i solli vetëm një deputet më shumë (bashkë me Abazoviçin), sesa  partia që kishte qeverisur prej 20 vjetësh në vend.

Humbën jetën nga COVID-19 një numër i madh banorësh, duke përfshirë edhe krerët e Kishës Ortodokse, që ideuan dhe ishin realisht drejtuesit e fushatës kundër Milo Gjukanoviçit.

Në Shqipëri, me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit po shikojmë dy modele fushate gjithashtu; një model i kujdesshshëm e i distancuar nga ana e mazhorancës dhe një model grumbullimi nga ana e PD-së.

Kjo fushatë është një mundësi ku palët të shpalosin pikërisht përmbajtjen e mesazhit të tyre, qoftë atë të programit, qoftë dhe objeksioneve apo negativitetit për kundërshtarët. Të cilën po e bën Edi Rama.

Kurse Lulzim Basha, më shumë se me përmbajtjen, po merret me formën: organizon grumbullime njerëzish, përqafime, autokolona makinash superluksoze që përfundojnë në “lumenj” njerëzish që duan të japin një mesazh që “ka përkrahje Basha”.

Kjo formë natyrisht ka një qëllim, që të krijojë një perceptim që duket PD nuk ka siguri në terren, qoftë nga sondazhet, e qoftë nga mesazhet që merr nga baza.

Pandemia Covid 19, është realisht kryetema që duhet të elaborojë forca politike që kërkon të marrë qeverisjen.

Deri tani ka kundërshtuar çdo gjë që është kryer në vend për menaxhimin e pandemisë.

Ka hedhur tezën e fshehjes së vdekjeve, ka sulmuar Komitetin Teknik, po kundërshton vaksinimin masiv të popullsisë dhe po i shmanget përditë kësaj teme në fushatë.

Cili është qëndrimi zyrtar i PD-së për vaksinimin, për strategjinë e daljes dhe të zbutjes së pasojave të Covidit, qoftë në spektin shëndetësor, por edhe atë ekonomik? Asnjë!

E ka të gjithë mundësinë t’i shpalosë idetë e qëndrimet, duke bërë një fushatë përmbajtësore, por vetë Basha ende nuk e ka shtjelluar deri më sot konceptin alternativ të tij.

Nga ana tjetër, mesazhi që me sjelljen e tij në publik, nuk inkurajon distancimin social, kujdesjen ndaj infektimit, por po i jep incentiva mundësisë së komunikimit dhe shpërndarjes së virusit të Sars-COVID-19.

Shembulli politik dhe personal i Lulzim Bashës është jo distancimi por grumbullimi, mesazhi i tij për luftën ndaj pandemisë mungon, madje nuk ka kandiduar asnjë ekspert virolog në skuadrën e deputetëve.

Në lidhje për vaksimin si proces, sigurimi i vaksinave nga kompanitë e ndryshme dhe kontrata e madhe për Sinovac, sërish asnjë fjalë nga Basha.

Ka pasur deklarata të politikanëve kryesorë të opozitës si Sali Berisha, Petrit Vasili e Tritan Shehu kundër vaksinave Atrazeneca dhe Sinovac, për të hapur panik.

Edhe në këtë rast nuk ka pasur asnjë fjalë nga Lulzim Basha. Vetëm bishtnim, e natyrisht vakum në ide e objektiva.

Fushata që po zhvillon Lulzim Basha në terren është sikur pandemia të mos ekzistonte.

Thjesht se mban maskë, por që shumë e shumë persona të grumbullimet e tij nuk e bëjnë.

Megjithë fushatën që sa vjen e do të bëhet e erdhshme, Shqipëria është nën pandemi, e ku kemi raste të përditshme rastesh tragjike të njerëzve të të gjitha moshave e të gjitha shtresave që nuk ja dalin dot nga COVID-19.

Po mund të bëjë kandidati për kryeministër sikur kjo çështje nuk ekziston? Kur ka edhe kandidatë të tij për deputetë të infektuar në mes të betejës zgjëedhore? Natyrisht që jo!

E këtu mazhoranca, politika, e natyrisht edhe media e shoqëria duhet të bëjë pjesën e saj.

Shqipëria është një vend i vogël, ku e keqja dhe e mira vjen më shpejt se në çdo vend të madh. Mjafton të përmendim shembullin e Malit të Zi, ku nga vendi më pak i prekur kaloi në shtetin me më shumë pasoja nga COVID-19. Po kush mban përgjegjësi?!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë