Banorët e Borizanës në Fushë Krujë kanë denoncuar shpërthime të forta eksplozivi në guroret e zonës. Sipas tyre shpërthimi ka ndodhur rreth orës 17:45 dhe ka qenë më i fortë se herët e tjera, duke qenë se kjo është një grrorë që operon prej kohësh.

Banorët të lagjes “Hima”, kanë njoftuar policinë dhe thonë se po u dëmtohen banesat nga shpërthimet e forta. Ndërkohë, uniformat blu i kanë ftuar që ditën e nesërme të bëjnë kallëzimin në komisariat.

Theksojmë se nuk bëhet fjalë për guroren e Rrajave, pasi ajo u mbyll pas dhunës që fisi Rraja ushtroi ndaj kushërinjve Maja, të cilët ishin ankuar për dëmtimet që u kishin shkaktuar në shtëpi shpërthimet në gurore. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja ishte në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i ish-deputetit, i cili kishte leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet, por aktiviteti u mbyll pas dhunës. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i ish-deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.