Një rast i veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit është goditur në Fushë-Arrëz.
Në pranga ka rënë punonjësi i lokalit, Pashk Pjetri, 30-vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur dy organizatorët.
Operacioni është organizuar nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Komisariatin e Pukës, pa dijeninë e bluve të Fushë-Arrëzit.
Paraprakisht dyshohet se këta të fundit kishin informacione në lidhje me këtë veprimtari, por nuk kishin ndërmarrë ndonjë masë për parandalimin e saj.
Gjatë kontrolleve blutë sekustruan 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksionit të Mbështetjes Operacionale Hetimore të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gaminator”.
Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetin e Fushë Arrëzit, u konstatua se në ambientet e një lokali zhvillohej aktiviteti i kundërligjshëm i organizimit të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestua në flagrancë shtetasi P. P., 30 vjeç, banues në Fushë Arrëz, punonjës i lokalit;
-u shpallën në kërkim shtetasit I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrollit në lokal, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
___________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










