FUSHË-ARRËZ- Dy persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë kultivuar 355 bimë kanabisi në 15 parcela në tokë publike, në fshatin Aprip e Gurit në Fushë Arrëz. Në pranga ranë Sokol Jaha, 50 vjeç, dhe Emiljan Pepgjonaj, 20 vjeç, të dy banues në këtë fshat.
Operacioni i koduar “Gurra” u zhvillua pas disa javësh hetime nga Policia e Pukës, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Forcat Operacionale, në vijim të një hetimi disa-javor, të kryer me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, finalizuan operacionin policor të koduar “Gurra”.
Si rezultat i operacionit, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• E. P., 20 vjeç; dhe S. J., 50 vjeç, të dy banues në fshatin Aprip e Gurit, Fushë Arrëz.
Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas, në 15 parcela, në tokë publike, në fshatin Aprip e Gurit, kanë kultivuar 355 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”, njofton Policia.
Bimët e kanabisit u asgjësuan, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, në Pukë dhe Fushë-Arrëz janë zbuluar disa parcela me bimë narkotike. Në kuadër të operacioneve janë arrestuar gjithsej 5 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento