Tiranë- Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi futnin mallra kontrabandë për të shmangur akcizën.  Kjo bëhej nëpërmjet disa pikave të ndryshme doganore, duke falsifikuar dokumentat.

Personat e arrestuar nga policia janë Luan Troksi dhe Adem Molla, ndërsa i shpallur në kërkim është F.B.

Këta shtetas që këto shkelje i kryenin në bashkëpunim tani do të përballen në gjykatë me akuzat "Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, "Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë" dhe "Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”.

Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme cigaresh të markave të ndryshme, një sasi kafeje dhe një sasi vaji plazhi. Këta shtetas, nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore, kanë konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm.