Kryeministri Edi Rama ka vizituar Shtëpinë muze të Alfabetit Shqip, në Manastir, Maqedonia e Veriut ku u hodhën themelet e alfabetit tonë kombëtar, simbol i identitetit, kulturës dhe bashkimit të shqiptarëve.
“Në shitoren e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishme janë ulur pas një oxhaku për të vendosur për një luftë për një kufi, derisa këtu në këtë shtëpi 118 vite më parë njerëzit u ulën për të vendosur se si do t’i shkruanin njëri tjetrit nga Manastiri në Shkodër. Mes burrave të këtij Kongresi ishte edhe një grua, Parashqevi Qirjazi që u bë një frymëzim për ne kur bëmë abetearen e përbashkët me Kosovën. Shqipja është në një agresion të madh si të gjithë vendet e vogla në kohën e teknologjisë”, tha Rama.
Lajm në përditësim…

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të “udhëtojë” pas në kohë, në një nga momentet e rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe, për të uruar Ditën e Alfabetit, që kremtohet sot, më 22 nëntor.
Përmes inteligjencës artificiale, ai ka përpunuar fotografinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, jo vetëm duke i dhënë ngjyra por edhe vendosur edhe veten mes rilindasve të komisionit që u ngarkua me çështjen e alfabetit shqip.
“Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”, ka shkruar Rama në postimin e tij, duke e shoqëruar mbishkrimin me një emoji.
Fotografia e zgjedhur nga kryeministri na kthen në nëntorin e vitit 1908, kur përfaqësues shqiptarë nga qytete dhe shoqëri të ndryshme u mblodhën në Manastir për të vendosur se me cilin alfabet do të shkruhej gjuha shqipe.
Më 14 nëntor 1908, në ndërtesën ku ndodhej selia e klubit “Bashkimi”, nisi Kongresi i Manastirit. Për nëntë ditë, 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare, u mblodhën për të diskutuar njësimin e alfabetit. Punimet drejtoheshin nga Mithat Frashëri, me nënkryetarë Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin.
Një nga momentet kryesore të Kongresit ishte 16 nëntori, kur u zgjodh një komision prej 11 anëtarësh, me në krye Atë Gjergj Fishtën. Mes tyre ishin Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mithat Frashëri dhe figura të tjera të njohura të kohës. Pikërisht anëtarët e këtij komisioni shfaqen në fotografinë historike që Rama ka zgjedhur të përpunojë me inteligjencë artificiale.
Më 20 nëntor, komisioni paraqiti vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, i cili mori miratimin e të gjithë delegatëve të pranishëm. Kongresi përfundoi më 22 nëntor 1908, datë që sot kremtohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor inteligjencën artificiale për të “udhëtuar” në të kaluarën dhe për t'u shfaqur përkrah figurave historike shqiptare. Më herët, ai ka publikuar edhe një fotografi të përpunuar ku shfaqej përkrah Ismail Qemalit.





Komente
Komento