Futbolli, konflikti në Lindjen e Mesme dhe liria e mendimit

Futbolli, konflikti në Lindjen e Mesme dhe liria e mendimit

Anwar El Ghazi

Pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit, disa futbollistë me postimet e tyre në rrjetet sociale për Izraelin dhe territoret palestineze, shkaktuan një debat të ashpër. Ku është kufiri i lirisë së mendimit?

"Çdo njeri ka të drejtë të shprehë dhe të shpërndajë lirisht mendimin e tij me fjalë, shkrim ose imazh”, thuhet në nenin 5 të Kushtetutës gjermane”. Me fjalë të tjera, çdokush mund të thotë çfarë të dojë përderisa nuk fyen, shpif apo nxit akte kriminale, urrejtje apo dhunë. Situata ligjore është pra e qartë. Por interpretimi ose kuptimi i asaj që u tha, se si dikush do të thoshte diçka dhe nëse një deklaratë apo postim përmban një vepër penale aktuale është shpesh më pak e qartë.

Rastet e Mazraoui i El Ghazi

Ditët e fundit, futbollistët profesionistë Moussair Mazraoui dhe Anwar El Ghazi shkaktuan reagime dhe kritika me postimet e tyre në rrjetet sociale. Mazraoui, një lojtar i kombëtares marokene që luan për FC Bayern, ka uruar që palestinezët të fitojnë në konfliktin me Izraelin në Instagram. El Ghazi, një holandez me origjinë marokene që luan për FSV Mainz 05, ndau thënien "Nga lumi deri në det Palestina e lirë duhet të jetë".

Kjo thënie përdoret shpesh nga Hamasi, që do të thotë se territori palestinez shtrihet nga lumi Jordan deri në Detin Mesdhe, duke i mohuar kështu Izraelit të drejtën e tij për të ekzistuar. Drejtuesit e klubit të futbollit Mainz kanë "biseduar për të gjitha” me El Ghazin dhe e kanë suspenduar, dhe ai më nuk do të luajë ndeshje dhe nuk do të stërvitet me ekipin.

Ndërsa në FC Bayern u desh pak më shumë derisa u publikua deklarata zyrtare e klubit në lidhje me Mazraoui. "Noussair Mazraoui na siguroi bindshëm se, si një njeri i përkushtuar ndaj paqes, ai refuzon me vendosmëri terrorin dhe luftën. Ai shprehu keqardhje në rast se postimet e tij kanë shkaktuar acarim”, kumtoi CEO i FC Bayern, Jan-Christian Dreesen në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar.

Ka folur edhe vetë Mazraoui. Ai dënoi "çdo lloj terrorizmi dhe çdo organizatë terroriste". Më tej u raportua se Mazraoui mbetet në skuadrën e FC Bayern, por nuk do të luajë për momentin për shkak të lëndimit.

Çështje e diskutueshme edhe për shkak të ligjit të punës

Nuk dihet nëse klubi FC Bayern e ka kritikuar Mazraouin apo ka kërkuar që ai të mos publikojë gjëra të tilla në të ardhmen. Por, nga pikëpamja juridike, klubi do të gjendej në një terren shumë të rrëshqitshëm. "Çdokush ka të drejtën e një sfere private dhe punëdhënësi në parim nuk ka mundësi të ndikojë në shprehjen e mendimit apo veprimet e punonjësit të tij jashtë orarit të punës”, shpjegoi pak ditë më parë Paul Lambertz, avokat i specializuar në ligjet e sportit. Kjo vlen edhe për futbollistët. Përjashtimi i tyre nuk është i lehtë. Edhe pezullimi i Anwar El Ghazit mund të vihet në dyshim ligjërisht.

Kur Lambertz shprehu këtë mendim për disa media gjermane në fillim të javës së kaluar, në rrjetet sociale ndodhi një stuhi e vërtetë në kurriz të klubeve të përmendura dhe lojtarëve të tyre. Deklarata u bënë edhe nga disa politikanë. Johannes Steiniger nga CDU , i cili është që nga viti 2013 në Bundestag, tha se jo vetëm përjashtimi i Mazraouit nga FC Bayern, por edhe largimi i tij nga Gjermania, duhet të shqyrtohet. Por kjo kërkesë nuk ka bazë ligjore dhe u kalua shpejt.

"Si rregull, një person mund të dëbohet nëse ka probleme me lejen e qëndrimit dhe nëse ka kryer ndonjë krim të rëndë," shpjegoi ministri i Brendshëm bavarez Joachim Herrmann nga CSU në një deklaratë për Radion Bavareze. "FC Bayern duhet të kujdeset për këtë”, tha ai.

Për këtë rast të martën (24 tetor) ka folur edhe kryetari i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster. Në një intervistë të publikuar në gazetën Süddeutsche Zeitung, ai kërkoi "pasoja dukshëm më të rrepta për lojtarin” dhe theksoi se FC Bayern duhet të sigurohet që "gjëra të tilla të mos përsëriten".

Si reaguan tifozët e Bayernit?

Klubi vendosi të mos vendosë asnjë sanksion ndaj lojtarit. Sepse jo vetëm që është ligjërisht e diskutueshme, por edhe klubi do të dëmtonte veten, sepse aktualisht ka vështirësi me lojtarët në mbrojtje.

Tifozët e Bayernit janë të njohur për kthimin kundër drejtuesve të klubit, në rast se dëmtohen vlerat e klubit. Kjo është treguar në të kaluarën në diskutimet për kontratat e sponsorizimit me Katarin dhe Ruandën, e së fundmi kur po konsiderohej riangazhimi i Jerome Boateng, i akuzuar për lëndime trupore.

Edhe Mazraoui është kritikuar hapur nga tribunat. Në maj ai mbështeti në Instagram një bashkëlojtar nga ekipi kombëtar maroken, i cili refuzoi të vishte fanellën në mbështetje të komunitetit LGBT. Pas kësaj, në ndeshjen mes Bayernit dhe RB Leipzig, në tribuna u shfaqën pankarta që i kërkonin Mazraouit të mos shkelte vlerat e klubit.

Për ndeshjet e fundjavës, Liga Gjermane e Futbollit dhe Federata Gjermane e Futbollit rekomanduan që në fillim të mbahej një minutë heshtje "për viktimat e ngjarjeve të tmerrshme në Izrael". Me sa dihet, të gjithë lojtarët e respektuan këtë kërkesë, pavarësisht nga mendimi i tyre personal për konfliktin në Lindjen e Mesme./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës