Futbolli shqiptar del nga karantina! Duka: Kampionati rinis në 3 qershor! Fjalën e fundit e ka qeveria (Kalendari)
Disa nga presidentët e ekipeve, mes tyre i Partizanit, Gaz Demi u shpreh se ishte për ndërprerjen dhe mbylljen e kampionatit me këtë renditje që është tani, por UEFA ka vendosur si kusht përfundimin.
TIRANE-Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur së bashku me klubet e Kategorisë Superiore që kampionati të rinisë në datë 3 qershor, ndërsa tashmë fjalën e fundit e ka qeveria. Disa nga presidentët e ekipeve, mes tyre i Partizanit, Gaz Demi u shpreh se ishte për ndërprerjen dhe mbylljen e kampionatit me këtë renditje që është tani, por UEFA ka vendosur si kusht përfundimin. Më herët është vendosur që stërvitja individuale të rinisë në 18 maj.
"Nëse qeveria e ndryshon këtë, nëse merr një vendim ndryshe do të respektojmë vendimet e qeverisë. Jemi në kushte të reja. Tamponet? Unë nuk jam mjek, vendimi është protokolli, të gjithë do u matet temperatura para stërvitjeve dhe ndeshjeve, nëse ka shenja do të ketë teste dhe tampone. Unë nuk kam frikë,"- tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Ndërkohë krahas Superligës do të nisë aty ku është ndërprerë edhe Kupa e Shqipërisë, e cila me datë 2 gusht do të luaj finalen e Kupës. Si kusht thelbësor për rinisjen, gjatë diksutimit me klubet, ishte zbatimi i protokollit të masave, që nis që në momentin kur lojtarët rikthehen në stërvitje. Ndryshe nga çdo kampionat tjetër tani në Europë, Superliga do të nisë pa kryer tamponët, të cilët kudo janë kusht i domosdoshëm për rinisjen.
Sot dhe në ditët në vazhdim grupet e punës të federatës dhe ministrisë së shëndetësisë do të zhvillojnë të tjera takime lidhur me protokollin, ndërsa në parim nga federata është lënë të kuptohet se janë dakord për rinisjen.
Siç dihet ndeshjet do të luhen të gjitha pa praninë e tifozëve. Ndërsa më poshtë është kalendari i ndeshjeve. Me të kuqe janë ndeshjet e kampionatit, ndërsa me të verdhë ato të Kupës.