Investimet në hotele dhe infrastrukturë nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen edhe me staf të kualifikuar. Ky ishte mesazhi që përcolli ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në Future Hospitality Forum, ku tha se sfida e viteve në vijim është që zhvillimi i sektorit të ecë paralelisht me investimet te kapitali njerëzor.
“Suksesi i një destinacioni matet jo vetëm nga numri i njerëzve që e vizitojnë atë, por edhe nga përvoja që ata marrin me vete, nga kohëzgjatja e qëndrimit, nga besimi i tyre për t’u rikthyer dhe, mbi të gjitha, nga vlera që ata krijojnë për ekonominë vendase”, shtoi ministri.
Gonxhja kujtoi se Shqipëria ka kaluar nga një ofertë e kufizuar mikpritjeje në një treg ku operojnë marka të njohura ndërkombëtare si Marriott, Hilton, Radisson, Meliá dhe Maritim. Ai solli edhe të dhëna për ecurinë e sektorit, duke thënë se në korrik numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 15,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa vizitorët jorezidentë u rritën me 18,3%.
“Një destinacion nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme nëse kërkesa rritet më shpejt se cilësia. Prandaj, një nga sfidat kryesore për vitet në vijim është të sigurojmë që investimet në infrastrukturën e mikpritjes të shoqërohen me investime po aq të rëndësishme në kapitalin njerëzor”, tha Gonxhja.
Lajmi kryesor:
'Forumi i Mikpritjes' bën bashkë brandet e mëdha në Tiranë, Rama bizneseve: Nga turizmi masiv drejt atij cilësor! Ftesë investitorëve: Shfrytëzoni potencialin tonë tani!








