Shpeshherë i shohim fëmijët e vegjël me syze dielli të cilat ata në më të shumtën e rasteve i mbajnë për dëshirë ose si mjet argëtimi, por në fakt mbajtja e syzeve të diellit nga fëmijët duhet të jetë domosdoshmëri. Këtë gjë ka pohuar mjekja okuliste Nora Burda në studion e emisionit “Rreze Dielli” në Report Tv. Burda përmendi një sërë arsyesh pse është e nevojshme mbajtja e syzeve të diellit që në moshë të vogël në mënyrë që të parandalojmë probleme që mund të shkaktohen në të ardhmen.
"Këshillohet që fëmijët të vendosin syze dielli që në moshën 2 vjeç e gjysëm, 3 vjeç, kjo për një sërë arsyesh. E para e punës fëmijët shpenzojnë një periudhë më të madhe në diell se sa ne të rriturit, sidomos në këtë periudhë që koha është e mirë. Ashtu siç prindërit mbrojnë lëkurën, po njëlloj duhet tu japin edhe syzët e diellit me mbrojtje 100% që të mos dëmtohen.
E dyta është që zhvillimi okular tek fëmijët nuk ka përfunduar akoma, përfundin në moshën 7 vjeç dhe si pasojë lentja e tyre, kristalini është shumë vunerabël, është shumë transparente dhe nuk stopon një pjesë të rrezeve hyrëse UVA që të kalojnë në retinë dhe janë 10 herë më të ekspozuar se të rriturit për të thithur rreze hyrëse UVA në sy dhe për tu shkaktuar probleme gjatë hetës më vonë, sepse dëmtimet nuk ndodhin në moment.
Arsyeja e tretë është që fëmijët nuk kanë shumë melaninë, ndaj edhe nuk bëhet mirë ndalimi i hyrjes së rrezeve të diellit.", tha Burda në emisionin "Rreze Dielli"
Burda u ndal gjithashtu tek materiali i syzeve të diellit që fëmijët duhet të mbajnë. Kujdesi duhet të jetë i tepërt duke marrë parasysh lëkurën e tyre të ndjeshme si dhe moshën e vogël.
"Syzet e fëmijëve duhet të jenë elastike se atyre akoma nuk u është formuar kocka e hundës. Janë ca syze që janë specifike për fëmijët që janë shumë të lehta. Ato duhet të jenë shumë të ngjitura me syrin dhe duhet të kenë një sipërfaqe të madhe në mënyrë që të ndalojnë edhe hyrjen e pluhurave. Është mirë që të mbajnë edhe një kordon lidhës që të jenë sa më të puthitura.", u shpreh mjekja në "Rreze Dielli"
Foto ilustruese
Sipas okulistes një vemendje të veçantë duhet tu kushtohet fëmijët që merren me not apo me ski. Burda tha në “Rreze Dielli” se ata duhet të mbajnë syze të polarizuara në mënyrë që të bëhet një bllokim total i rrezeve të diellit.
Mjekja theksoi se syzet e diellit, si tek fëmijët edhe tek të rriturit duhet të mbahen gjatë gjithë kohës kjo për arsyen se rrezet hyresë të dëmshme UVA depërtojnë në çdo kohë, edhe kur është vranët edhe kur është diell.
"78% e rrezeve hyrëse UVA, edhe kur është vranët, edhe kur bie shi futen në sipërfaqen okulare. Kur bie shi, uji i reflekton po kaq fuqishëm këto rreze të dëmshme. Ndërtesat i reflektojnë, bora i reflekton, rëra po, betoni në verë i reflekton. Ndaj rekomandohet që të vendosen syze edhe në verë edhe në dimër.", Tha Burda
Në përfundim mjekja okuliste Nora Burda tha se përzgjedhja e syzeve është shumë e rëndësishme. Sipas saj duhet të heqim dorë nga syzet e lira në çmim, pasi ato kanë lente plastike që rrisin sasinë e rrezeve të diellit që futen në sy. Ato i thithin ato dhe sytë dëmtohen më tepër.