Ndikimi inspirues i këtij termi bëri në vijim të domosdoshme kërkesën e Shqipërisë për t’u pranuar në Këshillin e Evropës dhe miratimin të Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Në këtë kuadër, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (1998), që zgjidhi edhe të vetmen pengesë për ratifikimin e KEDNJ, pra garantimin e së drejtës së jetës, çështjen e ‘dinjitetit të njeriut’ e shtroi në rradhë të parë dhe në të njëjtin rrafsh me tiparet moderne të shtetit dhe karakteristikat kryesore të tij. Në frymë dhe në zbatim të këtij Ligji Themelor, si edhe të plot instrumentave ndërkombëtarë të tjerë, ‘dinjiteti i njeriut’ i kapërxeu kufijtë deklarativë dhe mori vlerat e një definicioni ligjor, çka shërbyen për hartimin te ne gjithashtu të Kodit Penal me përmbajtje edhe të disa veprave penale që cënojnë dinjitetin personal, si fyerja (neni 119), shpifja (neni 120), rrahja (neni 90) etj.
Megjithatë, deri tani konsumimi i këtyre veprave penale asnjëherë nuk është fshirë nga harta e kundërligjshmërisë. Madje u shtuan edhe më tepër, pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2008 disa ndryshime në Kodin përkatës, konkretisht edhe në nenet 119 (fyerja), 120 (shpifja) etj, duke hequr llojin e dënimit me burgim të autorëve të këtyre veprave dhe lënien në fuqi vetëm të ndëshkimit të tyre me gjobë, me ndërthurje të kësaj mase edhe nëpërmjet ndryshimeve që do t’i bëheshin Kodit Civil. Propozimit me VKM nr. 262, datë 4.5.2007 të projektligjit për këto amendime, atëherë iu bashkëngjit një relacion i Këshillit të Ministrave, në të cilin lexohej: “Për një demokraci politike efektive dhe respektimin e të drejtave të njeriut, liria e shprehjes nuk mbart rëndësi vetëm në vevtete, por gjithashtu ajo luan një rol kryesor në mbrojtjen e të drejtave të tjera të njeriut. Nuk ka vend të lirë, nuk ka demokraci pa një garantim të gjerë të së drejtës për lirinë e shprehjes, e garantuar kjo nëpërmjet instrumentave ligjorë të shtetit të së drejtës”.
Por, pesha retorike e këtij relacioni u ndje pastaj më së shumti, kur u shtua rrjedha e fyerjeve dhe shpifjeve nga vetë kryeministri i legjislaturës së kaluar, Sali Berisha, dhe bashkëpunëtorëve vasalë të tij, ndaj shefit të opozitës politike të atëhershme dhe deputetëve të saj, të cilët kur kërkonin transparencën e zgjedhjeve të 2009 – s dhe demaskonin abuzimet e rënda një pas një të klanit në pushtet, si përgjigje merrnin vendimet gjyqësore të sistemit pa integritet të drejtësisë, që shkaktonin krisje të rënda në buxhetet familjare të këtyre politikanëve të pambrojtur. Një ngarkesë të jashtëzakonshme për vlerat demokratike përmbanin edhe fyerjet e shpifjet ndaj ish Kryetarit të Shtetit dhe ndaj ish Prokurores së Përgjithshme, të cilët po ai ish kryeministër (në justifikim të masakrës së 21 janarit 2011) i vuri gjithashtu në qendër të gjoja një komploti ndaj qeverisë dhe u ngjeshi përkatësisht epitetet: “Horr” dhe “Lavire”.
Kjo rrjedhë e paskrupullt nuk është ndalur as pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të vitit të kaluar, kur i njëjti person dhe të njëjtët bashkëpunëtorë vasalë të tij – tashmë të rrëzuar nga pushteti politik dhe ekzekutiv, nëpërmjet diferencës së thellë të votave popullore – drejtojnë pa pushim, çdo ditë, fyerje dhe shpifje publike në adresë të Kryeministrit aktual, Qeverisë së tij dhe punonjësve të administratës, për të cilat qoftë edhe vetëm numërimi i tyre nuk ka format artikulli gazetaresk që ta përmbajë. Prandaj, sa për ilustrim le të përmendim një rast të fundit. Kur pasi eksponentët e opozitës së tashme e akuzonin mazhorancën të paaftë për të luftuar krimin e shtuar të tritolit dhe të vrasjeve (që vetë e kanë frymëzuar me zulme politike të kërleshura), duke e deklaruar përgjithësisht atë edhe të njësuar me krimin, pak ditë më parë u detyruan të drejtojnë kalejdoskopin në plane më konkrete.
U detyruan ta bëjnë këtë, sepse policia dhe organet e tjera ligjzbatuese filluan të korrin frytet e vullnetit të qeverisjes së re për të ndjekur, diktuar, parealizuar dhe ndëshkuar persona apo grupe të strukturuara kriminale të rrezikshme, çka qytetarët e këtij vendi e konsiderojnë në përgjithësi si një sukses shpresëdhënës për sigurinë e tyre në të ardhmen. Atëherë, në ekrane shfaqet pas logos së Partisë Demokratike kryetari i grupit parlamentar të saj dhe, duke paraqitur në ekran disa pamje filmike të vitit të mbrapshtë 1997, i shoqëron ato me shpjegimin, se njëri prej figurave të atyre pamjeve nga Ura e Mifolit në Vlorën e kahershme, nga ushtar i Bandës së Zani Çaushit na qenkej emëruar së fundmi prej organeve qeverisëse në inspektor policie.
Ky inspektor i prekur në nderin e tij (nderi – pjesë përbërëse e dinjitetit), sepse edhe në kohën e xhirimit të pamjeve të transmetuara ai kishte qenë punonjës policie, i cili kishte vajtur aty për të zhbllokuar Urën e Mifolit që të kalonin gazetarët drejt Vlorës, të nesërmen deklaroi se do t’i drejtohej gjykatës për fyerjen dhe për kallëzimin e rremë (shpifjen), që i qenë adresuar. A ka të drejtë ky inspektor të bëjë padinë në gjykatë? Sigurisht, sepse fyerja dhe shpifja janë më të rënda edhe se sa kundërvajtja penale e rrahjes dhe plagosja e lehtë, pasojat e të cilave mund të zhduken me kalimin e disa ditëve, ndërsa ato të fyerjes dhe sidomos të shpifjes, ndonëse të kryera qoftë edhe vetëm në rrugë verbale, mund të lënë te ndokush vragë shpirtërore dhe psikike për tërë jetën.
Ndërsa nga pikpamja materiale, ofendimi dhe poshtërimi i reputacionit të dikujt, aq më tepër kur ai/ata është/janë person/a i/të njohur publik, nuk është thjesht një dëmtim, por një agresion, që ndonjëherë kryhet me qëllime të përcaktuara mirë. Pikërisht sikurse u shpreh përsëri Berisha dhe deputetët vasalë të tij në seancën e fundit parlamentare, për të ulur vlerat pozitive të Kryetarit të Qeverisë dhe kolegëve të tij të ngushtë në Legjislativ dhe në Ekzekutiv, si edhe për të shkaktuar trazira politike të reja. Në ato trazira ku mbështetet realisht shpresa e fundit e politikanit shqiptar më gojështhurur dhe e atyre që shkojnë pas tij, që të uzurpojnë edhe një herë pushtetet përpara se sa vendi të dalë nga humnera ku ata e kanë flakur.
Sidoqoftë, liria e shprehjes, si një prej atyre themelore të njeriut, nuk është absolute dhe e pakushtëzuar; ajo gjen një limit në objekte dhe interesa të tjera të garantuara në mënyrë të barabartë nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërmjet të cilave spikat (pas së drejtës për jetën) ajo e nderit e kuptuar së bashku me atë të reputacionit dhe të dinjitetit, që mbrohet edhe nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal. Dhe, të mos harrojmë që vepra të tilla bëhen veçanërisht të rrezikshme, kur kryhen publikisht.
Sepse, ndryshe nga fyerja apo shpifja e bërë në prani të personit ku ky ka mundësi të reagojë personalisht dhe në çast ndaj autorit të veprës, në këtë rast kjo ka mundësi të krijojë një mendim negativ në mbarë opinionin shoqëror, në mënyrë të pavarur nga personi i cenuar. Nisur nga uniteti i elementëve të anës objektive (përhapja e fyerjes bashkë me pavërtetësinë) dhe agravimi i anës subjektive (dashja për deformimin e opinionit shoqëror dhe qëllimi i cenimit të nderit të personit, nëpërmjet keqinformimit), këto dy vepra do të vazhdojnë të jenë jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht të dënueshme. Ligjërisht të dënueshme, edhe sepse duke saktësuar dhe përmirësuar institutin e dëmit moral do të garantohej mbrojtja e reputacionit të individit.
Por, në kushtet e shtimit të pandalshëm të fyerjeve dhe shpifjeve nga ana e emisarëve partiakë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë dhe programorë, mund të lindë edhe nevoja e forcimit të masave ndëshkuese për këto vepra. Aq më tepër që edhe në nenin 1 (gërma ‘b’) të Kodit Penal theksohet, se “Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë...dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij...”. Dhe akoma më tepër, kur në neni 3 të Kushtetutës proklamohet ndër të tjera, se edhe mbrojtja dhe respektimi i dinjitetit të njeriut përbëjnë bazën e këtij shteti. Përcaktime këto, të cilat nënkuptojnë që edhe kjo vlerë, krahas disa të tjerave, përbën një të mirë juridike aq të rëndësishme dhe ekzistenciale për jetën e individit dhe të shoqërisë, saqë mbrojtja penale e tyre nuk do të rreshtë së kompensuari me zhdëmtim të dëmit moral, së paku nëpërmjet ndëshkimit të natyrës civile.
Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)