Fyle: Mbështetje financiare dhe
me ekspertë për në BE

Fyle: Mbështetje financiare dhe<br />me ekspertë për në BE
TIRANE- Gatishmëri e BE-së për të mbështetur Shqipërinë me ekspertizë dhe financiarisht. Kjo është bërë e ditur nga Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle dhe është një nga 11 konkluzionet e publikuara dje nga takimi i dytë i Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.

Komisioni Evropian vlerëson se konsultimi sistematik e përfshirja e Parlamentit, si dhe palëve të tjera të interesuara në procesin e reformave është kyç. Vetëm një ditë pas takimit të nivelit të lartë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe Eurokomisioneri Stefan Fyle, kryeministria ka zbardhur dhe përfundimet e këtij takimi, ku ndër të tjera sikurse nënvizon raporti i dhjetorit të vitit 2013 nga Këshilli Europës mirëpret miratimin me konsensus ndërpartiak nga Shqipëria, të masave përkatëse kyçe për reformën e gjyqësorit, administratës publike e reformën parlamentare, si dhe kryerjen me sukses të zgjedhjeve parlamentare në qershor.

Takimi vendosi se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova të rezultateve të arritura duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Eurokomisioneri Fyle, theksoi se politikat konfrontuese nuk e ndihmojnë procesin e integrimit në BE. Ai përshëndeti projektin e Udhërrëfyesit për 5 Përparësitë Kyçe si një dokument të strukturuar mirë me afate realiste, duke theksuar se Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë si dhe financiarisht.

Qeveria Shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për dialog politik konstruktiv e të qëndrueshëm me opozitën, çka është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave. Kryeministri Rama konfirmoi angazhimin e përforcimin e mëtejshëm të progresit, që garanton zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu e bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013.
 
 KONKLUZIONET
 
Përfundimet e përbashkëta në Dialogun e Nivelit të Lartë mbi Përparësitë Kyçe:
 

1. Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Stefan Fyle drejtuan takimin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë(mbi Përparësitë Kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian më 6 mars 2014....
 
2. Takimi përshëndeti Rezolutën e Parlamentit mbi integrimin në BE të votuar njëzëri në nëntor 2013, çka demonstroi ekzistencën e konsensusit politik. Zbatimi i angazhimeve të ndërmarra sipas  kësaj rezolute është thelbësor. Komisioneri Fyle theksoi rëndësinë e sigurimit të koherencës dhe një përqasje përfshirëse ndaj gjithë reformave të ndërmarra nga Shqipëria. Konsultimi sistematik dhe përfshirja e Parlamentit, si dhe palëve të tjera të interesuara në procesin e reformave është kyç.
 
3.Takimi i dytë i DNL zhvillohet pas Këshillit të dhjetorit 2013 që: "Mirëpriti miratimin me konsensus ndërpartiak nga Shqipëria të masave përkatëse kyçe për reformën e gjyqësorit, administratës publike dhe reformën parlamentare, si dhe kryerjen me sukses të zgjedhjeve parlamentare në qershor, përshëndeti masat e mëtejshme të marra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe angazhimin e qeverisë së re, përgëzon intensifikimin e përpjekjeve në këto fusha dhe nxiti autoritetet ta ruanin këtë vrull të ri".... Këshilli shtoi se: “Me mirëkuptimin se Shqipëria vazhdon të mbështetet në progresin inkurajues të bërë deri tani, pret me padurim vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat asaj në qershor 2014, në varësi të miratimit të KE".
 
4. Takimi vendosi se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova të rezultateve të arritura duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioneri Fyle përshëndeti progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat që lidhen me BE-në gjatë periudhës së kaluar dhe nënvizoi se puna e përbashkët konstruktive e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në Parlament, është kyçi për konsolidimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre përpjekjeve.

Lidhur me këtë, Komisioneri theksoi se politikat konfrontuese nuk e ndihmojnë procesin e integrimit në BE. Komisioneri kujtoi gjithashtu rëndësinë që BE, i japin kulturës së bashkëpunimit dhe përfshirjes në Parlament. Lidhur me funksionimin e institucioneve të pavarura të vendit, ai theksoi se si opozita, ashtu dhe qeveria duhet të tregojnë tani përmbajtje e të garantojnë respektimin e plotë të legjislacionit të zbatueshëm dhe parimeve të tij. Komisioneri përshëndeti masat e marra në kuadrin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si konsultimin e zgjeruar të strategjisë kundër korrupsionit të kryer në dhjetor dhe ngritjen e një rrjeti pikash kontakti kundër korrupsionit, nënshkrimin e marrëveshjes operative me Europolin dhe punën e vazhdueshme me rëndësi për reformën në polici. Ai mirëpriti fokusimin te miratimi i akteve nënligjore për Ligjin mbi Shërbimin Civil.
 
5. Komisioneri Fyle përshëndeti projektin e Udhërrëfyesit për 5 Përparësitë Kyçe si një dokument të strukturuar mirë me afate realiste....
 
6. Komisioneri Fyle theksoi se Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare.
 
7. Kryeministri Rama, konfirmoi angazhimin e qeverisë së tij për forcimin e mëtejshëm të progresit të madh të arritur në reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht për vazhdimin e zbatimit të reformave në fushën e shtetit të së drejtës, përfshirë politikën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar. Rama shprehu besimin se zbatimi në vazhdimësi i reformave kyçe, përbën një bazë të shëndoshë për vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në qershor 2014. Ai konfirmoi gjithashtu angazhimin e qeverisë së tij për krijimin e një lidhjeje të fortë mes qeverisjes ekonomike dhe shtetit të së drejtës, çka do të çojë në një mjedis më transparent biznesi....
 
8. Qeveria shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, çka është jetike për qëndrueshmërinë e  procesit të reformave....
 
9. Komisioneri Fyle përshëndeti angazhimet e qeverisë shqiptare për të garantuar zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013; për finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe hedhjen e hapave për zbatimin e saj, lidhur me përmirësimin e efikasitetit të veprimit në këtë fushë; për angazhimin me Komisionin e Venecias, lidhur me procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe për garantimin e zbatimit të qetë të legjislacionit në këtë fushë; si dhe për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar përmes veprimtarive specifike dhe bashkëpunimit të përforcuar mes organizmave të zbatimit të ligjit.
 
10. Qeveria mbetet e angazhuar ndaj përfshirjes së organizatave dhe grupeve të shoqërisë civile në procesin e reformave. Për këtë qëllim, Udhërrëfyesi për 5 Përparësitë Kyçe është ndarë me aktorët dhe organizatat e shoqërisë civile për komente dhe sugjerime....
 
11. Për t’u përgatitur për takimin tjetër të DNL të parashikuar në qershor 2014, u vendos që kontaktet në nivel pune të intensifikohen dhe të sigurohen raporte të rregullta mbi zbatimin e udhërrëfyesit nga pala shqiptare. Shqipëria do të japë kontribut lidhur me Raportin tjetër të Komisionit. Komisioneri Fyle nënvizoi se në këtë periudhë, Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate konkrete lidhur me të gjitha 5 Përparësitë Kyçe, me fokus të veçantë mbi reformën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe asaj gjyqësore.
 
Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës