SHKUP - Komisioneri Evropian i Zgjerimit, Stefan Fyle ka surprizuar sot Maqedoninë pasi u takua pa paralajmëruar me kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski, presidentin Gjeorgje Ivanov dhe me liderin e LSDM-së Branko Cërvenkovski.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat maqedonase të cilat citojnë deklaratën e qeverisë së Maqedonisë dhe të delegacionit të Bashkimit Evropian. Në qendër të takimeve ishte Raport progresi për Republikën e Maqedonisë në kuadër të integrimit evropian.

"Mund të konfirmojmë se sot kryeministri Gruevski realizoi takim me komisionerin Fyle, ku u bisedua për raportin e ardhshëm për përparimin e Republikës së Maqedonisë, në kontekst të raportit të prillit të Komisionit dhe samitit të qershorit të Bashkimit Evropian. U bisedua për euroaxhendën, për reformat, mes tjerash u bisedua edhe për ngjarjet lidhur me bojkotin e opozitës, por në kuadër të përparimit dhe mekanizmave për vazhdimin e proceseve integruese, me ç'rast nga ana e jonë është shprehur gatishmëri dhe përkushtim për vazhdimin e reformave, si dhe konstruktivitet për tejkalimin parimor të sfidave në kontekst të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë", thonë nga Qeveria e Maqedonisë, shkruan portali INA.

Delegacioni i BE-së në Shkup, njoftoi se Stefan Fyle sot është takuar edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me liderin e LSDM-së Branko Cërvenkovski. Në të gjitha takimet që i ka pasur janë shqyrtuar përgatitjet për Raportin e pranverës të Komisionit Evropian për Maqedoninë.

"Komisioneri kishte biseda të dobishme me bashkëbiseduesit e tij. Fyle do të kthehet në Shkup në kontekst të Dialogut inkuadrues të nivelit të lartë", thuhet në kumtesën e shkurtër nga Delegacioni i BE-së në Maqedoni.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)