BRUKSEL- Në një letër dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, që mban datën 4 mars 2014, Kundëradmirali Kristaq Gërveni, pranon se kandidatura e tij si Përfaqësues Ushtarak i Shqipërisë në NATO, përfundon këtë pranverë. Ndërsa shpreh dëshirën i që të vijojnë punën si ushtarak, Gërveni shkruan se “nisur nga kushtet konkrete, përgatitem që të mbyll ndoshta edhe karrierën time ushtarake. Do te ndjek procedurën e largimit nga Forcat e Armatosura duke respektuar të gjitha ligjet dhe rregullat në fuqi”.
 
Ndërkaq, në këtë letër, Gërveni thotë se në 28 shkurt ka aplikuar për t’u punësuar në strukturën e NATO-s, për një vend civil që sipas tij hapet më 1 Shtator 2014, ndërsa kërkon edhe mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes.
 
“Siç mund të jeni në dijeni nga një e-mail që keni mare nga Agjencia NSPA, unë në datën 28 Shkurt kam bërë një aplikim për një vend civil (në nivel Drejtori) që hapet në 1 Shtator 2014. Për këtë është në dijeni vetëm Ambasadori jonë në NATO Zoti Leonard Demi. Duke parë aftësitë e mia, kualifikimet dhe eksperiencën, kam dëshirë të provoj të punësohem në Strukturën e NATO-s.
 
Në politiken e NATO-s kërkohet mbështetja nga institucioni për kandidatët. Në rastin konkret, nga Agjencia NSPA më rekomandohet që t'ju drejtohem Juve Zoti Arian për të mbështetur kandidaturën time.
 
Në qoftë se e gjykoni se kandidatura ime është e përshtatshme për t'u përfaqësuar në Agjencinë e Mbështetjes së NATO-s, kërkoj mbështetjen tuaj. Në qoftë se gjykoni ndryshe, ju lutem më bëni me dije që të tërheq aplikimin”, shkruan Gërveni.