TIRANE-  Një ide e re për një tjetër mënyrë bashkëpunimi të vendeve të ballkanit perëndimor, duket se është diskutuar dy ditë më parë në Nju Jork, gjatë takimit të Ministrit të Jashtëm Shqiptar Ditmir Bushati dhe homologut të tij malazez Igor Lukshiç.

Bëhet fjalë për diskutimin mbi idenë malazeze të “Ëest Balkan Six – G6”, një bashkëpunim vendesh mes Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë.

Projekti në mediat kosovare është pagëzuar si “Jugosllavia e re”, ndërkohë që në Shqipëri, për herë të parë flitet për këtë ide. Madje, në njoftimet për shtyp të ministrisë së Punëve të jashtme shqiptare, nuk ka asnjë të dhënë apo informacion për këtë projekt, e cila është qartësuar në mënyrë “disi të vagullt”, në njoftimin për shtyp që diplomacia malazeze ka hedhur në ëebsite e saj për këtë takim.

Takimi mes dy ministrave në dukje ishte rutinë, ku është folur si gjithmonë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dëshirën e përbashkët për integrim. Megjithëse indirekt, njoftimi i MPJ tregon se është folur edhe për një ide të hedhur pikërisht nga zoti Lukshiç dhe që ka disa kohë që shkakton reagime në rajon, projekti që mediat kosovare e kanë pagëzuar ‘Jugosllavia e Re’.

”Në fokus të këtij takimi ishte një qasje e re bashkëpunuese me interes të ndërsjelle për të gjithë rajonin, bashkëpunim i cili bazohet në aspiratat e popujve të rajonit për një të ardhme të sigurtë Euro-Atlantike” thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ.

Mali i Zi kishtë njoftuar më herët se ideja do të diskutohej me liderët e vendeve të përfshira gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së në Nju Jork.

Projekti në fjalë ka ngjallur reagime të ndryshme, që nga entuziazmi në Serbi, deri te skepticizmi dhe refuzimi në Kosovë e Shqipëri. Por shtypi thotë se projekti nuk është pritur keq nga komisioneri për zgjerimin i BE, Stefan Fyle.

Çfarë përmban projekti?
West Balkan Six- G6 parashikon krijimin e një asambleje të përbashkët parlamentare, treg të përbashkët ekonomik, bashkëpunim dhe koordinim në sistemet arsimore të edukimit, luftë e përbashkët ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjitha këto me synimin e një afrimi më të shpejtë dhe të përbashkët të vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.

Nisma malazeze, që thuhet se ka marrë mbështetje si nga Stefan Fyle edhe nga Goran Svilanovic, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, u është dërguar në formën e një dokumenti të shkruar të gjashtë vendeve tona në muajin prill. Projekti është diskutuar nga drejtorët politikë të ministrive të jashtme në muajin qershor në Budva. Mali i Zi ka njoftuar se projekti do të diskutohet sërish sot (e enjte) në Nju Jork mes gjashtë ministrave të jashtëm që ndodhen në punimet e Asmblesë së OKB. Gazeta ‘Zëri’ e Prishtinës boton në numrin e sotëm edhe dokumentin e plotë të projektit.

Megjithëse nuk thuhet aspak qartë në njoftimin e MPJ të Shqipërsië, kuptohet se projekti ëhstë diskutuar në takimin mes Ditmir Bushatit dhe Igor Lukshiçit në Nju Jork, në mos tjetër edhe për faktin se ministri ynë i ri e ka nisur detyrën disa muaj pasi Ministria jonë e Jashtme ka marrë për herë të parë të shkruar dokumentin e planit malazez.

Mbetet për t’u parë cili do të jetë fati i kësaj nisme ambicioze, duke njohur emocionet e hidhura dhe skepticizmin ndaj njëri-tjetrit të popujve ballkanikë. Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që hidhet ideja e një bashkëpunimi më ë ngushtë mes vendeve të rajonit që kanë mbetur jashtë BE-së, madje edhe ish-kryeministri shqiptar Fatos Nano ka hedhur dikur në treg një ide të ngjashme për një ‘Shengen’ ballkanik.

Mbetet e diskutueshme masa e transaprencës që duhet të shoqërojë takime e diskutime të tilla për çështje kaq sensitive për opinionin public në Shqipëri.


Ditmir bushati
(Ne foto: Takimi dje në Nju Jork i ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati dhe homologut të tij malazez, Igor Lukshiç)

Shkrimi u publikua sot (26.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)