TIRANE - Ambasadori italian Massimo Gaiani vizitoi sot Televizionin A1 Report dhe të përditshmen Shqiptarja.com print dhe online. Pas një vizite të shkurtër në mjediset e grupit mediatik Free and Fair Media Group Ambasadori italian ndau dhe një bisedë të shkurtër në studion e lajmeve të A1 Report.

Marrëdhëniet ekonomike dhe sidomos nxitja e investimeve italiane ishte një nga temat e trajtuara.

“Ka mjaft interes në Itali për të investuar në Shqipëri. Por të gjithë operatorët ndjejnë domosdoshmërinë e rregullave, e respektimit të pagesave, të funksionimit të plotë të drejtësisë, nënvizoi ambasadori italian. Duke vijuar se “Shqipëria mund të përmbushë nevojën e Italisë për punëtorë të kualifikuar dhe me kosto të ulët”.

I pyetur nga gazetari Edvin Parruca lidhur me tonet nacionaliste të disa politikave në vendin tonë, përfshi dhe Kryeministrin Berisha, Gaiani u përgjigj: “Ne, sikurse dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, jemi tejet të shqetësuar për ashpërsimin e toneve. Që në fillim kemi vënë theksin në faktin se duhet të dallojmë patriotizmin, i cili sigurisht përbën një faktor pozitiv, nga nacionalizmi, që mund të mbartë ndikime dhe pasoja negative”.

Gjate bisedës u vu re një simpati e ambasadorit për temperamentin e shoqërisë shqiptare. Ai tha se shqiptaret kanë treguar se janë një komunitet që ka ditur të kapërcejë e të shkojë përtej paragjykimeve negative, duke ju referuar ngjarjeve te 90 dhe emigrimin masiv të shumë shqiptarëve në Itali.

“Unë besoj se këto momente tashmë janë kapërcyer e në Itali ekziston një ndjenjë respekti e vlerësimi ndaj komunitetit shqiptar dhe rolit të tij, nënvizoi Gaiani.


INTERVISTA E PLOTE E AMBASADORIT GAIANI NE TV A1REPORT


Shkëlqesia Juaj, Ambasador Gaiani, është një kënaqësi t’Ju kemi këtu.
Kënaqësia është e imja. Ju faleminderit për ftesën e shumë urime për Vitin e Ri.

Ju faleminderit. Zoti Ambasador, Italia ka qenë aleati më i ngushtë i Shqipërisë në gjithë këto vite tranzicioni. Si janë tashmë marrëdhëniet mes dy Vendeve tona. Me kapërcimin e emergjencës së emigracionit, Italia ndihet ende e kërcënuar nga brigjet shqiptare përsa i përket krimit të organizuar?

Besoj se marrëdhëniet janë të shkëlqyera në të gjitha këndvështrimet. Shqipëria dhe Italia janë partnerë të natyrshëm dhe janë të shumtë faktorët që i japin shpjegim kësaj marrëdhënieje të shkëlqyer. Para së gjithash, një afërsi politike që, ndër të tjera, sanksionohet dhe nga një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi, ndaj janë të natyrshme e mëse të dukshme shkëmbimet e vizitave si dhe afërsia mes dy Vendeve dhe institucioneve përkatëse. Por ekzistojnë dhe të tjerë faktorë që janë shumë të qenësishëm e që kanë të bëjnë me rëndësinë e shkëmbimeve mes dy Vendeve të cilët janë drejtpërdrejt të lidhur nga pikëpamja ekonomike. Unë do të shtoja një faktor të tretë, që është shumë i rëndësishëm, sikundër prania në Itali e komunitetit më të madh shqiptar jashtë vendit, një komunitet që jep një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin e Vendit tonë dhe që është mjaft i vlerësuar. Është një komunitet që ka ditur të kapërcejë e të shkojë përtej paragjykimeve negative që lindën në momentin në të cilin shumë shqiptarë, me rënien e regjimit komunist, plot shpresë, iu drejtuan Italisë duke krijuar fillimisht disa probleme për ne. Të gjithë kujtojmë anijet e tejmbushura me njerëz. Në këtë faktor paragjykimi negativ një rol ka luajtur dhe prania mëse aktive e krimit të organizuar. Unë besoj se këto momente tashmë janë kapërcyer e në Itali ekziston një ndjenjë respekti e vlerësimi ndaj komunitetit shqiptar dhe rolit të tij. Por kjo nuk do të thotë që duhet të ulim vigjilencën ndaj krimit të organizuar i cili është mëse aktiv e ndër të tjera ngushtësisht i lidhur me organizatat kriminale italiane të cilat sigurisht nuk veprojnë vetëm e përbëjnë një bashkim tejet të rrezikshëm. Duhet të pohoj se jemi të kënaqur për nivelin e bashkëpunimit që ekziston me institucionet dhe organet shqiptare të policisë, në një luftë të ashpër dhe efikase. Sigurisht kjo nuk duhet të na bëjë të ulim nivelin e angazhimeve tona pasi rreziku ekziston gjithmonë. Gjithsesi, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, besoj se ky moment është kapërcyer dhe mbizotërojnë aspektet pozitive.

Në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë këtu janë formuluar deklarata të cilat janë konsideruar se mbartin nota tejet nacionaliste, si nga përfaqësuesit e Vendeve fqinje ashtu edhe nga zëdhënësit e institucioneve evropiane. Cili është qëndrimi i Italisë lidhur me këtë çështje?
Ne, sikurse dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, jemi tejet të shqetësuar për ashpërsimin e toneve. Që në fillim kemi vënë theksin në faktin se duhet të dallojmë patriotizmin, i cili sigurisht përbën një faktor pozitiv, nga nacionalizmi, që mund të mbartë ndikime dhe pasoja negative. Gjithnjë e kemi vlerësuar mjaft rolin që Shqipëria ka luajtur si element moderator për ndikimin pozitiv që ka ushtruar ndaj komuniteteve shqiptare në Vendet fqinjë e urojmë, dhe dua të jem mëse i qartë në këtë pikë, që ky efekt moderator të vijojë e të mos shkohet drejt një tjetër udhe. Do të doja të saktësoja gjithashtu se, as që mund të mendohet të flitet për ndryshimin e kufijve, që për mendimin tonë, janë të paprekshëm. Jemi dakord me autoritetet shqiptare teksa shprehen se zgjidhja e problemit do të gjendet në rrugëtimin e përbashkët drejt integrimit evropian e sigurisht kjo përbën udhën që duhet të ndërmerret e të përshkohet.

Kemi mbërritur në pyetjen tjetër. Tashmë, edhe këtë herë, ne dështuam në përftimin e statusit të vendit kandidat për shkak të mos votimit të tre ligjeve apo akteve normative. Cili është mendimi Juaj?
unë nuk do të përdorja shprehjen “dështuar”. Rrugëtimi drejt integrimit evropian është një proces i gjatë dhe i vështirë e përbëhet nga disa faza. Besoj se duhen parë dhe aspektet pozitive që janë arritur deri tani. Sigurisht, raporti i Komisionit në një farë mënyre e ka pezulluar këtë rrugëtim, por nuk do të thoja se ka pasur një refuzim. Bëhet fjalë për një pezullim në pritje të përmbushjes së disa pikave nga pala shqiptare. Atëherë, ky raport përmbante një sërë formulimesh pozitive në të cilat vihej në pah ajo çka ishte arritur nga Shqipëria dhe është shumë ajo çka është realizuar, ndaj besoj se kjo duhet marrë parasysh e duhet trajtuar në aspektin pozitiv. Më tej kërkohej përmbushja e disa çështjeve të tjera dhe me të vërtetë është për të ardhur keq që nuk u arrit. E kam shprehur dhe më parë e, përfitoj nga rasti që me anë të kësaj interviste, t’u bëj thirrje të gjitha forcave politike të angazhohen në këtë rrugëtim të rëndësishëm evropian. Të gjithë në Shqipëri shprehen se kjo përbën përparësinë absolute, ndaj duhet të jemi koherentë e duhet vepruar në këtë drejtim. Pra, e përsëris, duhen përfunduar dhe duhen miratuar këto 3 akte, por më pas duhen ndërmarrë një sërë masash të rëndësishme të cilat do ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj, e që mbartin vlera e rëndësi për vetë vendin, pasi nuk përbëjnë thjesht një qëllim në vetvete e shërbejnë vetëm për integrimin evropian, por janë diçka e dobishme për Shqipërinë. Shteti i së drejtës ndikon në integrimin në Evropë por njëkohësisht nxit edhe investimet e huaja. Është e qarte se nëse nuk respektohet shteti i së drejtës, nëse nuk respektohen rregullat, nëse klima e biznesit nuk është e përshtatshme, siç parashikojnë edhe kërkesat e Bashkimit Evropian, nuk mund të ketë zhvillim dhe nuk mund të rritet niveli i investimeve të huaja. Mesazhi im, jo vetëm për politikën por për gjithë shoqërinë civile, është për një angazhim të plotë drejt rrugëtimit të vetëm për Shqipërinë, që do t’i lejonte Shqipërisë të hynte, edhe nga ana formale, në hapësirën së cilës i përket. Sepse unë e konsideroj Shqipërinë plotësisht evropiane.

Përmendëm komunitetin shqiptar në Itali. Flasim tani për ekonominë dhe për sipërmarrësit italianë në Shqipëri, që lidhin ekonomikisht dy Vendet, dhe shpresoj në të ardhmen të ketë edhe një komunitet sipërmarrësish shqiptarë në Itali. Si è përjetojnë sipërmarrësit italianë këtë periudhë të vështirë ekonomike në të dyja Vendet? Ndihen të mbrojtur, të sigurt? Ka ndryshuar gjë në këto 20 vjet?
Gjendja është përmirësuar shumë. Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht dhe kjo vërehet thjesht duke bërë një shëtitje në qytet. Të gjithë shtetasit që vijnë nga Italia mbeten pozitivisht të befasuar nga Shqipëria. Gjejnë diçka shumë më të mirë nga ajo që prisnin, nga përfytyrimi që kishin.

Kjo pra ndryshon. Kanë pritshmëri shumë të ulta.

Pritshmëritë nuk janë po aq pozitive sa realiteti. Ka mjaft interes në Itali për të investuar në Shqipëri. Por të gjithë operatorët ndjejnë domosdoshmërinë e rregullave, e respektimit të pagesave, të funksionimit të plotë të drejtësisë. Me një klimë të favorshme biznesi, që kërkon edhe një mjedis industrial të përshtatshëm, pra furnizim të rregullt me energji elektrike, një rrjet shitjesh si dhe elementë të tjerë, mendoj se mund të përmbyset gjendja dhe mund të shfrytëzohet kriza. Krizat e thella ekonomike, si ajo që po përjetojmë, ofrojnë edhe mundësi të tjera sepse ekonomia rrezikon të ndalet. Shqipëria mund të përmbushë nevojën e Italisë për punëtorë të kualifikuar dhe me kosto të ulët, në një mjedis shumë të ngjashëm me realitetin italian dhe në një vend ku flitet gjerësisht gjuha italiane. 50% e shqiptarëve flasin italisht. Është një fenomen shumë i rëndësishëm që Shqipëria mund të shfrytëzojë, së bashku me faktorët e tjerë që lidhin dy Vendet tona. Ka shumë mundësi zhvillimi. Shumë sipërmarrës që i drejtohen tregut të Kinës dhe Lindjes së Largët mund të jenë të interesuar për tregun shqiptar. I takon Shqipërisë të përthithë këtë interes, duke siguruar kushtet e domosdoshme.

Ambasador, pas pak muajsh do të ketë zgjedhje, më parë në Itali dhe më pas në Shqipëri. Mendoni se rezultati i zgjedhjeve, në të dyja Vendet, do të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë? Nëse përgjigjja diplomatike do të ishte jo, çfarë do t’i uronit shqiptarëve?
Përtej diplomacisë, mund ta them me bindje të plotë se përgjigja është jo. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, vlerat që na bashkojnë do të mbeten të vlefshme sepse shkojnë përtej përkatësive politike. Në rrjedhën e historisë kemi parë se këto marrëdhënie kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera, pavarësisht qeverive përkatëse. Gjej rastin, duke marrë shkas nga pyetja juaj mbi zgjedhjet, t’i uroj Shqipërisë zhvillim sa më pozitiv të procesit zgjedhor, që përfaqëson një moment të rëndësishëm demokracie, duke shpresuar që çdo gjë të shkojë mbarë, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Si dhe shpresoj të zbatohen plotësisht rregullat e përcaktuara në mënyrë konsensuale mes partive kryesore, që Komisioni Zgjedhor të ketë mundësinë t’i zbatojë këto rregulla konsensuale, duke e bërë rezultatin të pranueshëm për popullin, në mënyrë që ditën pas zgjedhjeve apo disa ditë më pas, qeveria të jetë në gjendje të punojë dhe të shfrytëzojë këtë mundësi të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Evropian. Pra duhet të punohet pa humbur kohë. Ju përcjell pra urimin tim me bindjen se marrëdhëniet tona do të jenë gjithmonë të shkëlqyera.

Faleminderit. Po në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve në Itali?
Është e vështirë. Është një garë e ndezur dhe shume interesante. Ka subjekte të reja dhe do të shohim se si do te jetë rezultati. Edhe në këtë rast urojmë të ketë një pjesëmarrje sa më të madhe të votuesve pasi rreziku i abstenimit është gjithmonë i pranishëm.

Shkëlqesi, ju falenderoj për këtë intervistë në A1Report.

Ju falenderoj edhe unë dhe përshëndes teleshikuesit.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)