TIRANE – Nga 13 mijë zyrtar 85 përqind e tyre nuk janë kontrolluar nga inspektorati i lartë i deklarimit të pasurisë. Këtë shifër e ka publikuar kreu I ILDKPKI zoti Shkëlqim Ganaj gjatë prezantimit të raportit vjetor për 2014 . Ganaj ka ngritur shqetësimin se në 10 vjet nuk është kryer asnjë dënim e për këtë ka kërkuar ndihmën e kuvendit të ndërhyj në ligj duke hequr gjobën dhe vendosjen e dënimit dysheme me 1 vit . 

Kreu ILDKPKI ka pasur hedhur akuza në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme duke u shprehur se ndër vite ka vepruar me standarde të dyfishta duke shpjeguar se zyrtarë të Tiranës janë favorizuar ndërsa ato të rretheve janë parë me një sy tjetër.

Por komisioni ligjeve është përfshirë nga debatet mes anëtarëve të djathtë e të majtë dhe vetë kreut të Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive mbi punën e këtij institucioni. Opozita ka hedhur akuza se ky institucion është selektiv duke marrë rastin e deputetit Ridvan Bode i paditur për fshehje pasurie . 

Ndërsa mazhoranca ka vlerësuar punën e kreut të ILKDP duke sjellë edhe një shembull se si është parandaluar rikandidimi I kryetarit të bashkisë Gramsh Dritan Bici i cili është denoncuar nga Ganaj bashkë me gjyqtarin e Elbasanit Qamil Hasa si raste që kanë tentuar të korruptojnë inspektorët për të fshehur pasurinë. 

Në raportin për vitin 2014 bilanci tregon se në vitin 2013 kur ILDKPKI drejtohej nga Zana Xhuka nuk është bërë asnjë kontroll i vetëm për pasurinë e zyrtareve. Numri I kallëzimeve penale për 2014 janë 114 ndërsa nga viti 2003 – 2014 janë depozituar në mënyre cumulative rreth 57 kallëzime penale, ndërsa masa administrative për 2014 janë dhënë 474 .