Tiranë- Gjatë dy ditëve të fundit, që ishte dhe afati për ankimimin e pikëzimit për garën për Shef Komisariati, 9 prej kandidatëve kanë bërë ankimim pranë Policisë së Shtetit.
Ata kanë ankimuar renditjen e tyre të bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve, të cilët i kanë renditur me më pak se 70 pikë, duke i lënë kështu jashtë garës për shef komisariati (48 Komisariate).
Gazetari i Report TV, Sokol Dema, informon se ankimimet e bëra do të shqyrtohen nga Komisioni gjatë ditës së hënë dhe të martë (16-17 Dhjetor), ndërsa të mërkurën pritet të listohen drejtuesit e rinj në 48 Komisariatet e vendit.
Në garë morën pjesë 291 aplikantë, një pjesë e të cilëve u skualifikuan apo tërhoqën dhe në fund konkurruan vetëm 250 prej tyre. Nga ky numër vetëm 102 kandidatë morën 70 pikë dhe sipër, teksa emërimet e 48 prej fituesve janë kompetencë e kryepolicit Ilir Proda.
Komisioni e shpalli listën përfundimtare më 11 Dhjetor, teksa tani ka nisur faza e dorëzimit dhe e shqyrtimit të ankimimeve.