Gara për teatrin, Çuli: Ekspertizë
abuzimeve me  rrogat dhe aktorët

Gara për teatrin, Çuli: Ekspertizë<br />abuzimeve me  rrogat dhe aktorët
TIRANE- Pas prezantimit të platformave të 3 kandidatëve për drejtimin e Teatrit Kombëtar, ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro propozon Hervin Çulin. Në lajmërimin zyrtar që u bë dje nga Ministria e Kulturës shkruhet se: Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 ”Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Kulturës shpalli konkursin për pozicionin Drejtor i Teatrit Kombëtar , i cili u hap me datën 5 -26 dhjetor pas një procedure, e cila kaloi ne procesin final tre kandidaturat e : Edmond Budinës, Hervin Çulit, Laert Vasilit.

Ky propozim vjen në përputhje procedurat e parashikuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të Drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”. Për sa më lart, Ministri i Kulturës propozon kandidaturën e Z. Hervin Çuli në detyrën e Drejtorit të Teatrit Kombëtar, i cili përmbush krahas kërkesave të përgjithshme për t’u punësuar në shërbimin civil, sipas Nenit 12, të Ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil” edhe kërkesat e veçanta, të shpallura në media dhe web-in e Ministrisë së Kulturës.

Z. Çuli është përzgjedhur sipas një procedure ku ka paraqitur një platformë për drejtimin e këtij institucioni, e cila vlen në përpushje me politikat e Ministrisë së Kulturës. Ky propozim vjen në përputhje me objektivat artistike, kulturore dhe administrative të kërkuara për këtë pozicion. Gazeta “Shqiptaraj.com” ka botuar dje një përmbledhje të platformave konkurruese mes tre kandidatëve, ku me tyre u vu re një ekspertizë e hollësishme për mënyrën si është drejtuar Teatri Kombëtar deri më sot.

ÇULI: GRIMIN NË TEATRIN KOMBËTAR E BËN ELEKTRICISTJA
Në platformën e kandidatit për drejtor të Teatrit Kombëtar, Hervin Çulit përmenden edhe një sërë abuzimesh me rrogat në këtë institucion nga drejtuesit e mëparshëm. Kështu Çuli është prezantuar me një platformë që premton një përmbysje nga rrënjët të administratës.

“Një prej sektorëve me problematiken me të madhe në TK është administrata.” , shkruan Çuli duke theksuar se drejtuesit e teatrit kanë qenë gjithmonë të fokusuar tek problemet me aktorët dhe këtë segment te institucionit e kanë konsideruar si një xhep pa ndonjë rëndësi të veçantë. “Shporta e qokave në administratë ka marrë përmasa të paimagjinueshme.

Në TK kemi shpikje të vendeve të punës, mbingarkesë me njerëz në departamente që nuk funksionojnë fare, shkollime që nuk korrespondojnë aspak me vendin e punës”, shkruan Çuli duke argumentuar me detaje se: në TK sektori i marketingut përbëhet nga katër (4) punonjës: një shefe sektori (68 mijë lekë të reja paga) dhe tre specialistë të fushës.

Katër punonjës marketingu për një sektor që nuk ka asnjë strategji marketingu!!! Në dijeninë time asnjë nga katër punonjësit nuk ka shkollimin që i përshtatet vendit të punës, ndonëse emërtimi i tyre është “specialist i fushës”! Njëra nga specialistet e fushës së marketingut është juristja e TK-se (vendi juristit është shkurtuar ne institucionet publike), që për t’i justifikuar rrogën drejtori e ka emëruar specialiste marketingu.

Si “specialist i marketingut” është i emëruar dhe regjisori i Henrit VI (A.F), mik i drejtorit. Po kështu në Departamentin Ekonomik, jo vetëm që kemi tre punonjëse nga të cilat dy janë shefe (Drejtoresha Ekonomike dhe Shefja e sektorit të financës), por kemi të emëruara(për efekte rroge) dhe dy pastrueset e TK-se me statusin “punonjës të mirëmbajtjes”! Gjithë jetën time kam menduar se pastrueset i përkasin prapavijës se teatrit dhe jo administratës, por me sa duket -“sa te rrosh do mësosh”-thotë populli. Ne dijeninë time asnjë vend në administratën e TK-së nuk i është nënshtruar konkurrimit, por është përzgjedhur sepse ashtu ka dashur drejtori.”

Hervin Çuli përshkruan në platformën e tij edhe disa dukuri skandaloze, si më poshtë: 
Po të njëjtat probleme kemi dhe me stafin teknik të TK-se. Ja një rast për librin Gines: zjarrfikësja e teatrit është emëruar si trukatore, pra grimin në TEATRIN KOMBETAR tani (për efekte rroge) e bën elektricistja e teatrit!!! Robaqepsia është një rast tjetër i çuditshëm në TK... Ky sektor duhet parë me vëmendje; ose duhet mbyllur dhe kostumografia t’i besohet servisit privat ose duhet zgjeruar. Ne TK aktualisht janë të punësuara dy garderobiere.

Gardëroba në TK ka të gjitha mundësitë të përballohet nga një punonjëse e vetme. Në rast ngarkese, për premiera të mëdha, mund të merret një ndihmese me honorar.

Po e njëjta praktikë duhet zbatuar dhe për rekuizitën, ku po ashtu kemi dy punonjëse. Ndërkohë në TK kemi një drejtor prodhimi (që mbulon gjithë teknikën), një shef skene dhe një inspektor skene!

A thua se në TK po bëhet nami me shfaqje! Duke pasur parasysh që skema e rekrutimit të administratës dhe stafit teknik duhet të jetë sa me profesionale dhe efikase, rinovimi i të dy sektorëve është një domosdoshmëri për TK-në.”. Duke parë këtë analizë të imtësishme duket se Çuli ka sfiduar me platformën e tij duke e paraqitur në dy boshte: Boshti i parë ka të bëjë me analizën e së kaluarës, ndërsa i dyti me mënyrën si do ta drejtonte ai Teatrin Kombëtar.  

Shkrimi u publikua sot (18.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane