Gati për protesta, Basha-Berisha
alarm nga hapja e negociatave

Gati për protesta, Basha-Berisha<br />alarm nga hapja e negociatave
Lajmi se, kancelarja gjermane Angela Merkel mund t’i japë kryeministrit Edi Rama, më 28 Nëntor në Berlin, lajmin e rëndësishëm për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ka trazuar dhe alarmuar opozitën shqiptare.

Çelja e negociatave për anëtarësim hedh në erë investimin dyvjeçar të opozitës kundër miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, zeron retorikën për kultivimin e kanabisit si dhe rrëzon akuzat në adresë të qeverisë.

Nga ana tjetër, çelja e negociatave përkthehet në një vlerësim për reformat koalicionit PS-LSI, në funksion të plotësimit të 5 prioriteteve. Pra, një vendim pozitiv i Brukselin duket se konsiderohet nga opozita si një zhvillim në disfavor të llogarive të saj politike.

Lëvizja e PD
Në këtë kuadër, në një kohë kur edhe kryeministri Rama e konfirmoi vizitën më 28 Nëntor në Berlin, ku pritet të takohet me Angela Merkel, kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, kanë nisur lëvizjet, për të rritur skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE, të cilat mund të mundësojnë shtyrjen e çeljes së negociatave ose çeljen e negociatave me kushte.

Sipas burimeve, të besuarit e Bashës në krye të degëve të Partisë Demokratike, kanë marrë dje një urdhër verbal për mobilizimin e bazës, në kuadër të planit për organizimin e protestave popullore kundër qeverisë.

Nuk është caktuar një datë për nisjen e aksionit të ri, por drejtuesit në nivel lokal të Partisë Demokratike janë urdhëruar që të nisin me urgjencë mobilizimin e strukturave dhe të bazës së partisë. Në funksion të këtij skenari, në bazën e PD, pritet të zbarkojnë edhe deputetët dhe koordinatorët e Partisë Demokratike.

Miratimi nga baza
Lajmi për mundësinë e çeljes së negociatave do të ndryshojë edhe objektin dhe misionin e turit të kryetarit të PD, Lulzim Basha, nëpër rrethe. Gjatë takimeve në vijim, kryetari Basha dhe rrethi i tij, do të fokusohen në marrjen e miratimin e qytetarëve të pakënaqur, por sidomos anëtarëve të PD, për zhvillimin e protestave kundër qeverisë “Rama”, të cilat me shumë gjasa mund të zhvillohen para takimit të kryeministrit Edi Rama me kancelaren Angela Merkel.

Pro zhvillimit të protestave janë një grup deputetësh, të cilët i përkasin linjës radikale, duke nisur që nga Sali Berisha, Kastriot Islami, Edi Paloka, Jozefina Topalli, Genc Strazimiri etj. Madje, në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar demokrat, deputeti Kastriot Islami, tha se opozita nuk ka pse të presë, por duhet të nisë protestat menjëherë, me pretendimin se mazhoranca po përgatit vjedhjen e zgjedhjeve.

Koordinimi me aleatët
Gjatë ditëve në vijim, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pritet të zhvillojë një takim me aleatët e Partisë Demokratike, për të diskutuar pikërisht për organizimin e protestave. Gjithashtu, pritet edhe një mbledhje e Kryesisë së Partisë Demokratike.

Protestat do të kamuflohen me kërkesën për zhbllokimin e Reformës Zgjedhore, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë ditëve të fundit, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2017 pa largimin e kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm. Sipas Bashës, zgjedhjet do të deformohen me paratë e drogës dhe përdorimin e trafikantëve në zgjedhje.

Por, pavarësisht retorikës, kryefjala e fshehur e protestave që mund të organizojë opozita, në ditët dhe javët në vijim, është shpresa për shtyrjen e çeljes së negociatave për integrim.

Mundësia e bojkotit
Në kampin e opozitës po diskutohet edhe mundësia e bojkotit të Kuvendit, jo vetëm në kuadër të vendimit të Brukselit për çeljen ose jo të negociatave për integrimin e Shqipërisë, por edhe të krijimit të një klime tensionuese politike para zgjedhjeve të 2017.

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, kryetari i PD, Lulzim Basha, u komunikoi deputetëve vendimin për të mos votuar asnjë projektligj të mazhorancës, as në komisionet parlamentare dhe as në seancat plenare.

Sinjali i Spahos
Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, ka paralajmëruar dje mundësinë e protestave dhe të bojkotit të Kuvendit, me qëllim, sipas tij, për largimin e kryeministrit Rama.
 
Mobilizimi
Nuk është caktuar një datë për nisjen e protestave, por drejtuesit në nivel lokal të Partisë Demokratike janë urdhëruar që të nisin me urgjencë mobilizimin e strukturave dhe të bazës së partisë.
 
 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin