Gati pr/ligji, Inteligjenca Artificiale do përdoret për tenderat! Spiropali: Ul korrupsionin! APP: ‘Dosje virtuale’ për çdo kompani që garon

Inteligjenca Artificiale do të përdoret edhe për realizimin e tenderave. Digjitalizimi i sistemit të prokurimeve publike është një nga synimet kryesore të projektligjit ‘Për prokurimin publik’, që u diskutua këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë. Sipas relacionit përllogaritja e fondit limit për tenderat dhe vlerësimi i ofertave pjesëmarrëse në garat që hapen do të bëhet në mënyrë elektronike.

 “Rritet transparenca dhe eficenca në procedurat e prokurimit. Projektligji synon përdorimin e digjitalizimit dhe zhvillimit teknologjik në disa elementë të procesit. Përllogaritja e fondit limit, vlerësimi i ofertave, apo studimi i tregut. Prezanton për herë të parë përdorimin e inteligjencës artificiale dhe proceseve të robotizuara në sistemin dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik. Dokumentet do të gjenerohen automatikisht ndërmjet komunikimit të institucioneve”, u shpreh Ministrja Elisa Spiropali.

Digjitalizimi i sistemit, do t’i japë mundësi Agjencisë së Prokurimit Publik, që të hetojë edhe të dhënat e kompanive pjesëmarrëse, me synim që në gara të mos marrin pjesë kompani fiktive. Po ashtu synohet edhe ngritja e ‘Dosjes Virtuale’ të kompanive, mbi bazën e të dhënave të të cilës do të vendoset fati në tender.

“A kemi bërë një rregullim që i jep fund pjesëmarrjes së kompanive në tendera me 1 ose 2 punëtor, dhe që janë gjobëvënës sepse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë punë. Por ndodh që fitojnë edhe gara?”, u shpreh deputeti Erion Braçe.

“Do formalizohen dhe kontrollohen edhe të dhënat e operatorëve ekonomik në të gjitha fazat, që të shmangen kompanitë fiktive. Do marrim të dhëna nga shumë institucione që të jetë garë reale. Dosja virtuale do të ketë të gjitha dokumentet që vijnë nga sistemet e tjera, QKB, tatime etj, ngarkohen edhe dokumentet e subjektit privat, shërben si portofol. Dhe dokumentet aty nuk mund të manipulohen”, u shpreh drejtuesja e APP, Reida Kashta.

Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve Publike Reida Kashta sqaroi se pjesëmarrja në tendera do të jetë me pagesë.

“Pagesa do vendoset kur sistemi i ri do të jetë në funksion. Kemi bërë një studim të kostove paraprake dhe ekzaktet dalin pasi të futet në fuqi sistemi. Pagesa do të aplikohet vetëm për të ofertuar në një garë të caktuar”, tha Kashta.

Në mënyrë elektronike pas hyrjes në fuqi të ligjit do të bëhen edhe ankesat.

“Sistemi elektronik i shqyrtimit të ankesave është ngritur, por tani është vullnetar sepse ankesat bëhen edhe me shkresa. Me hyrjen në fuqi të ligjit do të bëhen vetëm online ankesat dhe kjo do të na ndihmojë të ndjekim më tej ecurinë e ankesës”, tha APP.

Ndryshe nga sa është në ligjin aktual, me ndryshimet e reja që përafrohen edhe me direktivat e BE-së shtohen masat për konfliktin e interesit edhe nëse kontrata ka nisur zbatimin.

“Ligji i ri shikon edhe konceptin e konfliktit të interesit, duke parashikuar marrjen e masave edhe gjatë zbatimit të kontratës, deri tani nuk ka qenë në ligj. Kur nuk deklarohen pronarët përfitues s’kualifikohet”, tha Spiropali.

Në projektligj specifikohen edhe rastet kur kompanitë s’kualifikohen nga gara, ku një prej tyre është kur nuk deklarojnë pronarët e tyre përfitues, siç parashikohet në legjislacionin tonë.

“Nëse janë të regjistruar në vende offshore dhe nuk e kanë detyrim deklarimin e pronarëve përfitues, ne nuk mund ti s’kualifikojmë. Ne s’kualifikojmë vetëm operatorët që nuk deklarojnë pronarët sipas legjislacionit tonë”, tha Kashta.

Ndërkohë për të gjitha ofertat që janë 25% më të lira se fondi limit i përcaktuar, nëse nuk ka një argumentim bindës se si mund të ofrohet shërbimi i kërkuar me kaq pak fonde, oferta s’kualifikohet.

“Ofertat që janë më shumë se 25% të ulta se fondi limit, oferta konsiderohet anomalisht e ulët dhe nëse nuk argumentohet nga operatori, ndryshe ajo s’kualifikohet”, tha drejtorja e APP-së.

Po ashtu në projektligj është përfshirë edhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, e cila do të bëjë procedurat tenderuese për institucionet qendrore.

“Të ngrihet një organ qendror blerës, ka më shumë efektivitet, dhe lehtëson autoritetet kontraktore, dhe blerjet i bën agjencia. Rritet eficenca dhe efikasiteti i një organi, dhe merr ekspertizë nga organizmat ndërkombëtar në zbatim, pra për të bërë punën në praktikë”, pohon drejtoresha e APP-së.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Porosiste online telefona, kur vinin pakot pranë banesës kërcënonte me thikë dorëzuesin dhe nuk paguante paratë! Arrestohet 32-vjeçari, kishte masë 'arrest shtëpie'

Tiranë/ Porosiste online telefona, kur vinin pakot pranë banesës kërcënonte me thikë dorëzuesin dhe nuk paguante paratë! Arrestohet 32-vjeçari, kishte masë 'arrest shtëpie'