Fermerët pritet të kenë së shpejti një skemë sigurimesh për t'u mbrojtur nga dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se puna për ngritjen e skemës është drejt përfundimit dhe se ajo do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje për prodhuesit bujqësorë.

Sipas ministrit, nisma vjen pas shqetësimeve të ngritura nga fermerët gjatë takimeve të zhvilluara në të gjithë vendin për dëmet e shkaktuara nga ngricat, breshëri, përmbytjet dhe zjarret.

“Për të gjithë ju fermerë me të cilët jam takuar në të gjithë vendin dhe që më keni ngritur shqetësimet tuaja për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, sot kam një lajm të mirë. Jemi në përmbyllje të ndërtimit të një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe mbrojtjeje për fermerët shqiptarë”, u shpreh Salla.

Ministri tha se skema do të jetë e aksesueshme si për fermat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha, me synimin për t'u dhënë fermerëve më shumë siguri përballë dëmeve që mund të shkaktojnë fenomenet natyrore në prodhim dhe të ardhura.

Një nga elementët kryesorë të saj, sipas Sallës, do të jetë mbështetja nga Buxheti i Shtetit për një pjesë të primit të sigurimit, çka do të ulë kostot për fermerët dhe do ta bëjë skemën më të përballueshme.

“Fermeri nuk duhet të mbetet vetëm përballë një stuhie, një ngrice apo një zjarri që mund të dëmtojë punën e një viti të tërë”, deklaroi ministri.

“Me sigurimet në bujqësi, synojmë të krijojmë më shumë mbrojtje, më shumë siguri dhe më shumë qëndrueshmëri për fermerët, duke ndërtuar kështu një bujqësi shqiptare më të fortë dhe më të përgatitur për çdo sfidë”, shtoi ai.