DURRËS- Më 18 dhjetor, Altin Dumani mbyll ‘kapitullin’ në krye të Prokurorisë së Posaçme, për t’i lënë stafetën Klodian Brahos i cili u zgjodh kryeprokuror vetëm 1 ditë më parë me 7 votat e KLP-së. Në një bashkëbisedim me studentë në qytetin e Durrësit, kreu i SPAK tha se ishte një nder që e drejtoi këtë institucion në 3 vite të vrullshme dhe intensive.

“Jam prokuror si të gjithë prokurorët e tjerë, që mua dha mundësia në 2022 të drejtoj këtë institucion. Ka qenë nder për mua ta drejtoj në këto 3 vite të vrullshme, intensive, por unë të tillë e kam drejtuar karrierën time, jam në vitin e 26 si prokuror dhe një vit kam punuar dhe oficer i policisë gjyqësore”, tha Dumani.

Renditi sukseset e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

“SPAK është institucion i konsoliduar, ka maturinë e duhur. Prokurorët kanë integritetin e duhur, profesionalizmin e nevojshëm dhe këto janë garancitë që mua më bëjnë optimist për të ardhmen e institucionit dhe besoj se do jetë shumë  emirë.

Askush nuk është mbi ligjin, SPAK ka ngritur akuza për zyrtarë të nivelit të lartë, nga funksionarët më të lartë deri tek funksionarët te nivelit të mesëm dhe të ulët, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj kryebashkiakëve, prefektëve, gjyqtarëve, prokurorë, funksionarë të Policisë së Shtetit, sekretarë të përgjithshëm”, tha Dumani.

Edhe pse në ikje si kryeprokuror, Dumani ngre edhe njëherë zërin për mandatin 9-vjeçar të prokurorëve të posaçëm, për të cilët thotë se Shqipëria nuk e ka luksin t’i humbasë. Dumani kërkon ndryshime legjislative që atyre tu jepet mundësia e rikandidimit në përfundim të mandatit, duke theksuar se deri në vitin 2028 u mbaron mandati 12 prokurorëve të posaçëm dhe kjo do krijonte boshllëk në sistem.

“Në vitin 2028, mbaron mandati në të njëjtën kohë 8 ose 9 prokurorëve. Brenda 2026, i mbaron mandati dhe 4-5 të tjerëv3. Pra 11 apo 12 prokurë të posaçëm s’do jenë më pjesë e SPAK, do krijohet boshllëk shumë i madh. Për këta prokurorë është investuar shumë nga shteti shqiptar, partnerët ndërkombëtare, për ngritjen profesionale, por edhe në drejtim të integritetit të tyre. Largimi i tyre do sillte anomali. Nuk  e kemi luksin të largojmë prokurë që janë profesionistë me integritet dhe e kanë treguar me punë. Ne nuk kemi kërkuar rinovim automatik mandati, por mundësinë për të rikandiduar. Rikandimi është i hapur. Gjyqtarët e Posaçëm nuk kanë mandat”, theksoi Dumani.

Kreu i SPAK thotë se shpesh herë janë përballur me presion nga politika, por kjo nuk ndikon asesi në vendimmarrjet e tyre. Sipas tij, mbi 50% e çështjeve që kanë pasur në fokus zyrtarë të lartë janë mbyllur me vendime të formës së prerë.

“Presioni politik ndaj SPAK ka qenë publik, ka qenë i shpeshtë, por prokurorët e posaçëm kanë pjekurinë dhe integritetin e duhur për ti përballuar këto presione. Nuk na vjen mirë që ndeshmi para këtyre presioneve publike, politike, por është detyra jonë ti përballojmë dhe të mos ndikohemi në vendimmarrjen tonë nga presionet politike. SPAK ia ka rritur ti rezistojë presioneve politike dhe prokurorët kanë hetuar të pandikuar nga këto presione, por kanë patur si guidë ligjin dhe provat”, vijoi Dumani.

Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.