Sipas Gazetës spanjolle "El País", tre ditë para zbulimit të vatrës së infeksioneve në Codogno, në Itali Europa nënvlerësoi rrezikun pandemik
Sipas gazetës, më 18 shkurt, Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) filloi një samit dy-ditor në Suedi. Më pak se 72 orë më vonë, në sajë të intuitës së një anestezisti, u identifikua rasti i parë i koronavirusit në territorin italian, pikërisht në Codogno, nga ku infeksioni më vonë u përhap në të gjithë Italinë. Por anëtarët e Këshillit Konsultativ të ECDC, krerët evropianë të shëndetit publik, minimizuan dhe injoruan rreziqet e pandemisë që nuk do vononte dhe do mposhte BE dhe tërë botën, zbulon gazeta spanjolle El País e cila ka patur mundësinë të shikojë procesverbalin e dy ditëve të diskutimeve, ku Covid zë vetëm 20 nga 130 pikat e dokumentit përfundimtar të ECDC.
Në Europë, ndërkohë ishin diagnostikuar 45 raste të koronavirusit, të gjitha të importuara, si rasti i dy turistëve kinezë në Romë. Një turist kinez nga Wuhan vdiq në Paris. ECDC atë kohë e klasifikoi rrezikun për popullsinë si "të ulët" dhe rrezikun për sistemin shëndetësor si "të moderuar".
Në Samitin e Suedisë, vende si Austria dhe Sllovakia paralajmëruan rrezikun që po i kanosej Europës ndërsa delegati Spanjoll bëri thirrje që të mos "stigmatizohen" ata që i nënshtrohen testeve të tamponit. Vetëm përfaqësuesi gjerman shprehu dyshime për strategjinë e kontrollit të ndjekur deri atë kohë: "nuk funksionojnë sepse sëmundjet nuk respektojnë kufijtë". Ai propozoi të diskutohet çdo "rekomandim", por apeli i tij duket se ra në vesh të shurdhër.
Ato ditë, sipas gazetës spanjolle, u vendos të testoheshin vetëm ata që vinin nga Wuhan, epiqendra e epidemisë në Kinë, dmth që as pacientët me simptoma dhe as ata të shtruar në kujdesin intensiv me pneumoni me origjinë të panjohur nuk duhet të testoheshin.
Komente











