Gazetarët investigativë nga Shqipëria dhe Maqedonia po hetojnë së bashku për herë të parë krimin ndërkufitar dhe korrupsionin

Gazetarët investigativë nga Shqipëria dhe Maqedonia po hetojnë së bashku për herë të parë krimin ndërkufitar dhe korrupsionin

Ekipi i gazetarëve të IRL-së nga Maqedonia dhe SHTEG nga Shqipëria - të gjithë anëtarë të Projektit Ndërkombëtar të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), punuan më shumë se dhjetë muaj në hulumtimin e parë në kuadër të serisë së hulumtimeve kushtuar ndikimit të paligjshëm në rajon. Gazetarët mblodhën dhe analizuan mbi 3800 dokumente ndërsa rezultatet e hulumtimit treguan se si qeveritë e Maqedonisë dhe Shqipërisë, përmes marrëveshjeve të sponsorizuara nga shteti, u mundësonin njerëzve me ndikim të përfitonin në kurriz të qytetarëve të rëndomtë.

Hulumtimet do të publikohen më 9 tetor në ora 12:00 në  irl.mk/en/ (EN/MK) dhe www.shteg.org (AL).

IRL nga Maqedonia dhe SHTEG nga Shqipëria janë organizata mediatike jofitimprurëse, raportimi i të cilave fokusohet në korrupsion, krim dhe qeverisje të mirë. Organizatat u krijuan me mbështetjen e Projektit Ndërkombëtar të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

(OCCRP), organizatë kryesore mediatike hulumtuese në botë. Hulumtimet e gazetarëve tanë janë publikuar në mediat më të njohura në botë si The Guardian, BuzzFeed, Süddeutsche Zeitung, New York Times, ProPublica, Shërbimi Publik Suedez (SVT) dhe të tjera.

Ky është projekti i parë i raportimit ndërkufitar mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin midis dy vendeve.

1728467458_gazetar.jpg

Ekipi i gazetarëve të IRL dhe Shteg në terren në Shqipëri

Si vende fqinje, fatet e Shqipërisë dhe Maqedonisë janë gërshetuar prej shekujsh. Ato ishin edhe armiq edhe aleatë, pushtues dhe të pushtuar. Sot na lidhin shumë gjëra, por kërcënimi më i madh i përbashkët për jetën dhe jetesën e shqiptarëve dhe maqedonasve është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Prandaj, ekipi i IRL dhe SHTEG beson se nevojiten përpjekje ndërkufitare të qytetarëve nga të dyja vendet për të mposhtur armikun e përbashkët.

“Duam të tregojmë se si zhvillimi i vonuar ekonomik si rezultat i krimit, neglizhencës dhe korrupsionit ka një efekt shkatërrues për jetën e qytetarëve. Përmes një hulumtimi të tillë, i cili nuk mund të gjendet në mediat kryesore të të dyja vendeve, ne duam t’i inkurajojmë qytetarët që të luftojnë kundër armikut të përbashkët dhe progresit të vërtetë - korrupsionit”, thotë Sashka Cvetkovska, kryeredaktore e projektit dhe bashkëthemeluese e IRL-së.

Ajo tha se do të pasojë një punë e gjatë dhe tërheqëse ndërkufitare dhe deri në fund të vitit do të publikohet dokumentari i parë hulumtues ndërkufitar, i cili do të ketë shfaqjet e veta publike në Tiranë dhe Shkup.

“Për fat të keq, nuk gjetëm partnerë televizivë për shkak të raporteve specifike të mediave shqiptare dhe maqedonase me reklamuesit e tyre dhe me elitat politike dhe ekonomike”, thotë Cvetkovska duke shtuar se kjo nuk i shkurajon aspak.

“Projekti ofron një vlerë të shtuar duke angazhuar dhe ofruar aftësi dhe trajnime për integritetin e reporterëve lokalë dhe prodhuesve të videos. Ky veprim do të trajtojë për herë të parë mungesën e fuqisë punëtore si të reporterëve ashtu edhe të producentëve në zonat ku mediat lokale janë kryesisht fantazma të markave lokale ose stacione televizive lokale të financuara nga partitë pa raportime kritike dhe investigative”, tha Lindita Çela nga organizata Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri.

Projekti do të jetë i pari i raportimit hulumtues sistematik dhe afatgjatë në nivel vendor i bërë sipas standardeve më të larta profesionale dhe ndërkombëtare.

S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?