Gazetarët në veri të Kosovës nën rrezik të vazhdueshëm

Gazetarët në veri të Kosovës nën rrezik të vazhdueshëm

Pak minuta pasi përfundoi një raportim direkt nga Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, gazetari Gojart Jashari dëgjoi një shpërthim të fuqishëm vetëm pak metra larg.

“Isha i kthyer me shpinë nga vendi ku u gjuajt ai mjet që ende nuk dihet... nuk po konstatoj se çfarë ishte. Kameramani ishte i kthyer me fytyrë dhe më tha se gjuajtën diçka”, tregon Jashari për Radion Evropa e Lirë.

Ai dhe kolegu i tij kameraman, Rron Agolli, punojnë për Televizionin Tëvë1, në Prishtinë. Pasditen e 20 dhjetorit, ata po raportonin për gjendjen e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Nga data 10 dhjetor, grupe të serbëve lokalë i barrikaduan rrugët atje, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të një ish-polici serb. Policia e Kosovës arrestoi Dejan Pantiqin, nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Gjatë kësaj periudhe, përveç të tjerave, u regjistruan edhe së paku pesë incidente ndaj ekipeve të gazetarëve në veri - në mesin e tyre edhe sulme direkte. Jashari, nga Tëvë1, tregon se shpërthimi të martën ndodhi para syve të policisë. Interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, Policia e Kosovës iu përgjigj shkurtimisht, duke thënë se “është duke i hetuar dhe trajtuar këto raste”. Më 9 dhjetor, persona të maskuar sulmuan edhe veturën me të cilën po udhëtonin gazetarja e mediumit online, Kallxo.com, Shkodrane Dakaj, dhe producenti Valdet Salihu.

Vetëm një ditë pas këtij sulmi, një shpërthim ndodhi pranë gazetares Doruntina Bylykbashi të Radiotelevizionit Dukagjini. Ekipi i Televizionit Klan Kosova u sulmua me gurë nga disa persona në fshatin Çabër të Zubin Potokut, më 19 dhjetor. Po në këtë fshat, gazetarë të Televizionit T7 thanë se janë sulmuar me gurë, më 21 dhjetor.

Të gjitha këto media raportojnë në gjuhën shqipe. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u bëri thirrje “të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimit” dhe njëherësh “t’i ndjekin udhëzimet e zyrtarëve policorë që janë prezentë atje”. AGK-ja i bëri thirrje edhe Policisë së Kosovës që të garantojë siguri gjatë raportimit nga pjesa veriore.

Si po raportojnë gazetarët nga barrikadat?

Disa kilometra pa arritur në barrikadat që janë vendosur në drejtim të pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, zakonisht qëndron një patrullë policore. Policia shpesh i ndalon veturat që qarkullojnë në atë zonë dhe gazetarët i udhëzon për kujdes, duke ua bërë të ditur për mungesën e prezencës së policisë në afërsi të barrikadave.

Megjithatë, gazetarë të mediave në Kosovë, qoftë ata që raportojnë në gjuhën shqipe apo ata që raportojnë në serbisht, thonë se dëshirojnë ta paraqesin saktë situatën në terren, andaj u duhet të lëvizin edhe në afërsi të barrikadave apo në brendësi të tyre.

Adelina Ahmeti, e cila raporton për Kallxo.com, thotë se disa herë i ka kaluar barrikadat për të parë nga afër situatën. Ajo thotë se në disa raste i është dashur “të tërhiqet”, pasi persona të panjohur “ia kanë ndjekur lëvizjet”. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti tregon se në atë zonë shihen persona të maskuar që, siç thotë, vazhdimisht tentojnë t’i pengojnë gazetarët në punën e tyre. Ata po arrijnë ta bëjnë këtë, sepse askush nuk mund t’i identifikojë, thotë Ahmeti.

“...në momentin e parë që e vërejnë se po marrim pamje të asaj çfarë po shohim dhe të asaj çfarë po ndodh saktësisht, fillojnë problemet me ta. Problemi kryesor është identifikimi se ata qëndrojnë pas barrikadave”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Zorica Vorguçiq, e cila përcjell ngjarjet në veri për Televizionin lokal KIM, ka një përvojë të ngjashme. Ajo tregon se me një veturë me targa RKS, apo Republika e Kosovës, ka mbërritur me ekipin e saj në barrikadat në fshatin Rudarë, por thotë se i është dashur t’i heqë targat si “masë paraprake për sigurinë”.

Në pjesën veriore të Kosovës përdoren kryesisht targa që i lëshon Serbia, e të cilat Kosova i konsideron të paligjshme. Vorguçiq tregon se i ka rënë të depërtojë përtej kamionëve të parë, të vendosur si barrikadë. Gjendja andej thotë se është “e zymtë”.

“Ka edhe disa njerëz, fytyrat e të cilëve nuk mund t’i shihni. Kanë kapele dhe maska mbi fytyrat dhe hundët e tyre. Ua sheh vetëm sytë dhe janë disa, le të them, vështrime fajtore kur të shohin se je gazetar, sidomos nëse e kuptojnë se në cilën redaksi punon”, thotë Vorguçiq.

Në zonat ku gjenden barrikadat shpesh shihen vetura të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Radio Evropa e Lirë pyeti KFOR-in nëse është në mandatin e tij që t’u ofrojë gazetarëve mjedis të sigurt, kur raportojnë nga veriu i Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, Danijella Tomasheviq, nga Radio Kontakt Plus në Mitrovicën e Veriut, rrëfen një përvojë më ndryshe se kolegët e saj. Ajo thotë se nuk ka pasur asnjë problem për të raportuar nga barrikadat dhe se i mjafton që të prezantohet si gazetare. Por, shton ajo, vetë qytetarët që ndodhen në barrikada, nuk janë të gatshëm të flasin publikisht për arsyet e bllokimit të rrugëve.

“Unë e shoh si një lloj kujdesi, pasi, kohëve të fundit, është folur për të ashtuquajturat lista [me emra] dhe mendoj se kanë frikë nga ky proces”, thotë Tomasheviq.

Së voni, në mediat serbe u publikuan informacione se autoritetet e Kosovës kanë një listë me emra të personave nga veriu i Kosovës, të cilët do të arrestohen. Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i mohoi këto pretendime. Sipas gazetarëve të intervistuar nga REL-i, dezinformata ka shumë dhe ato kontribuojnë në rritjen e tensioneve në terren.

“Kemi kontrolluar dhjetëra lajme të rreme të publikuara nga mediat serbe, në disa raste edhe [mediat] në Kosovë, dhe kemi konstatuar se janë lajme të rreme”, thotë Ahmeti pa specifikuar më shumë.

Vorguçiq apelon te kolegët e saj që ta bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe të kontrollojnë çdo informacion që marrin, përpara se ta publikojnë.

“Detyra jonë është t’i kontrollojmë ato [informacione] dhe t’i informojmë njerëzit për situatën ashtu siç është. Fatkeqësisht, ka shumë media që raportojnë me tendenca”, thotë Vorguçiq, por nuk përmend shembuj.

Ditëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka mohuar disa informacione që kanë shpërndarë zyrtarë dhe media të ndryshme në Serbi. Pretendimet se Qeveria e Kosovës po përgatit dërgimin e forcave speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit, janë hedhur poshtë kategorikisht. Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin njoftimet e institucioneve të Kosovës dhe “të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale”. Se kur dhe si do të mund të hiqen barrikadat, nuk është e qartë.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i kanë kapacitetet e nevojshme për t’i hequr ato, por se janë duke i dhënë kohë KFOR-it që ta bëjë këtë në mënyrë paqësore. KFOR-i ka thënë se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës dhe se misioni ka aftësi dhe personel për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se barrikadat do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?