Kur kukullat të jetojnë në shpirt!  40 vjet në Teatër, Shegushe Bebeti ekspozon personazhet e përrallave: Në to arti i riciklimit!

Në galerinë "Zenit" pranë "Pallateve Agimi", Shegushe Bebeti ekspozon "Artin e riciklimit të sjellë në kukulla”. 

“40 vjet në Teatrin e Kukullave, kam parë personazhe, skenografi, objekte të realizuara. Dhe, detyrimisht ato do të ngelen në memorie, dhe kanë qenë edhe si nxitje për të realizuar të tjerat”, shprehet artistja Shegushe Bebeti.

4 dekada punë në Teatrin e Kukullave, u ka dhënë jetë personazheve më të dashur për fëmijët. Një çerek shekulli me "Pinokun", ka dhuruar ëndrra me "Bardhoshen", "Kokë arrën" e dhjetëra role të tjera.

“Që të mësosh dhe të perfeksionosh këtë profesion do shumë dashuri e përkushtim”, thotë më tej.

Vitet e fundit ka përcjellë emocione, edhe si regjisore, ku nisi të realizojë vetë edhe disa prej personazheve, që siç duket edhe në këtë qoshk ekspoziture, i rrok në shpirtin e saj si artiste.

“Vitet e fundit në produksionet e mia, kukullat i kam bërë vetë”, shprehet Bebeti.

Të tillë janë edhe personazhet e "Lules së Idës së vogël" që i sjell për publikun në këtë ngjarje. Rrëfen se ato janë kukulla profesionale që kanë parë dritën e skenës.

“ ‘Lulet e Idës së Vogël’, janë kukulla profesionale. Janë këtu, pasi kanë lidhje me riciklimin. Kokat e tyre janë të punuara me polisterol, karton e napë..., me materiale që kërkojnë kujdes në mirëmbajtje”, thotë artistja.

Ndonëse artistja thotë se kukullat e tjera, kryesisht me trupin statik për lehtësi ekspozimi,  nuk kanë folur ende në skenë, ato kanë identitet dhe të ndjellin tek përralla që i frymëzoi.

“’Hansel dhe Gretel’, sepse  mbetet një temë aktuale ajo e keqtrajtimit të fëmijëve. Dhe kur i sheh këta fëmijë me portrete të ëmbla, thua: Si mund të mos i trajtosh mirë”, shprehet më tej.

Si "Hansel dhe Gretel" e vëllezërve Grimm, që Bebeti ka menduar ta vendos së shpejti në skenë me fëmijët me aftësi ndryshe, me të cilët punon prej disa vitesh.

“Prej 6 vitesh jam marrë me fëmijët me aftësi ndryshe. Kam bërë koncerte muzikale,  pjesë teatrore që kanë rezultuar shumë të suksesshme. Tani jemi bërë mikesha me mamat e tyre, dhe ishin shumë entuziaste sapo dëgjuan propozimin” , tregon Bebeti,.

Përpos artit, humanizmit ndërsa ekspozon kukullat e ndërtuara me materiale të riciklueshme, jep mesazhe për mbrojtjen e ambientit, që brezat që vijnë të kenë një planet të pastër si përrallat me fund të lumtur.

“Jemi dhe në vitin e riciklimit dhe mendova që pse fëmijët përmes artit, të mos mësojnë se jo çdo gjë hidhet, në një botë kur mbetjet janë bërë shumë problematike”, shton më tej.

Ka përdorur gjethe pemësh e lulesh, kuti kuzhine, tapa, lëvozhgë, e shumë materiale të tjera.

“Kam nisur që para Festave të Nëntorit, duke punuar rreth 5-6 orë në ditë. Kam përdorur sende shumë të imta, dhe duart ende i kam me shenjat e silikonit”, tregon Bebeti.

Kostumet e kukullave, ndërtohen kryesisht me veshje nga garderoba e saj, të cilën po ashtu e realizon vetë. Ndërsa Merita Selimi, me të cilën ka punuar për 15 vjet në Teatër, e sjell të kuruar ekspozitën, duke të ftuar në një skenografi përrallore, ku ndihet magjia e shkollës së vjetër.

“Ne që ishim brezi i dytë i artistëve mësuam nga ata që gjetëm sepse brezi i vjetër kishin punuar me regjisorë të huaj, rus, polak etj,  dhe ne u përpoqëm ta perfeksiononim. Jemi munduar po ashtu që ta përcjellim dhe tek artistët e rinj që kanë ardhur në Teatër”, shton më tej.

Shumë prej fëmijëve të kryeqytetit e kanë rivizituar ekspozitën e rrallë, ndërsa për të tjerët qëndron e hapur deri në 20 mars.

S.G//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    13 Dhjetor, 14:13

    Në grup Anglia, Serbia, Letonia e Andorra, a shkon Shqipëria në Botëror?



×

Lajmi i fundit

Buxheti 2025 për Tiranën/ Nisim ndërtimin e 5 shkollave të reja te Astiri, në Sauk e Liqeni i Thatë! Qendër të re për fëmijët me autizëm dhe sindromën down

Buxheti 2025 për Tiranën/ Nisim ndërtimin e 5 shkollave të reja te Astiri, në Sauk e Liqeni i Thatë! Qendër të re për fëmijët me autizëm dhe sindromën down