Gazetari i Zenit i kërkon Berishës
të ikë nga lista e kandidatëve të PD

Gazetari i Zenit i kërkon Berishës<br />të ikë nga lista e kandidatëve të PD
Në portalin e Shkëlzenit që menaxhohet nga gazetari i tij Çlirim Peka po ndodh diçka që nuk është guxuar të mendohet deri më tani: I kërkohet Sali Berishës, babait, që të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë të Republikës së re.

Argumenti që jep portali i Zenit është se, ish-kryeministri po përdoret si i vetmi nga “Republika e vjetër” si një Gramoz Ruçi në versionin demokrat.

Në këtë artikull me vetë emrin e Çlirim Pekës, pasi shfaqet tërë pezmi dhe kundërshtia për listën e kandidatëve për deputetë të PD ku sipas tij është fshirë tërë kryesia e PD, gjithë departamentet e PD, por dhe ata që i dhanë emër të kësaj partie, thuhet se nuk ka vend më për Sali Berishën.

Po botojmë të plotë atë çka është shkruar nga portali:

Ik nga ajo listë Sali Berisha

Pasi krijoi të vetmen forcë të djathtë që nuk u shua nga tranzicioni në lindje të Europës, ish- komuniste, Sali Berisha u largua nga drejtimi i partisë së tij në verën e 2013-së, duke marrë për vete të gjitha përgjegjësitë e humbjes përballë ish-komunisteve shqiptarë. Sigurisht, që një deklaratë e tillë ishte një akt politik për ti hapur rrugë një drejtimi të ri të PD-së.

Dhe ky akt u lexua mjaft mirë nga dy nënkryetarët Jozefina Topalli e Astrit Patozi dhe sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode. Që të tre dhanë dorëheqjen nga funksionet e tyre duke mos garuar përballë Luzim Bashës, të cilin e sfidoi në mënyrë modeste Sokol Olldashi. Në mënyrë modeste edhe për faktin se baza e PD-së nuhati shijen e Sali Berishës për pasardhësin e tij.

Partia Demokratike me Lulzim Bashën kryetar, zgjodhën Këshillin Kombëtar, më pas drejtuesit e departamenteve, dhe në fund kryesinë e re. Organe që përfaqësonin një mbështetje të fortë për kryetarin e tyre të ri, por që Basha duke përvetësuar stilin e drejtimit të paraardhësit i mblodhi shumë rrallë.

Gjithsesi, protesta 90 ditore përballë zyrës së Edi Ramës tregoi se strukturat në dukje në hije, ju përgjigjen në një protestë të pashembullt të PD-së dhe opozitës shqiptare. Deri para dy netësh, kohë kur Lulzim Basha vendosi të përjashtojë kryesinë nga miratimi i listave për deputetë, por ta konkretizojë grupin e tij parlamentar në mënyre surprizë për shumëkënd.

Më shumë se ata që janë në ‘listën Basha’, lajm bënë ata që u larguan dhe ata që nuk u përfshinë në listën e kreut të PD-së.

Janë tre llojesh të përjashtuarit:

1- Ata që mbështetën Sokol Olldashin në garën për kryetar ranë ose u larguam rrugës gjatë këtyre katër viteve.

2- Ata që votuan dhe mbështetën Lulzim Bashën, pasi ishin të bindur se ish-lideri i tyre kishte preferencë anëtarin e ‘KOP’, që mundi edhe Edi Ramën në garën për Tiranën. Këta më së shumti ishin anëtarë të zgjedhur të kryesisë së PD-së së re. Por që Lulzim Basha i fshiu me një të rënë të lapsit, pa i mbledhur fare siç dhe e ka statuti i PD-së. Dhe arsye mesa duket ishte vetëm një. Basha nuk e duronte faktin që kjo pjesë e PD-së nuk e zgjodhën Bashën si Lulzim, por si zgjedhje të Sali Berishës.

3- Dhe të fundit janë ata që Basha i shikonte si sfidues real në garën e radhës brenda partisë. Më konkretisht Topalli e Patozi.

Rezultati: Lulzim Basha krijoji një listë të re e cila është larguar aq shumë nga PD e deri djeshme, sa dhe PS-ja e Fatos Nanos në ’91 nuk e bëri me PPSH-në e Ramiz Alisë. Edhe pse trashëgimia politike e partisë së Nanos ishte kriminale dhe kjo e partisë së Bashës është më së paku reformatore në tentativë.

Sjellja e Bashës ndaj PD-së që mori është shumë më radikale se e liberalit Nano ndaj PS-së që gjeti.

Kanë vetëm një ngjashmëri, Fatos Nano e më pas Edi Rama, mbajtën fort Gramoz Ruçin nga trashëgimia politike e partisë së tyre, për të ruajtur trungun fanatik të elektoratit të tyre. Djallëzisht ose jo, të njëjtën gjë bëri para dy netësh Lulzim Basha me Sali Berishën. Zhduku pjesën më të madhe të historisë së PD-së dhe duke shfrytëzuar indiferencën e Berishës ndaj drejtimit të PD-së, përfshiu thuajse tinëzisht vetëm atë në listë. Duke e trajtuar njëlloj si socialistët Fatos Nano e Edi Rama, Gramoz Ruçin. Me qëllimin e vetëm, për të mashtruar pjesën fanatike të elektoratit opozitar.

Ky është akti më hileqar që ka bërë me listat Lulzim Basha. Pasi, kurrë, po kurrë ama, PD nuk mbart trashëgiminë kriminale të Partisë së Punës. Dhe Sali Berisha nuk është një ish-kryepolic kriminel që drejtoi policinë kriminale të regjimit, por një intelektual i guximshëm që udhëhoqi shqiptarët drejt lirisë.

Prandaj Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e listës së “Republikës së Re”, i vetëm nga “Republika e vjetër”. Mund ta bekojë, mbështesë, por nuk mund të jetë pjesë e saj.


(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari