Gazetari zë ngushtë Belind Këlliçin: Pse nuk flisni më për kompaninë ‘Qefalia’? Keni marrë gjobën? (VIDEO)

Belind Këlliçi doli sot për një deklaratë para medias, por duket se është zënë ngushtë nga pyetja që i ka drejtuar gazetari i kronikës Arsen Rusta, i cili i kujtoi Këlliçit një denoncim që ky kishte bërë në 18 maj për kompaninë e vëllezërve Qefalia dhe për të cilën nuk kishte folur më.

Gazetari Rusta e pyeti Këlliçin se a ishte e vërtetë që arsyeja pse nuk e përmendte më këtë denoncim është se kishte vjelë gjobën.

“Në 18 maj keni bërë një denoncim nga selia për kompaninë e vëllezërve Qefalia. Pse nuk e përmendni më, pasi nga ana tjetër ka edhe “gojëdhëna” apo pretendime se gjithçka e bëni për gjobë?”, ishte pyetja që duket se e kapi ngushtë Këlliçin.

Këlliçi nuk iu përgjigj pyetjes, por kaloi në sulm ndaj gazetarëve, duke i akuzuar ata si të lidhur me inceneratorët dhe se i shërbejnë regjimit. Nuk dihet nëse humbjen e qetësisë Këlliçit ia shkaktoi pyetja e gazetarit, apo fakti se duhet të sqaronte para dyerve të SPAK pse një çështje që e kishte denoncuar një herë më parë, nuk e zinte më në gojë prej më shumë se 2 muajsh.

Madje vetëm një muaj më vonë, më 19 qershor, Këlliçi është parë pikërisht në shoqërinë e Xhemal Qefaliajt, vëllait të Kujtim Qefaliajt, duke parë ndeshjen Shqipëri-Kroaci në Hamburg të Gjermanisë. Sigurisht pranë, nuk mund të mungonte Sali Lushaj, ish truproja e Berishës.

Historia e vënies së gjobave nga opozita ndaj bizneseve në Tiranë përmes deklaratave publike për gjoja përfshirje në afera, është pak më e vjetër se kjo e Këlliçit. Në fakt, ish kryetari i PD, Lulzim Basha dhe eksponentë të tjerë të PD janë akuzuar se kanë përdorur këtë taktikë për të vjelë gjoba nga biznese të ndryshme.

Një pyetje që lind pas kësaj është: A po përdor të njëjtën strategji si ish shefi i tij në PD dhe në Bashkinë e Tiranës edhe Belind Këlliçi?

Pse Këlliçi harroi të përmend 4AM e Bashkim Ulajt? 

Në denoncimin e tij para SPAK Belind Këlliçi publikoi një dokument që sipas tij tregon aferën korruptive në bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për akt marrëveshjen e firmosur mes Vas Konstruksion, kompania që më pas u bë ‘5D’ me qëllim prishjen e të paktën 13 pallateve në Tiranë, me justifikim e dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019. 

Por në denoncimin e tij Belind Këlliçi ‘harroi edhe këtë herë’ të përmendë firmën 4 A-M që është e lidhur me Bashkim Ulaj, biznesmenin që është denoncuar si një nga përfituesit më të famshëm të pasurive publike dhe ndereve politike nga Sali Berisha kur ishte kryeministër por dhe një financues kryesor i  PD-së. Edhe pse në dokumentin e tij që ai dorëzoi është e shkruar e bardha në të zezë. 

Prandaj një tjetër pyetje që do duhet ti kthejë përgjigje Belind Këlliçi është nëse kjo akt marrëveshje është e paligjshme për të dyja firmat, dhe pse harroi të përmendte 4A-M.

Apo është e ligjshme për të dyja firmat dhe po akuzon padrejtësisht një biznes si Vas konstruction.



Foto: Dokumenti i dorezuar nga Belind Kellici ne SPAK ku permendet dhe emri i kompanise 4AM 
 

Foto: Dokumenti i dorezuar nga Belind Kellici ne SPAK ku permendet dhe emri i kompanise 4AM 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:04
FOTO/ 2 muaj më parë sulmoi kompaninë Qefalia, por sot hesht! Këlliçi në stadium i shoqëruar nga Xhemal Qefalia e Sali Lushaj

1721658936_cats.jpg

Këlliçi duke shtërnguar duart me Qefalinë

Anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi më 18 maj akuzoi kompaninë e vëllezërve Qefalia se kanë marrë të paktën 55 milionë euro tenderë e leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Por, Këlliçi duket se i ka ‘harruar’ këto akuza dhe që prej 2 muajsh i ka mbyllur ato në sirtar.

Vetë Këlliçi sot nuk kishte një përgjigje se përse nuk ka bërë më deklarata për këtë denoncim dhe iu shmang pyetjes së gazetarëve nëse arsyeja e vërtetë përse nuk ka vijuar me akuzat është se ka vjelë gjobën.

Këlliçi zgjodhi që të heshtë, por Shqiptarja.com sjell këto foto (shihni më lart) kur Belind Këlliçi është fotografuar në stadium në Gjermani me deputetin e PS, Xhemal Qefalia. Madje madje, duket shumë i lumtur kur e përshëndet dhe i jep dorën. Aty pranë është edhe ish-truproja i Sali Berishës, Sali Lushaj.

Theksojmë se ky takim i tyre vjen vetëm 1 muaj pas denoncimit të Këlliçit, pasi ndeshjet e kombëtares për Euro 2024 janë zhvilluar gjatë muajit qershor në Gjermani. Konkretisht, ata janë fotografuar bashkë në stadiumin e Hamburgut më 19 qershor, kur kombëtarja shqiptare luajti përballë Kroacisë.

Më poshtë Shqiptarja.com risjell në vëmendje denoncimin e Këlliçit më 18 maj 

Të nderuar qytetarë, Foto që shihni, është një tjetër 5D e Erion Veliajt. Personazhi i radhës quhet Kujtim Qefalia, i cili prej vitit 2007 vijon të jetë Administratori i Njësisë Administrative Dajt. Kujtim Qefalia në vitin 1999 themeloi kompaninë Qefalia sh.p.k., e cila sot mban emrin Dajti Park 2007. Në vitin 2007, zotëria në fjalë, pasi u zgjodh kryetar komune, aksionet e kësaj kompanie i’a kaloi shtetasit Ylber Osman Kalaja.

Pas zgjedhjes së Kujtim Qefalisë në krye të Komunës Dajt, kjo kompani filloi të lulëzonte duke përfituar mbi 4 leje ndërtimi në zonën e Freskut dhe Qesarakës, me firmën e vetë Kujtim Qefalisë. Në vitin 2016, administrator i kësaj kompanie emërohet vëllai i Kujtimit, Lulzim Qefalia, personazhi tjetër që shihni në foto.

Në dhjetor të vitit 2018, Ylber Kalaja vendos të dhurojë aksionet e kompanisë. 50% i’a dhuroi djalit të tij dhe 50% i’a dhuroi Lulzim Qefalisë. Gjest shumë i madh bamirësie duke patur parasysh se vlera e këtyre aksioneve ishte 1.7 milionë euro. Ylber Kalaja në po të njëjtën periudhë dënohet për korrupsion për tenderat e famshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Çuditërisht kompania Dajti Park 2007, e cila kishte përfituar këto tendera përmes korrupsionit, nuk dënohet, nuk vihet nën sekuestro dhe nuk përjashtohet nga pjesëmarrja në prokurimet publike.

Dhurimi 50% i aksioneve vëllait të Kujtim Qefalisë është provë e pakundërshtueshme se Ylber Kalaja ishte thjeshtë një prestanome. Në prill të vitit 2022, Erion Veliaj vendos ta shpërblejë kompaninë e familjes Qefalia me një leje gjigante ndërtimi për hoteleri dhe banim pranë Gjimnazit Sami Frashëri, në një ndër zonat më të lakmuara të Tiranës.

Por kompania Dajti Park 2007, nuk u mjaftua vetëm me këtë leje ndërtimi. Kjo kompani ka përfituar 30 tendera në Bashkinë e Tiranës, gjatë periudhës që Veliaj ka qenë kryetar, me vlerë 10 milionë euro. Këto tendera Erion Veliaj i’a ka dhënë familjes Qefalia përmes Agjencisë së Shërbimeve Funerale e deri tek Programi i Rindërtimit.

Kompania e vëllezërve Qefalia ka përfituar edhe nga Ministria e Shëndetësisë 9 tendera me vlerë 2.5 milionë euro dhe nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, 20 tendera me vlerë 6.9 milionë euro, ku spikatin sërish tenderat në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Kujtim Qefalia nëpërmjet dhëndrit dhe familjarëve të tij të punësuar në Bashkinë e Tiranës, ka përfituar nëpërmjet kompanisë AL-POINT tender 4.8 milionë euro për ndërtimin e një godine në zonën e 5 Majit, aty ku Veliaj nxori me gaz lotsjellës familjet nga shtëpitë e tyre duke i shkatërruar banesat dhe mundin e një jete. Gjithashtu kjo kompani ka përfituar dhe 2 leje të tjera ndërtimi me firmë të Veliajt.

Nëpërmjet kompanisë ISEC sh.p.k., në pronësi të familjarëve të afërt të tij, Kujtim Qefalia ka përfituar rreth 700.000 euro tendera deri sot që flasim.

Në total, familja Qefalia, fill pas ardhjes së ‘Rilindjes’ në pushtet, ka përfituar rreth 25 milionë euro tendera nga të cilat, 15 milionë euro vetëm nga Bashkia Tiranë me firmë të Erion Veliajt si dhe 3 leje ndërtimi që përllogariten me vlerë tregu në shifrën 30 milionë euro.

Të nderuar qytetarë, Më 14 Maj të vitit të kaluar, Kujtim Qefalia ishte Drejtues Politik i Erion Veliajt për zonën e ish Komunës Dajt dhe fshatrave përreth. Si asnjëherë më parë, gjatë asaj fushate ka ndodhur një masakër e vërtetë elektorale e cila shpjegohet fare thjeshtë kur sheh se familja Qefalia, me firmë të Erion Veliajt dhe jo vetëm, ka përfituar vetëm nga kompanitë që ne kemi arritur të zbulojmë, të paktën 55 milionë euro.

Siç e shihni qartë, i gjithë shtabi elektoral 5D i Erion Veliajt, ka përdorur të njëjtën skemë. Diku vjehrrin, diku babain, diku dhëndrin, për të vjedhur qindra milionë euro nga buxheti i Bashkisë Tiranë. Vetëm dy zyrtarët e denoncuar dje dhe sot, Arben Maloku dhe Kujtim Qefalia, të dy Drejtues të lartë politik në shtabin e Veliajt, kanë përfituar rreth 130 milionë euro, të cilat SPAK as nuk i sheh dhe as nuk merr mundimin ti hetojë.

Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të vazhdojmë të bëjmë transparencë të plotë për Grupin e Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë me në krye Erion Veliajn dhe nuk do të ndalemi deri ditën që SPAK të vendosë nën sekuestro skenën e krimit, godinën e Bashkisë Tiranë.

 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fiku: 22/07/2024 17:46

    Ky kellici asht i korruptue

    Përgjigju
  • Miri: 22/07/2024 16:21

    Hajdut

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë