Lëvizja demokratike në Shqipëri, siç u zhvillua nën terren e klimë kaotike, pamë që u shndërrua në një lëvizje reformuese që bazohej në traditën e jeniçerëve arnautë e që mbartej nga kohërat kur plaçka ishte synim i ushtrisë pushtuese turke. Në atë botë dalldisjesh nga aroma e lirisë, pa përjashtuar dhe gazetarinë, pak ishin ata që dinin se demokracia është sundim i ligjit.
Berisha i dha lëvizjes demokratike karakterin e tij, atë të vetmburrjes e krenarisë së dëmshme. Kur u shpall fitorja e demokracisë, kjo e fundit ekzistonte brenda një supozimi që i përshtatej klanit të tij fisnor: sundimi personal. Ajo nuk u lidh kurrë me ide të caktuara zhvillimi, përpos akteve ligjore që parashikonin shpërbërjen e pronës publike dhe privatizimin e saj. Etja për pasuri e parà u duk se ishte më e rëndësishme se demokracia.
Demokracia si “zhvillim” dhe fitim i shpejtë parash
Nuk vonoi të premtohej se shpejt vëndi ynë do bëhej në Ballkan një Zvicër tjetër, por për një shqiptar largpamës, që njihte ekstremitetet e pasurisë, dijes dhe hendekun teknollogjik që na ndante me perëndimin, premtimi tingëllonte si tallje. Pas shkatërrimit të asaj pak ekonomie, tallja mori përmasat e dramës në luftë të përditëshme për ekzistencë. Ende nuk kishim mbërritur në vitin ’97, kur filloi të bëhej pyetja: kështu si po e ndërtojmë ekonominë dhe sigurinë e jetës së njeriut, demokracia është shtirje apo mashtrim?
Ndërsa elita politike, parlamentarët, shefat e partive dhe administrata e lartë publike ziheshin si nxënës shkollash jo për shtetin ligjor e drejtësinë, jo për mbrojtjen e shtresave në nevojë, por për ndarjen e plaçkës, blofi “zhvillim” dukej açik që ishte ulur këmbëkryq mes nesh, kur shpallej se programi parashikonte të mbështetej te turizmi (!?). Këto kopaçe, që qeveria i kish lëshuar në atë kohë, ka njerëz që ende i besojnë.
Kishim mangut vetëm mashtrimin masiv i cili nuk vonoi të vinte në formën e piramidave “huamarrëse”, “qershia mbi tortë” e vuajtjeve dhe fatkeqësisë ku ishte zhytur vendi. Katastrofa ishte e pashmangshme. Mbase është më mirë të mos i lëndoj më tej plagët e vjetra që lidhen me vjedhjen e pasurisë publike e me çdo gjë që ishte pronë shtetërore ose ishte pa zot, siç ndodhi me ekzekutimin kohë më parë, jo vetëm të Lurës, por pothuaj të të gjithë pyjeve.
Ethet për pasurim e zëvendësuan punën për instalimin e një demokracie të shëndetshme dhe udhëhoqi elitën politike e tërë një popull të zgjuar nga dëshpërimi. Disa grupe brënda oborrit qeveritar, përfshi dhe shoferët e bodigardët, i shijuan më së miri frytet e ndryshimeve.
Shkrimtari nobelist, Naipaul, në një reportazh për një ishullth-shtet të Karaibeve, ku qeveria nuk mblidhte dot taksa dhe “zhvillimi” e “turizmi” kish marrë tatëpjetën, i sjell lexuesit zgjidhjen që gjeti ajo për të forcuar financat e saj.
Përveç emetimit të bollshëm të pullave të postës ajo do shiste titullin “Shtetar nderi”, të cilin mund ta blinte kushdo kundrejt një pagese prej 100 $. Ngjashëm si atje, ndonëse tek ne s’ishte nevoja të shitesh titulli “Shtetar nderi”, por për 100 $ u orientua publiku i gjerë drejt versionit se te shoqeritë huamarrëse mund ta dyfishonin atë shumë të hollash brenda muajit. Idem si te “Pinoku”, po t’i mbillje monedhat e arta ato do pillnin.
“Shtetarët e nderit” tek ne u ngritën nga fshati më i humbur e u ngjitën deri te Presidenti i Republikës. Ndërsa qeveria e Anguilas titullin dhe Carlo Collodi novelën i përshtatën për mendje fëminore, piramidat tek ne u ngritën për mëndje budallenjsh nën hundën e mëndjeve fëminore të qeveritarve.
Qytetërimi i mangët demokratik pati domethënjen dhe shprehjen e saj edhe te media, por, fillimisht, sidomos te shtypi. Ato gazeta ekzistuese që ishin, u munduan të reformohen përmes vetëperfeksionit, që në të vërtet rezultoi një dështim, ndërsa të themeluarat rishtazi luhateshin mes përkushtimit ndaj demokracisë dhe biznesit.
Me përjashtim të “Gazeta Shqiptare”, nën drejtimin e gazetarit Carlo Bolino, që vinte në Tiranë si bijëz e puljezes “La Gazzetta del Mezzogiorno”, me përvojën e një gazetarie sa të moçme aq dhe demokratike që e kish misionin demokratik të qartë, një mori editorësh që u shfaqën me të përditshme informative, erdhën përgjithësisht nga anonimati.
Ndërsa te “Gazeta Shqiptare”, kush punoi në të, mori dijet e përvojën dhe mësoi rolin e misionin e shtypit demokratik perëndimor, në të tjera gazeta mësohej si të mund të pasurohesh shpejt, “Si të bëhesh milioner!”
Gazetaria, robëreshë e rrethanave
Gazetaria e re dhe organet që u shfaqën në shoqërinë shqiptare në mesin e viteve ’90, pamëdyshje që patën një ndikim të madh në instalimin e një botkuptimi të ri demokratik. U kodifikua me ligj se “Shtypi është i lirë”.
Por, a është vërtet shtypi i lirë, a është gazetaria e çliruar nga diktati? Ribëhet pyetja pas një çerek shekulli jete të medias së lirë, për t’i dhënë përgjegjen se në shoqërinë tonë ende jo, nuk është arrirë! Që të bëhet gazetaria e lirë, duhet që ajo të jetojë brënda një lloj ndjeshmërie e cila krijohet nga një atmosferë intelektuale, që të përfshijë dhe botuesit, nga një liri ekonomike që të përfshijë edhe gazetarët. Shënjat e dehjes nga pushteti u panë kur të sapopasuruarit investuan edhe në media.
U duhej pushteti i saj. Investimi në gazetari vinte nga tepricat e fitimeve në ndërtim pallatesh, rrugësh, shitje pijesh alkolike e jo alkolike, kafe, e të tjera produkte. Motua që lëvizte botuesit e gazetave ishte fitimi i shpejtë. Administrata ja mbërriti të krijojë gazeta “lolo oborri”, disa prej të cilave ende gjallojnë mes nesh.
I njohim këta fshatarë edhe pse mund të mos i kesh takuar asnjëherë, kur shisnin me një çmim të kripur një njoftim rutinor disa radhësh të kronikës aktualitet, por që faqja mbartte në krye “lapsusin” e shkruar të një date, muaji, madje dhe viti tjetër nga ajo e faqes së parë.
Krahas pjelljes nga “fondacione” mister të gazetave-armë, opinioni mësoi se paska e përdoret edhe për gazetarë termi “Non grata”, të pëlqyeshëm e jo të pëlqyeshëm. Nga këto gazeta “fondacionesh” lindi shtypi i mashtrimeve, i deformimit të të vërtetës, e paaftë e që nuk arrin të zbulojë thelbin e ngjarjeve që raporton.
Si anëtar prej vitesh i panelit IREX (Indeksi i Qëndrueshmërisë së Mjeteve të Komunikimit) pyetjes: A janë gazetarët të detyruar të vetëçensurohen në sajë të frikës reale apo të imagjinuar për humbjen e vendit të punës duke rrezikuar sigurinë ose mirëqënien? – i jam gjegjur:
Po dhe i kam dhënë minimumin e pikëve në vlerësim. Gazetarët, duke njohur politikën editoriale të botuesit, mësuan të pranojnë çensurimin e më pas, të vetëcensurohen; mësuan dhe vazhdojnë të kujdesen që të mos fyhet ndonjë grup politik; mësuan t’ju nënnshtrohen interesave të ndonjë grupi biznesi.
Arsyeja për këtë vyshkje të mediave janë botuesit. Ishin dhe vazhdojnë të ngelen një pjesë prej tyre që kufizojnë aftësinë e gazetarëve për të raportuar hapur.
Borde editoriale? Pfff! As që kanë ekzistuar ndonjëherë, përpos se në letër. Liri shtypi e liri e gazetarit, për të menduar e shkruar, do mbetet ende për disa gazeta e televizione në Tiranë një togfjalësh i përdorur në mënyrë të shkujdesur.
Të pasur e të varfër në media
Gazetarët dhe redaktorët e të tjerë punonjës në media, shtyp e atë vizive, marrin pagesa të mjaftueshme sa për të përballuar shpenzimet e jetesës së tyre? Pagat e gazetarëve të nivelit të dytë janë në kufijtë që i mbajnë ende pa u shndërruar në lypsa, veçanërisht në rastet kur ato nuk u jepen në kohë, raste që shfaqen dendur e që kanë shoqëruar pareshtur një numër të madh gazetarësh në organe të ndryshme.
Disa pronarë dhe administratorë të mediave, krahas pagave të ulta kanë aplikuar edhe paga për emra e shërbime të veçanta, që kanë dallim të theksuar me nivelet e pagave të gazetarve të nivelit të parë. Ka ekzistuar ky dallim në pagat për gazetarët më të mirënjohur që herët, që me krijimin e tregut kapitalist shqiptar të gazetave.
Historia e gazetarisë botërore njeh si reporterin më të paguar Ernest Heminguej-in. Ai u pagua nga gazeta 5 $ fjala, kur si korrespondent civil shoqëroi trupat amerikane në Luftën e II Botërore dhe raportoi sulmin e trupave në Omaha Beach dhe javë më vonë, kur raportonte nga Normandia luftimet e Regjimentit 22 amerikan. Në Shqipërinë tonë të varfër, janë ndonja një duzinë gazetarë që e lënë pagën e Hemingueit në bisht.
Si paradoks nuk është se bie dhe aq në sy, sa kohë që kërkujt nuk i ka rënë në sy shitja 1.5 milon Euro e një license fabrike tulle, që nuk u ndërtua e s’prodhoi kurrë, apo që ish drejtues të lartë të korporatës elektro-energjitike ushtrojnë plot sukses biznes në SHBA dhe Europë, apo që një gjyqtar zotëron 2 milion Euro. Sa mirë do të ishte nëse gazetat do ngriheshin e do funksiononin si biznese e nuk do kishin suporte financiare nga pas, do dilnin në bilancin shpenzime-të ardhura pozitiv, me fitime të tilla që do shtonin burimet e të ardhurave si për administratorët ashtu dhe për gazetarët! Por realiteti nuk është i tillë!
Media jo rrallë është ndodhur nën trysninë e aventurierve që e zgjodhën atë, shtypin e televizionin, jo si biznes, por për pushtet, për të qenë influent në politikë apo për mbrojtjen e biznesit e interesave të tij. Pushteti që të jep media, për të keqen e fatit të tij bëri anëtar të saj përfaqësues biznesesh që s’kanë patur kurrë si motiv fitimin me organet e tyre, kanë pranuar dhe kompensuar rregullisht humbjet dhe s’kanë patur asnjë lidhje me ushtrimin e gazetarisë për zhvillimin demokratik të vendit.
Janë sot në tregun inflacionist mediatik gazeta të përditshme që kanë rrezikuar seriozisht statusin e tyre kur i përvidhen misionit të vet. Cilatdo qofshin rrethanat nga vijnë këndvështrimet, ato nuk do të jenë të mjaftueshme për të marrë qëndrim përgjithësues, për sa kohë me mision nuk kuptohet mbi të gjitha kontrolli i qeverisjes.
Kriza ekonomiko-financiare që ka përfshirë shtypin në Shqipëri do vdesi e do rilindi, kur në pushtet jo vetëm të mos ketë individ që të kenë frikë nga kontrolli i mediave, por ta ndihmojnë këtë hallkë të rendësishme të kulturës kombëtare, në kushtet e mjera të marketingut në një vend ku mungon prodhimi i mallrave, të dalë nga kriza. Vetëm atëhere shtypi do meritojë emërtimin “Instrumenti demokratik i lirisë”.
Redaksia Shqiptarja.com