Gazment Bardhi është takuar sot me ambasadoren e re të Holandës në Shqipëri, Marleen Monster. Në qendër të bisedës ishin vijimi i bashkëpunimit me grupin parlamentar të PD dhe mbështetja në procesin e anëtarësimit.
Bardhi i ka shprehur ambasadores edhe shqetësimet për situatën politike në vend lidhur me krimin dhe korrupsionin, zgjedhjet si dhe reformën territoriale e zgjedhore.
“Mikprita sot ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, znj. Marleen Monster, me të cilën diskutuam për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe vijimin e bashkëpunimit ndërmjet Grupit Parlamentar të PD-së dhe Ambasadës Holandeze në Tiranë.
Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mbi bazën e meritës dhe zbatimit të reformave të qëndrueshme.
Gjatë takimit ndava shqetësimet tona për situatën politike në vend, ndikimin e krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore, mungesën e garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për proceset e Reformës Territoriale dhe Reformës Zgjedhore, të cilat, po zhvillohen pa konsensus dhe pa gjithëpërfshirje.
Dialogu me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunimi institucional mbeten të rëndësishëm për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë”, shkruan Bardhi në postimin e ndarë në rrjetet sociale.







Komente
Komento