TIRANË- Një ditë pas mesazhit të kryeministrit Edi Rama për Vlora Hysenin, kreu i grupit të PD, Gzment Bardhi thotë se shefi i qeverisë ende nuk ka dhënë llogari se si u përzgjodh ajo në krye të SHISH. Bardhi i kërkon Ramës të bëjë publik se cilat ishin shërbimet partnere që, sipas kryeministrit, kishin dhënë referenca të shkëlqyera për Hysenin dhe cilët partnerë ndërkombëtarë janë “shastisur” nga veprimet e SPAK ndaj saj.
“Dje duhej të jepte llogari përse në krye të SHISH propozoi një person që ishte njohje e tij personale dhe pa asnjë kontribut në Shqipëri. Kush ia propozoi si këshilltare dhe kush loboi për postin më të lartë të institucionit të sigurisë në vend? Kush mban përgjegjësi që në krye të SHISH ishte një njeri që bashkëpunonte me persona të arratisur nga drejtësia apo u jepte informacione të klasifikuara organizatave kriminale?
Rama e konsideroi dëm faktin që drejtësia veproi ndaj një zyrtari në krye të shtetit, por nuk tha asnjë fjalë për dëmin që përzgjedhja e tij personale i ka shkaktuar sigurisë kombëtare. Asnjë fjalë për vënien e SHISH në shërbim të Agasit, grupeve kriminale apo të luftës së PS. A keni një përgjigje: Si u përzgjodh Hyseni? Nëse përzgjedhja është bërë, sepse keni marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet partnere, na tregoni kush janë këto shërbime partnere, kush janë këta partnerë ndërkombëtarë.
Cili shtet është shastisur nga veprimet e SPAK? Cili mik i huaj sekret? Ti ke të drejtë t'ua lësh përgjegjësinë për këtë akt paprecedent partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, pa treguar se cilët janë ata, për sa kohë partnerët ndërkombëtarë heshtin dhe preferojnë që ti të jesh zëdhënësi i tyre.
Dil dhe trego, cili shërbim i huaj, cili partner ndërkombëtar ta sugjeroi Vlora Hysenin me referenca të shkëlqyera dhe kush është shastisur nga veprimet ligjore të SPAK kundër krimeve të saj? Deri më tani kemi vetëm një reagim nga BE, që mbështet punën e SPAK. Kush u shastis? Serbia, Rusia apo Bjellorusia? Na trego çfarë u verifikua lidhur me shkarkimin e saj nga Kosova”, tha Bardhi.
Lajmi në përditësim...
Me ironi e komentoi Gazment Bardhi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pas arrestit ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Bardhi tha se opozita nuk merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Gysit. Ndërsa presidentit Bajram Begaj, duke e quajtur një kukull manekin, i kërkoi të japë llogari se kush e urdhëroi të dekretojë Vlora Hysenin në krye të SHISH.
“Është mbledhur komisioni i sigurisë së Ergysit. Aty ishte shefi i Gysit, Rama, katër vartës të Gysit dhe katër vartës të shefit të Gysit. Drejtimi i mbledhjes kishte një kukull manekin, Presidentin, që para se të bëjë shoë, duhet të dalë dhe të shpjegojë pse e dekretoi Hysenin në krye të SHISH.
Këtë përgjegjësi ka Begaj, të shpjegojë: Kush e urdhëroi Begajn të emëronte Hysenin në krye të SHISH? Pse bllokoi për 47 ditë betimin e gjyqtarit kushtetues për llogari të Ergys Agasit? Këtë duhet të shpjegojë.
Sa për Këshillin e Sigurisë së Gysit, opozita as nuk ftohet dhe as nuk merr pjesë. Ne jemi të shqetësuar për sigurinë kombëtare të Republikës, jo për sigurinë e koordinatorit të krimit, Ergys Agasi”, tha Bardhi.
Në konferencën për shtyp ndërsa komentonte rastin e Vlora Hysenit, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi u ndal edhe te ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, së cilës iu sekuestruar edhe një tjetër vilë e dyshuar se e kishte fshehur sërish në emër të Igli Tares. Bardhi pyeti Ramën se çfarë do të bëjë me Ballukun, tashmë që pozita e saj përballë drejtësisë është rënduar. Pyetje i drejtoi edhe për akuzat për trafik armës përmes kompanisë KAYO, duke pyetur nëse Rama e njeh izraelitin Ron Yeffet.
Pjesë nga deklarata e Gazment Bardhit
- Me akuzat për korrupsion ndaj Belinda Ballukut çfarë ke ndërmend të bësh? I ke dëgjuar apo edhe për këtë nuk ke dijeni? A nuk ishe ti që e mbrojte me votë në Kuvend, duke dalë garant se ajo nuk ishte e korruptuar? Po tani që janë bërë publike vila të saj luksoze, pse hesht, pse nuk flet, pse nuk na shpjegon se ku shkoi garancia dhe mbrojtja politike që i ofrove me votat e tua në Kuvend?
- Po Ron Yeffet, e njeh? Ke dëgjuar dhe di gjë se çfarë po bëhet me KAYO-n? A ka aktivitet dhe prodhim armësh sipas qëllimeve të deklaruara, apo vetëm merr para nga Buxheti i Shtetit njëlloj si inceneratorët që nuk ekzistojnë? As për këtë nuk di gjë? Do ta mësosh vetëm kur të ketë hetime apo arrestime dhe, sipas këtij modeli që kemi parë, do të përsërisësh se përgjegjësia është individuale?
- Po për tenderin e fushave naftëmbajtëse që, sipas akuzave dhe dokumenteve të bëra publike, McGonigal ta kërkoi në këmbim të sulmit të sajuar ndaj opozitës, pse nuk flet? A ta kërkoi ai si pjesë të një marrëveshjeje për atë që ti i kërkove: sulmin e orkestruar me shpifje ndaj opozitës? Pse nuk flet për këtë? E fitoi tenderin nga qeveria jote kompania që kërkoi McGonigal, apo jo? A u zbatua ligji apo u shkel? Dil dhe shpjegoju shqiptarëve.
Dje na deklarove se nuk është e vërtetë që ti ulesh me biznesmenë dhe se ju jepni copa Shqipërie. Ashtu?
- Po Alabari, si e fitoi truallin mbi Portin e Durrësit? Me konkurs apo me ligj special dhe me përzgjedhje personale tënden?
- Po Ron Yeffet, si hyri në biznes me KAYO-n? Me konkurs apo si mik i yti personal?
- Po turqit e Tunelit të Llogarasë, që na kushtuan 50 milionë euro, si i zgjodhe? Me konkurs? Apo shkove ti personalisht në Ankara dhe bëre marrëveshje ende pa u hapur tenderi?
- Po turqit e Aeroportit të Vlorës, si erdhën në Shqipëri? Me konkurs? Apo i përzgjodhe ti dhe detyrove biznesmenin Behgjet Pacolli të bënte marrëveshje biznesi me ta?
Shqiptarët duhet të të besojnë se je i pakorruptuar dhe se nuk di çfarë bëhet me aferat e ministrave të tu, meqë nuk kanë parë ende para shtesë në xhepat e tu? Po kush t'i kontrollojë xhepat?
Po edhe Belindës, deri më tani, para në xhep nuk i kemi parë. Por vila luksoze të fshehura kemi parë, sipas akuzave të bëra publike.
Edhe ty të kemi parë. Nga i pastrehë në vitin 2013, u shfaqe me saraje me vlerë mbi 1 milion euro në vitin 2014. Deklarove se i ndërtove me para borxh të marra nga një kompani ndërtimi. Por nuk dimë si e shlyeve borxhin dhe kur e shlyeve. E vetmja gjë që dimë është se, me ardhjen tënde në pushtet, biznesmeni që të dha borxhin për të ndërtuar sarajet është një nga biznesmenët që fiton më së shumti tendera, merr koncesione, ndërton resorte dhe përfiton pasuri publike. Dhe shumë prej këtyre, me firmën tënde direkte.











Komente
Komento