Gent Korini: Piktura abstrakte,
ende nuk flet shqip

Gent Korini: Piktura abstrakte,<br />ende nuk flet shqip
Ngjyrat e tij janë të derdhura në formën e frekuencave që zakonisht vijnë prej një drite kozmike. Janë të tilla që të bëjnë t’i vëzhgosh në heshtje. Heshtjen ta imponon edhe vetë titulli i ekspozitës së Gent Korinit, “Abstrakt-struktura kalimtare”.

Në fakt qetësohesh mirëfilli para tablove, që nganjëherë vijnë me nuanca të ylberta, nganjëherë fluide. Format gjeometrike janë një tjetër temë, janë punë e piktorit, siç do të thoshte ai, se natyrisht ne “me kuptimin e tyre duhet të merremi më pak”.

S’duhet ta vrasim mendjen se çdo të thonë objektet gjeometrike, përderisa “piktura flet me gjuhën e ngjyrave”. E ç’të thuash më tepër për to, kur para ekspozitës së parë të Gent Korinit në Galerinë Kombëtare të Arteve ngelesh pa gojë.

Ekspozita e tij e parë ka përkuar me një ngjarje të rrallë, hapjen e së parës ekspozitë në institucion të pikturës mirëfilli abstrakte. “Ekspozita me piktura abstrakte është një nga ngjarjet e rralla në Galerinë Kombëtare”, thotë drejtori Rubens Shima, duke theksuar se Gent Korini vjen shumë transparent me pikturën e tij dhe si etnitet më vete”.

Ndërsa jemi duke parë ekspozitën mundohemi që piktorit Korini t’i rrëmbejmë disa sekrete profesionale për të krijuar ndoshta disa ura komunikimi më tepër me publikun dhe pikturën e tij. 

Genti, kur u shfaq tej ju koncepti i artit abstrakt?
Piktura abstrakte është në vazhdimësinë e krijimit të punës sime ne studio, nuk është proces i shkëputur i krijimit. Pikturat e ekspozuara janë 80 për qind e atyre punëve që janë bërë rreth ciklit abstrakt që kanë nisur nga 2010-2013-a.

Unë kam hapur një ekspozitë personale jashtë, por është shumë e rëndësishme që unë hap për herë të parë një ekspozitë në GKA, për vetë historikun që ka ky institucion që është unik në Shqipëri, dhe që stafi i galerisë ma vlerësoi këtë dhe më dha mundësi. Është një eksperiencë shumë e mirë edhe ekspozita që bëra në Amerikë, por kjo ka rëndësinë e vet.

Ka ndonjë ndryshim nga hapja e një ekspozite në Amerikë dhe në GKA?
Ka sepse ne kemi një zhvillim tjetër kulturor në artet figurative, jemi të shmangur nga zhvillimi europian. Arti ka ato vakumet e veta, por ka edhe zhvillimet më interesante. Në rastin e pikturës abstrakte kjo gjë e bënë shumë problematike, sepse publiku ka një lloj barriere, një lloj muri pakuptueshmërie.

Kjo vjen ngaqë nuk e dinë gjuhën e kësaj pikture. Piktura abstrakte duhet parë si një lloj gjuhe, që nëse ti nuk di gjermanisht nuk kupton cfarë të thonë në këtë gjuhë. Pra, kjo është pasoja që ndodh me ekspozitat. Por e unë filloj procesin krijues me veten time dhe kjo ekspozitë dallon vetëm ajo si reflekton publiku.

Keni marrë pjesë në konkursin e “Onufrit”, si e vlerësoni këtë edicion?
Onufri skenë interesante, ku artistët me krijimtari të ndryshme bëhen bashkë dhe aty gjen peshën e gjuhës tënde në krahasim me autorët e tjerë.

U debatua më pas se “Onufri” linte për të dëshiruar për pjesëmarrjen, cilësinë, etj?
Kam ide tjetër. Kuratori bëri punë të mirë me hapësirën dhe veprat mund të përjetoheshin saktësisht, ishte vërtetë minimaliste, por kjo nuk bëhet për herë të parë. Mund të ketë edhe salla të populluara me dy punë. Por kaq mjafton, jemi këtu për të folur për ekspozitën time, apo jo.

Kur pikturuat herën e parë, ju kujtohet?
Nuk mbaj mend diçka të veçantë për atë kohë. Kam pasur një fëmijëri si të gjithë në Tiranë dhe kujtoj atë kohë kur prindërit tanë na çonin që të eksploronim pikturën apo ndonjë talent tjetër dhe kështu ka nisur.

Por ngjarja më kryesore në jetën time është vajtja në Rumani në Akademinë e Arteve të Kluxhit në ‘97-ën, që është një shkollë e mirë. Aty u definua përcaktimi që unë do të merresha me këtë punë dhe është një nga eksperiencat që ka lënë një shenjë, me të cilën unë e zhvillova punën time këtu në Shqipëri.

Ku ke jetuar gjatë kohës që nga mbarimi i Akademisë së Kluxhit?
Kryesisht në Shqipëri, por ndonjëherë jam ngatërruar edhe në projekte dhe aktivitete dhe kam shkuar edhe jashtë. Por edhe pse kam punuar rregullisht, unë kam kaluar një lloj pauze, që në profesionin tonë quhet pauza e të krijuarit derisa dola me këtë cikël. Janë ca cikle që duan kohë të vijnë në cilësinë e duhur.

Ju ka munguar vlerësimi i kritikës?
Jo. I jam shumë mirënjohës kolegut dhe bashkëpunëtorit Alban Hajdinaj për krijimin e ekspozitës dhe ai ka bërë njëlloj analize të disa shtresave shumë të nevojshme për të përkufizuar rolin dhe vendin që zënë pikturat.

Piktura abstrakte vjen për herë të parën Galerinë Kombëtare, si ndihesh?
Nuk e di taman a jam unë për herë të parë, por është një kohë e gjatë që arti bashkëkohor në Tiranë nuk është marrë me ketë temë që kam bërë unë, por në fakt ky është edhe interesi im personal që mbase përkon me një interes të caktuar të fushës së artit në Tiranë.

Kuptohen qartë gjurmët individuale në pikturën tuaj. Ju shqetëson marrëdhënia me vizitorin, që detyrimisht një ditë duhet të jetë edhe blerësi i këtyre pikturave?
Shqetësim! Shqetësimi është që arti duhet të komunikojë dhe të krijon mundësitë që të ndihmosh veten tënde dhe publikun në këto marrëdhënie, sepse është një marrëdhënie dypalëshe, siç thuhet duhen dy për të bërë Tango.

Meraku im është që piktura të arrijë të krijojë ndjeshmëri te njerëzit dhe të arrijë të japi një këndvështrim mbase tjetër kur dalin nga jeta e përditshme të futen në sallë dhe të komunikojnë me ndjeshmëritë e tyre në një frekuencë tjetër. Ky është interesi dhe meraku im. Sa arrin kjo është në dorën e publikun.

Perceptimi im personal ka qenë se ka muzikë në pikturën tuaj, dhe gjatë bisedës më thatë se ka tingëllon ngjyra juaj. Si perceptohet ky tingull?
Mendimi im është se zanafilla e piktorëve modernistë ku vendosën të bëhen totalisht abstrakt ishte muzika, që më Kandiskin etj, dhe ata thanë se cc’arsye ka muzika reale për të qenë e mirë e bukur apo e pëlqyeshme, nuk ka kuptimin që i kërkohet pikturës.

Çfarë kuptimi ka atëherë dhe ne nuk kemi pse të japim të njëjtin kuptim por duhet ta çlirojmë edhe ne pikturën që të jetë e lirë, siç e bëjë edhe muzika që nëpërmjet një gjuhe të vetën, sepse muzika ka strukturë ka kohë ka masë ka harmoni, të gjitha këto elemente janë të strukturuara shumë saktë, ti nuk mund të luash shumë kollaj në të.

Edhe piktura abstrakte nuk bëhet kollaj ka harmoninë, kompozimin, ngjyrën të gjithë harmoninë që të në fund ty duhet të ngacmojnë edhe ndjeshmërinë edhe mendimin. Kjo është marrëdhënia më interesante

Sikur të thosha se pikturat e tua e tua nuk kanë shumë ngjyra tokësore, nuk kanë një dritë të fortë të prekshme në realitet, janë sikur vijnë nga një ndriçim universi? Si të vijnë këto ngjyra?
Kam një preferencë në pikturën time, kam disa ngjyra të preferuara që unë i paraqes në tonalitet me ca ngjyra kromatike. Kjo preferencë pastaj përcillte tek publiku nëpërmjet ndjeshmërisë. Nuk është ajo e kuqe që mund të vihet re te një artist tjetër, por unë mendoj që ajo e kuqe ose ajo lloj lejlaje duhet të kenë një lloj filtri personal dhe preferiencial që i bëj unë, dhe kështu çdo artist dashur padashur shkon tek ato gamat e veta. Kjo ndodh edhe tek unë.

Eleganca në ngjyra, a përkufizon stilin tuaj të jetesës së përditshme?
Stili im i jetesës është i zakonshëm, i njëjtë me stilin e jetës së shumë të rinjve në Tiranë, ndërsa për sa i përket elegancës, unë jam shumë pro saj, por jam shumë kundër kur ajo nuk bëhet me vend, kur teprohet, një që ndodh në Shqipëri herë pas here.

Pra qenkeni edhe pak rebel?
Si çdo artist, jam pak rebel.

Ka temë të nënkuptuar piktura juaj, përveç nocionit abstrakt?
Është struktura kalimtare ose efemere ose e përkohshme, ose fluide apo e paqëndrueshme, që është në thelb fenomeni i racionales dhe irracionales. Është bërja bashkë e shkollave të ndryshme, kjo është tema. Dhe piktura në fund fare ka temë veten e vet. Është transparente.

Në sa cikle ka kaluar procesi juaj krijues?
Para kësaj faze jam marrë me figuracionin, jam marrë një fazë tjetër me atë që krijon lidhjen e pikturës me fotografinë, jam marrë me imazhin, kam pasur një fazë tjetrë ndryshimesh, pastaj kam dalë këtu.

Edhe pse e di që shqiptarët janë tradicionalë në shijen estetike, që ka ngelur nga realizmi socialist, është i ngulitur, unë shpresoj që me këtë ekspozitë të jap një shembull ndryshe, të komunikojmë me një gjuhë ndryshe, me një frekuencë që flas shqip, por të na lidhi kulturalisht me Europën.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit