Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare, duke u ndalur në ecurinë e aktivitetit ekonomik, situatën financiare dhe perspektivën e tyre afatmesme, gjatë një takimi me Drejtoreshën e re Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali.

Ai u ndal te masat dhe ndryshimet e fundit rregullatore të ndërmarra me synim forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjen e transparencës në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve të tyre.

Sejko dhe Xhemali diskutuan mbi zhvillimet që lidhen me ndërveprimin në rritje ndërmjet sektorit bankar dhe atij jobankar, në kushtet e krijimit dhe konsolidimit të grupeve financiare me veprimtari ndërsektoriale.

Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e shkëmbimit të informacioneve lidhur me metodologjitë e përgatitjes së të dhënave statistikore nga dy institucionet, si dhe forcimin e koordinimit mbikëqyrës, me qëllim identifikimin dhe adresimin në kohë të rreziqeve potenciale për stabilitetin financiar.

Ndërkaq, në kuadër të procesit të integrimit europian, palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat për kapitujt e acquis communautaire. Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe AMF-së lidhet me Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”.