TIRANË – Zona e infektuar e Gërdecit, pas shpërthimit të depove të minucionit, është duke iu kthyer normalitetit të saj, falë punës së kompanisë amerikane “EOD Solution” dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Që nga shtatori i vitit 2009 e deri më sot janë çmilitarizuar mbi 83 mijë ton municione të tepërta. Kompania “EOD Solution” ka kryer operacionin për pastrimin në sipërfaqe dhe nën sipërfaqen e tokës në të gjithë zonën, pastrimin dhe asgjësimin e djegoreve të paplasura, si dhe demilitarizimin e gëzhojave të shtimjeve të artilerisë të grumbulluar në zonë. Burimet zyrtare të Forcave të Armatosura bënë të ditur se vijojnë të jenë prezent në zonën e operacionit në Gërdec që nga data 15 mars 2008.

Sot paradite, zv.ministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, kryen një inspektim mbi ecurinë e procesit të pastrimit të zonës së Gërdecit. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Vorës, z. Fiqiri Ismaili.

Me këtë rast, gjeneralmajor Gjunkshi ka siguruar përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe gjithë komunitetin e kësaj zone se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të angazhohen me qëllim që ta kthejnë zonën e Gëdecit, që deri dje ishte e kontaminuar, në një zonë të pastër dhe që gjithçka t’i kthehet normalitetit.

“Qendra e Asgjësimit të Municioneve pranë Brigadës Logjistike është përqendruar në zonën e Gërdecit për ta pastruar dhe certifikuar këtë zonë, pas ngjarjes së 15 marsit 2008. Puna tashmë është përqendruar më shumë në sipërfaqen përtej ish-repartit ushtarak dhe brenda pak ditësh do t’i dorëzohet komunitetit”, - tha nga ana e tij, Zv.ministri Ekrem Spahiu.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com
)