Gërdeci/ Xhaçka: Drejtësia të thotë fjalën e saj për tragjedinë që mori 26 jetë njerëzish

Gërdeci/ Xhaçka: Drejtësia të thotë fjalën e saj për tragjedinë që mori 26 jetë njerëzish

Olta Xhacka

Minisitrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ishte në aktivitetin e organizuar për 20-vjetorin e krijimit të grupit të parë të asgjësimit të municioneve të tepërta e të rrezikshme ku foli lidhur me tragjedinë e Gërdecit për të cilën tha se i takon drejtësisë të thotë ende fjalën e saj.

“Jo më larg se javën që shkoi, në datën 15 mars, shqiptarët përkujtuan një përvjetor tragjik që na kujton të gjithëve edhe njëherë se sa e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme është kjo kompani dhe sa të rrezikshme janë pasojat, nëse kjo trashëgimi municionesh e armësh lihet në mëshirë të fatit, apo akoma më keq, në mëshirë të korrupsionit dhe abuzimit siç ndodhi në Gërdec në 15 Mars të vitit 2008.

Patjetër që i takon drejtësisë të thotë ende fjalën e saj për atë tragjedi që mori 26 jetë njerëzish të pafajshëm dhe që ka shënjuar përgjithmonë jo vetëm FA, por edhe çdo shqiptar të ndershëm. Por na takon ne, ju takon ju, që të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më.”- deklaroi ajo. 

Ministrja Xhaçka nënvizoi guximin, si një prej virtyteve më të mëdha të efektivëve shqiptarë që ndër vite kanë kontribuar në një prej sektorëve më të vështirë në rradhët e Forcave të Armatosura.

“Besoj që e keni dëgjuar shpesh të thuhet, që për t’u marrë me politikë në Shqipëri duhen nerva të forta. Unë mund t’jua konfirmoj që kjo është e vërtetë, sepse për fat të keq shpesh politika këtu nuk është arena e ballafaqimit të ideve dhe të alternativave, por një arenë balte dhe sulmesh.

Por si një njeri që e kam ndjekur nga afër çdo ditë punën tuaj, punën e kësaj kompanie, që kam pasur rastin të bisedoj dhe të mësoj nga eprorë e efektivë të EOD, për historinë e saj, për misionet tuaja e të kolegëve tuaj, di t’ju them që për t’u bërë pjesë e EOD, nuk duhen thjesht nerva të forta, por duhen nerva çeliku! Duhen nerva çeliku, duhet shumë guxim, por mbi të gjitha një ndjenjë e lartë detyre për të rrezikuar jetën në një nga aktivitetet më të rrezikshme me të cilat mund të përballet një efektiv i FA.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Në aktivitetin e 20-vjetorit të kompanisë EOD ku morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, efektivë të batalionit të xhenios dhe të ftuar të tjerë, u përkujtuan 3 efektivët e kësaj kompanie që, kanë rënë në krye të detyrës, gjatë punës për asgjësimin e municioneve të tepërta; kapter Agim Mekollari, rreshter Namik Gjolena dhe tetar Sadik Basha.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq në Fier, reshjet intensive lënë pa energji elektrike Libofshën dhe rrethinat e saj

Moti i keq në Fier, reshjet intensive lënë pa energji elektrike Libofshën dhe rrethinat e saj