PRISHTINE, 1 Maj/ATSH/- Si çdo vit, edhe këtë 1 Maj "Gërmia" ishte destinacioni i preferuar për shumë qytetarë nga Kosova.
Edhe pse për të arritur deri në vendin e preferuar duhej kohë e gjatë për të pritur në kolonën prej kilometërshe nga veturat, qytetarët e shumtë ishin të vendosur të arrinin aty edhe ku e kishin qëllimin . Policia e Kosovës po kryente detyrën e saj, duke orientuar veturat dhe qytetarët e shumtë drejtë pikësynimit të tyre.
Me të arritur në Parkun Nacional, lojërat me top, skarat e shumta te vendosura në qoshe të rrugëve e në trotuare, farat, lëngjet e shumta madje edhe shitja e shtalbave ishin atraksioni i këtij viti. Për qytetarët e shumtë s'ka rëndësi që në Kosovë 40 për qind të qytetarëve janë të papunë. Për ta e rëndësishme është që për festë siç është 1 Maji, të kalojnë një ditë sa më të mirë pranë familjarëve dhe miqve të tyre, dhe për një ditë të harrojnë punën dhe gjithçka tjetër.
Jeton Elezaj që kishte ardhur nga Gjakova për të festuar në Prishtinë, tha për KosovaPress se në këtë ditë ndonëse ka shumë të papunë duhet të festohet.
Për një banore tjetër të Prishtinës dita e sotme ishte e mirë për pushim, ndonëse për të më e rëndësishme do të ishte të kishte protesta.
Edhe koha e mirë ishte në anën e vizitorëve të Gërmisë. Ata që më së shumti iu gëzuan kësaj dite ishin fëmijët të cilët para kamerës tonë shprehën gëzimin e tyre.
Sot përveç për argëtim dita ishte e mbarë edhe për shitësit ambulantë. Edhe pse ata nuk donin të prononcoheshin para kamerës, ata tregojnë për KosovaPress se këtë ditë e kanë pritur me padurim e ashtu edhe u doli, pasi xhepat e tyre kësaj radhe u mbushen më shumë se zakonisht.
Për sigurinë e qytetarëve u përkujdes Policia e Kosovës ndërsa nuk mungoi as autoambulanca e cila ishte e gatshme për të ofruar ndihmën e parë në rast të shfaqjes së ndonjë emergjence.
Ndryshe këtë vit për dallim nga vitet e tjera ndërmarrja për pastrim "Hortikultura" ishte në nivel të detyrës duke u kujdesur që të pranishmëve t'iu ofrojë ambient sa më të pastër, ndonëse pakujdesia e qytetarëve të cilët hidhnin mbeturinat vend e pa vend ishte sërish e theksuar. /kosovapress/ /a.g/