Gianna Fratta, e para femër që
dirigjon orkestrat prestigjioze në botë

Gianna Fratta, e para femër që<br />dirigjon orkestrat prestigjioze në botë
Nuk ndodh shpesh të shikosh një dirigjente të drejtojë orkestrën, ndonëse jetojmë në kohë moderne, e për më shumë orkestrat prestigjioze e më të njohura në mbarë botën .

Teksa dëgjon këto fjalë dedikuar personazhit të ftuar te TG 1 ( Televizioni italian ) në një të shtunë paradite, kupton se nuk ndodh shpesh, madje ndodh rrallë të shkruash për dikë që njeh, e sigurisht është vështirë të shkruash pa emocione. Ndodh rrallë që një dirigjente të jetë e para femër të drejtojë orkestrat më në zë, nga Filarmonia e Berlinit tek të tjera orkestra të njohura. Është emocion i veçantë, përjetim artistësh, muzikantësh , përtej letërsisë, që të pushton sa herë në skenën e suksesit nëpër botë shikon miq, njerëz të njohur më të cilët ke pasur fat të bashkëpunosh, historia e të cilëve ka filluar fare herët, si në asnjë profesion tjetër.

E tillë është ndjesia kur ndjek intervistën e fundit tek TG 1, koncertin e Vitit të Ri drejtuar nga salla e Senatit Italian, apo teksa shikon në skenën shqiptare dirigjenten e pianisten Gianna Fratta, që përtej elegancës me pasion e forcë i jep jetë një orkestre simfonike. Flokët kaçurrela lidhur në një gërshet të vetëm fiksuar me ca karfica të vogla të shndritshme, më shumë se simbol i një pamjeje që duket se maskon feminilitetin, ngjan me dëshirën e brendshme për ti bashkuar të gjithë në pasionin e rrëmbyer të interpretimit . Në to, pasioni dhe dëshira për të unifikuar gjithë sektorët, instrumentet, tingujt , meloditë, ritmet , ngjyrat gërshetohen. Tok me tingujt ndërthuren gjuhët, ndjesitë, kulturat, teatrot e vjetër të botës, atmosfera e orkestrave të njohura nëpër botë në një rrugëtim suksesi, në një gamë interpretimesh që përfshin operat, simfonitë, koncertet, solistët, ngatërruar në misionin e madh që i bashkon, në gjuhën universale të muzikës.

E përfshirë tashmë në këtë botë përgjegjësie e suksesi , udhëtimesh, në ikje e kthim, duket se aftësia e saj për tu përshtatur me gjithçka, mënyra e thjeshtë e komunikimit, gjithë kjo lirshmëri dhe dëshirë drejt gjithçkaje të re pasqyrohet në interpretim. Ky është roli i vështirë i dirigjentit, mundësia pë të bërë muzikë nëpërmjet shumë tingujve, duarve , mendjeve dhe sigurisht zemrave. Përtej teknikës, ritmit, pastërtisë ka një forcë tjetër , që bashkë me profesionalizmin i bashkohet tingujve, është muzika që vjen fuqishëm . Të qenit femër ka qënë dhe është e vështirë në të tilla pozicione, ku prezenca mashkullore duket se është kthyer në traditë, tabu, në një panoramë normale.

Prezenca femërore kuriozon dhe sjell respekt, po përtej të veçantës, në një kohë kur profesionet, komunikimi ka përparuar tej mase, tingëllon çuditshëm .Krahas kësaj tabuje dirigjentet femra shfaqen më shpesh , po gjithsesi pas një rruge të gjatë, të shtruar, me durimin që mund të kenë vetëm muzikantët. Vështirësia fillon me besimin nga drejtuesit e Teatrove për të pasur një dirigjente femër, e pas hezitimit, kuriozitetit, qëndron profesionalizmi që shfaqet i njëjtë për të gjithë. Krijimi i mundësive për të drejtuar orkestra të rëndësishme është i njëjtë me kërkesën për ta justifikuar e për të pasur sukses, që garantohet me kthimin për herë të dytë e më tej në të njëjtët teatro. Duket një udhë e vështirë në gjithë drejtimet: nga këmbëngulja, profesionalizimi, menaxhimi i mirë dhe fati për tu gjendur në çastin e duhur, në momentin e duhur gjithnjë gati për të sfiduar e luftuar për sukses, përtej të zakonshmesh, në atë kontrast që duart dhe muzika që drejton të lënë pa fjalë, në një fuqi që buron nga pasioni për muzikën, një pasion që duhet mos shterojë.

Ashtu si muzikantët Gianna Fratta e ka nisur shpejt rrugëtimin, nga pianoja e sukseset me të , konkurset, çmimet, në një gamë të gjerë edukimi të drejtimit koral, kompozicionit, duke shtresuar përvoja dhe përgatitje komplekse për ti paraprirë drejtimit dhe profesionalizmit që kërkon arti i dirigjimit. Të qenit dirigjent është profesion i vështirë , për njohjen që kërkon në një sërë instrumentesh, disiplinash, njohjen me muzikën e literaturën muzikore, solistët instrumentistë dhe këngëtarët. Është profesioni kompleks në botën muzikore, që përtej njohjes, aftësisë, përkushtimit , durimit, ka dhe një forcë tjetër të domosdoshme . Dirigjenti është muzikant, njohës i muzikës dhe njëkohësisht psikolog i muzikantëve, këngëtarëve të cilët janë personazhe e personalitete po aq të vështira sa dhe veprat muzikore. I gjendur mes muzikës së shkruar dhe këtyre personaliteteve të vështira që interpretojnë muzikë, midis profesionalizmit dhe ndjenjës , autoriteti i dirigjentit është vendimtar në sukses . Ky personalitet i arritur nëpërmjet profesionalizmit dhe aftësisë psikologjike për të fituar më të mirën e interpretimit të përbashkët spikat te Gianna, duke e rreshtuar në anën e suksesit.

Nëse do ndaleshim në një analizë të shkurtër të Giannës si dirigjente, profesionalizmi i imponon një korrektesë absolute në trajtimin e materialit muzikor, dhe brenda kësaj korrnize saktësie kontraston muzika dhe lirshmëria në të. Studioze skrupuloze e materialit muzikor, ritmit, korrekte në maksimum , kontraston me gjerësinë dhe madhështinë e muzikës që drejton. Gjetja e ekuilibrit midis racionales, korrektesës dhe kërkesa maksimale për ndjenjë gjatë interpretimit , një tipar që e bën interesante dhe të veçantë si dirigjente.

E spikatur si natyrë e lirë, me pasionin për të vizituar vende të panjohura, për të njohur njerëz, gjuhë , vizituar shtete, aftësia e saj për tu përshtatur me ambientin dhe deri imtësira të jetës së përditshme pa mundim, pasqyrohen në mundësinë për të sfiduar e minimizuar vështirësitë si dirigjente duke takuar ambiente të reja, partitura të reja, njerëz të rinj, orkestra e teatro të panjohur. Këmbëngulëse për të realizuar me sukses dhe sakrifica misionin për të cilin përkushtohet,e lumtur në atë sukses e duartrokitje që muzika të ofron mrekullisht, Gianna ka përballuar pa hezitim koncerte kudo që e kanë ftuar , e gatshme për të sakrifikuar për muzikën , si një pakt që ka bërë me veten për të ngjitur ngadalë e sigurt shkallët e suksesit. E aftë psikologjikisht për të komunikuar, përballuar situata të vështira , specifike të botës muzikore, duke pasur kapacitet drejtues , imponues, midis buzëqeshjes dhe ironisë , në shërbim të realizmit me sukses të muzikës, Gianna Fratta ka shkëlqyer. Është interesant kontrasti midis saj si dirigjente elegante , pamjes që ofron në skenë dhe aftësisë për të sjellë një orkestër që tingëllon fuqishëm , apo aftësia për të gjallëruar orkestrat, për t’i dhënë jetë, forcë, temperament interpretimit.

Nëse do ndaleshim në koncertin e fundit të saj në Tiranë me orkestrën simfonike të RTSH, duhet theksuar se është njohëse e mirë e muzikës serioze në Shqipëri. Njohëse e fjalëve të vjetra , e gjuhës arbëreshe, nga burojnë dhe rrënjët e të parëve të saj, Gianna Fratta renditet ndër të paktat muzikante që e ka vizituar Shqipërinë si pianiste e dirigjente në ditët e vështira pas ndërrimit të sistemit. E cilësuar nga kritika e atëhershme si një dritë në ato kohë të vështira, Shqipëria i ka falur sukses. Çdo herë që largohet prej saj merr bekimin për suksesin e radhës.

Si dirigjente ka drejtuar opera në TKOPB, koncerte simfonike dhe ky ishte rikthimi me orkestrën e TVSH pas vitesh, derisa të arrinte sukses në shumë vende të tjera e të kthehej akoma më brilante, a ndoshta derisa institucionet tona të zgjoheshin nga përgjumja. Bashkë me institucionin që e ftoi , Gianna spikati me forcën , impulsivitetin dhe aftësinë për ti dhënë energji orkestrës sonë apo gjithë mjedisit muzikor që vuan nga e njëjta sindromë e lodhjes , përgjumjes, pasojë e kushteve tona. Koncert i veçantë, i bukur, në një vend ku gjendet e veçantë për origjinën dhe njerëzit që e duan.

*Prof, Asoc Ina Kosturi, pedagoge Universitetin e Arteve

Gianna Fratta
(Gianna Fratta duke dirigjuar)

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë