TIRANË - Gilmando Dani, i cili mbrëmjen e 5 janarit i shpëtoi një atentati ndërsa ishte pasagjer në automjetin që drejtohej nga Emiljano Shullazi është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit pasi dyshohet si autori i plagosjes me armë ditën e shtunë në Tiranë.
 
37-vjeçari Gilmando Dani akuzohet se mesditën e së shtunës tentoi të vrasë 24-vjeçarin, Valter Pelivanin në rrugën e Kavajës në kryeqytet, pranë ish-Parkut të Autobusëve.

Nga prita që i është bërë Valter Pelivanit, ky i fundit mbeti i plagosur dhe pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore pranë spitalit të traumës, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pelivani është marrë në pyetje nga hetuesit, ku burime nga policia bëjnë me dije se në deklaratën e parë ai është shprehur se është qëlluar nga pas nga një person të cilin s'ka mundur ta fiksojë se kush ishte.

Më datë 5 janar ndaj Gilmando Danit dhe Emiljano Shullazit iu bë një atentat në Qaf Kashar ku në drejtim të automjetit me të cilin ata udhëtonin u qëlluan rreth 24 plumba. Gilmando Dani shpëtoi me lëndime të lehta të shkaktuara nga dalja prej rrugës së automjetit, ndërsa Shullazi mbeti plagosur lehtë në shpatull.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)