SHKODER - Gjakmarrja ekziston ende në Shqipëri dhe ata që janë të përfshirë duhet të jetojnë të fshehur. Mbi parandalimin e këtij fenomeni, është ende pleqësia e fshatit e cila ndërhyn për shuarjen e gjakmarrjes mbi familjet e prekura. Rasti i fundit është vrasja e dy vëllezërve Shkami më 2 janar 2016 nga Aleksandër Dushaj, pasi nuk pranuan këtë të fundit për dhëndër. Familjet e fisit të autorit, ishin të ngujuar që prej ditës së ngjarjes. Ndërmjetësimi mes këtyre dy familjeve është bërë nga Misionarët e Paqes dhe pleqëria e fshatit Drisht të Shkodrës. Kreu i këtyre misionarëve, Nikoll Shullani, tregon momentet si u arrit falja.

Ai është shprehur për Report Tv, se kjo ishte tepër e vështirë por falë zemrës së madhe të familjarëve Shkami, dalja nga ngujimi i familjeve të fisit Dushaj u bë realitet. Ndërsa kushti i kësaj falje është që kushërinjtë të mos ndihmojnë familjen e Aleksandër Dushajt. 

“Pasi u kanë marrë leje për të marrë pjesë në varrim, 6 familjarë e kushërinj të Esatit janë ngujuar në respekt të familjes. Pas ndërhyrjes së komisionerëve të paqes dhe të pleqësisë është bërë e mundur lirimi i kushërinjve të Esatit duke bërë përjashtim të babait e vëllait që është në Francë. Nuk pranuan asnjë kusht, vetëm nëse këta nuk ndihmojnë Esatin dhe familjarët e tij”, është shprehur Shullani.

Por si është zhvilluar këto vite fenomeni i gjakmarrjes? 
Në vitin 2013 Kuvendi i Shqipërisë ka marrë në shqyrtim një raport të Avokatit të Popullit mbi fenomenin e gjakmarrjes. Në këtë raport thuhet që të parandalohet fenomeni i gjakmarrjes, i cili sjell shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të individit. Njerëzit e përfshirë në gjakmarrje, jo vetëm që humbin babanë, burrin, djalin apo vëllanë e tyre, por si në një rreth vicioz, me dhjetëra individë, të afërm të tyre, nën frikën e pasigurisë për jetën, humbasin lirinë e lëvizjes, të drejtën për të punuar që të ushqejnë familjet e tyre, të drejtat elektorale, si dhe fëmijët e tyre të drejtën për t’u arsimuar, etj. “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Në këtë mënyrë është sanksionuar koncepti juridik i mbrojtjes së jetës njerëzore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë pohohet se ligji nuk mund të mbrojë këto familje, kur pohohet se jetën e tyre e mbron ngujimi.

Ngujimi 
Duke mos qenë të garantuar nga ligji, shumë familje detyrohen të ngujohen dhe të vetëkufizojnë një pjesë shumë të madhe të lirive të tyre. Të drejtat dhe liritë themelore të këtyre shtetasve nuk realizohen sipas kuptimit kushtetues. Ato nuk ushtrohen si rrjedhojë e të qenit të tyre të ngujuar. Në Kushtetutë është i parashikuar kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve për shkak të ligjit, por ky trajtim është një kufizim i ligjshëm dhe kushtetues. Fatkeqësia e këtyre shtetasve nuk mbaron këtu. Këta të ngujuar nuk janë në gjendje të ushtrojnë edhe shumë të drejta të tjera kushtetuese. Secili është i lirë të zgjedhë fenë ose bindjet si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

Njerëzit e ngujuar janë të kufizuar në të drejtën e tyre për t’u organizuar kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm ose për të marrë pjesë në tubime paqësore në sheshe publike për realizimin e të drejtave të tyre kushtetuese. Këta persona nuk mund të gëzojnë as të drejtën e lëvizjes lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit, aq më tepër të pretendojnë për të ushtruar të drejtën e tyre për punë, të drejtën për arsim, si dhe për përfitimin e shërbimit shëndetësor.
 
Vepron kanuni kur nuk vepron shteti 
Në raportin e hartuar në 2013 nga Avokati i Popullit theksohet se rishfaqja e vrasjeve për gjakmarrje në 20 vitet e fundit kërkon një analizë të thellë të shkaqeve e të kushteve favorizuese, objektive e subjektive, për të organizuar një sistem masash parandaluese dhe luftën kundër tyre. Kusht favorizues është mos zbulimi dhe moskapja në kohë e të gjithë fajtorëve nga policia, hetimi i mangët dhe jo objektiv i çështjeve nga prokuroria, dhënia e dënimeve të buta ose e pafajësive, si dhe lirimi para kohe, me kusht, jashtë kritereve ligjore nga gjykata. Atje ku nuk funksionon shteti e ligji thuhet në raport, vepron vetëgjyqësia e kanuni.

Vrasja e dy vëllezërve Shkami tronditi Shkodrën në këtë fillim viti. Aleksandër Dushaj ekzekutoi me automatik dy vëllezërit teksa ata ktheheshin nga vizita tek e ëma e tyre. Esati kishte kërkuar dorën e vajzës së njërit prej vëllezërve, por ishte refuzuar. Për t’ju shmangur një konflikti të mundshëm babai e kishte dërguar vajzën ne Angli. Para se të kryente krimin Esat Dushaj kishte telefonuar njërin prej vëllezërve, bisedë e cila kishte përfunduar në sharje dhe ofendim. Mëngjesin e datës 2 janar ai u ka zënë pritë duke i ekzekutuar pranë shtëpisë. Pas tre ditësh arrati Aleksandër Dushaj u vetëdorëzua në Kamëz.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)