Gjykata e Krimeve të Rënda ka refuzuar të lirojë nga qelia Denis Shtrazës, i akuzuar nga prokuroria si njëri nga autorët e krimit. Nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Shtraza kërkoi lirimin nga qelia për shkak të mungesës së provave dhe mos korespodimit të analizve të gjakut dhe pështymës të tij me mostrat e gjetura në vendin e krimit dhe në makinën, tip “Mercedez-Benz”, tashmë të sekuestruar. Por pavarëisht këtyre pretendimeve, gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të rrëzojë kërkesën e Shtrazës dhe të lerë në burg atë deri në përfundimin të hetimeve.

Rrëmbimi i Gazmend Çollakut duke përdorur uniforma policie dhe më pas ekzekutimi i tij me katër plumbla ngjarje kjo e ndodhur në ditët e para të janarit 2016, mobilizoi hetues të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Prova gjenerale siç tashmë pretendon prokuroria se ka siguruar për këtë çështje, është gjetur 20 ditë pas vrasjes së Gazmend Çollakut, pikërisht në fletët e letrës së një kalendari që ndodhej brenda automjetit tip foristradë “Benz ML”, ku në të udhëtonte ish-polici Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza, por që ditën e krimit ishte bllokuar nga policia Durrsake.

Kontrolli i parë
Foristrada i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm fizik në mëngjesin e 7 janarit 2016, ku janë gjetur 9 aparate telefonike, dhe mësohet se dy prej tyre i ka pranuar se i ka pasur i arrestuari Denis Shtraza dhe 7 të tjerët ish-efektivi i policisë Ervin Dalipaj. I pyetur nga policia për praninë e kësaj sasie të tepruar të telefonave në makinë, Dalipaj ka pohuar se dy i përkisnin atij, të tjerët i ishin të shokëve të tij, por që ishin haruar në makinë prej tyre.

Kontrolli është pasqyruar në një procesverbal, dhe se në këtë kontroll ka qënë i pranishëm dhe Dalipaj, i cili ka firmosur procesverbalin dhe se ka qënë dakort me sendet e gjetura dhe sekuestrura nga policia.Pikërisht në këtë kontroll, oficerët e policisë Alfred Hosha dhe Arjan Doda, nuk kanë konstatuar asnjë njollë gjaku në bagazhin e makinës, po kështu edhe kalendarin me njolla e gjakut. Por çfarë ka ndodhur?

Kontrolli fizik i dytë
Vrasja e Gazmend Çollakut u krye në vazhdën e një sërë krimeve në qytetin e Durrësit, ku disa prej tyre janë ende të pazbardhura.Në atë periudhë prokurorë e policë,kanë zhvilluar disa analiza hetimore me qëllim zbardhjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut, pasi në këtë krim vrasësit kishin përdorur uniforma policie. 20 ditë nga sekuestrimi i automjetit dhe kontrolli fizik i makinës, dy oficerët e Durrësit që kishin marrë në dorë dosjen,e kanë parë të nevojshme të kryejnë një tjetër kontroll fizik të automjetit tip foristradë “Benz Ml”, e cila ndodhej e bllokuar në ambjentet e komisariatit që prej mesnatës së 6 janarit 2016.

Kontrolli është kryer me urdhër të prokurorit, i cili ka miratuar kërkesën e oficerëve për të ushtruar një kontroll të dytë në këtë makinë, ku kanë asistuar ekspertë të policisë shkencore si Artur Mali, Aleksandër Bushati, Arben Nano, specialist i krimeve Rebani Farruku dhe Lorenc Dervishi. Në këtë kontroll nuk kanë qenë prezent Dalipaj dhe Shtraza. Pikërisht në këtë verifikim është gjendur dhe prova gjenerale njolla gjaku në disa sende,që çuditërisht nuk u gjetën nga oficerët e policisë së Durrësit në kontrollin e parë të automjetit.

Kalendari i gjakosur
Prova kryesore që sipas prokurorisë ka kryqëzuar autorët e vrasjes së Gazmend Çollakut, është një kalendar i gjakosur që është gjendur në bagazhin e makinës ku udhëtonte ish-polici Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza. Në procesverbalin e dytë të kontrollit është përshkruar i gjithë kontrolli në të cilën thuhet se: “…ndodhet një kalendar me sipërfaqe të lëmuar me mbishkrimin “Ital-Stone”, kalendari është i palosur dhe i hapur ku dallohet faqja me mbishkrimin 5 maj 2016. Në këtë faqe të kalendarit vërehet njolla e ngjyrë të kuqërremta, si ato të gjakut…”.

Gjithashtu në këtë procesverbal janë konstatuar dhe prova të tjera që ishin të njollosura me gjak, e cila ishte një çantë e zezë me mbishkrimin “Mercedez-Benz”. Gjatë kontrollit po në këtë bagazh është konstatuar një kapak plastik transparent i fabrikuar, ku në pjesën e jashtme të së cilit u konstatuan njolla ngjyre të kuqe si ato të gjakut. Gjithashtu gjak është gjendur dhe në gomën rezerve, ku janë marrë mostra për analizimin e tyre nëse i përkiste gjakut të njeiut apo kafshëve. Pas kryerjes së ekzaminimeve rezultoi se gjaku i përkiste njeriut, dhe më konkretisht viktimës Gazmend Çollaku.

Hakmarrja
Në 12 maj të 2016 një person ende i paidentifikuar nga policia e Durrësit është afruar me një automjet pranë banesës së Shtrazës në Durrës, dhe ka qëlluar me armë zjari mbi 30 plumba automatiku. Nga kjo ngjarje që kishte si motiv hakmarjen, mbeti i plagosur vetëm 1 fëmijë.

Plagosja në 2013
Një dëshmi e shkurtit 2013 e dhënë nga Denis Shtraza përpara oficerëve të policisë së Durrësit, ku akuzonte si autorë të tentativës së vrasjes së tij, Gazmend Çollakun dhe Elvis Doçin (ky i fundit pronar kazinosh dhe i ekzekutuar në tetor të 2013 në Tiranë), ka shërbyer si indicie nga hetuesit që të ngrejnë dyshime të forta se Shtraza mund të kishte gisht në rrëmbimi dhe më pas vrasjen e Çollakut në Durrës.
 

d.b/shqiptarja.com