TIRANE - Në mënyrë fare të papritur zyrtarët e lartë demokratë zbulojnë pak e nga pak sekretet e mbledhjes së fundit të kryesisë së PD të mbledhur një javë më parë, duke pranuar një fakt të papranuar deri më tani, se po përgatiten për të dalë në opozitë.

Jemin Gjana, anëtar i kryesisë së PD zbardh në emisionin "FAKT" të gazetarit Çim Peka se ishte diskutuar gjërë e gjatë në forumin më të lartë të PD se pavarësisht se çfarë niveli ishte opozita e majtë, pritet një votë kundër nga elektorati për premtimet e pambajtura e mosrealizimin e shumë investimeve të nisura.

 Gjana në këtë emision pyetjes së gazetarit në lidhje me mbështetjen që do të ketë kërkesa ndaj elektoratit për një mandat të tretë, ka thënë se PD ka deklaruar pavarësisht se do të mbështetet te ndryshimi, sërish vota do të jetë kundër. Dhe më pas ka plasur bombën e vërtetë, pikërisht atë që është diskutuar në mbledhjen e kryesisë, sipas të cilës PD po përgatitet të dalë në opozitë.

 "Unë po ju them, sepse nuk përbën ndonjë çështje sekreti që, në mbledhjen e kryesisë së partisë është diskutuar e trajtuar gjërë e gjatë fakti që pavarësisht se kush është opozita, pavarësisht cila është dobësia e saj, ne jemi të ndërgjegjshëm që jemi dhe presim votë kundër. Ne do matemi në fushatën elektorale me atë çfarë kemi bërë dhe çfarë angazhohemi të bëjmë.  Dhe s'kemi pse të matemi me atë se kush është përballë, apo përballja me opozitën politike", ka deklaruar anëtari i kryesisë së PD, Jemin Gjana në këtë emison përballë sekretarit organizativ të PS, Blendi Klosi.

Madje insistimit të gazetarit nëse vota kundër do jetë për ato që mazhoranca nuk ka bërë gjatë tërë këtyre viteve, Gjana i është përgjigjur se "Normale. S'kishte si të ishte ndryshe. Pasi ndryshe nuk do të kishim një sistem pluralist dhe pluripartiak në këtë vend". Por teksa gazetari i ka thënë se meqënëse diferenca është e ngushtë më 23 qershor PD përgatitet për opozitë, Gjana është shprehur se s'besonte se PD është bërë gati për opozitë, pasi është duke tentuar për një mandat të tretë në qeverisje e se thelbi i reformave të filluar në mandatin e parë janë finalizuar në mandatin e dytë dhe të tjerat do përmbyllen në mandatin e tretë. Gjana në mënyrë tepër të sinqertë ka zbardhur diskutimin në kryesinë e PD, ku pranohet se do kenë votë kundër. Por, në këtë mbledhje kryesie janë zbardhur detaje të tjera, një prej të cilave ka qënë dhe fakti se Berisha ka deklaruar se do të zgjedhë vetë kandidatët për deputetë, pasi mandati i tretë është basti i tij politik dhe fitorja apo humbja janë përgjegjësi e tij. Duke kërkuar në këtë rast që dhe anëtarët e ZAZ t'i përzgjedhë vetë.

(Redaksia online )
(sg/shqiptarja.com)