SHKODËR - Vllaznia pret të mërkurën Flamurtarin në "Loro Boriçi". Sfida e raundit të 18-të në Superligën e futbollit nis në orën 16:30 dhe për shkodranët është më shumë se e rëndësishme, pasi djemtë e Edi Martinit kanë gjashtë ndeshje radhazi pa fitore në kampionat.
Duelin për mediet e komentoi Bekim Balaj, kapiteni i Vllaznisë. Për të, gjithë ambienti sportiv në Shkodër duhet të bëhet bashkë dhe jo të gëzohet nga momenti "jo" i ekipit.
"Forma jo e mirë - Jemi të vetëdijshëm që vijmë në këtë ndeshje jo në momentin tonë më të mirë të mundshëm. Realisht kemi të nevojshme pikët, si është gjendja normalisht, duhet të shohim ndeshjen e radhës që është me Flamurtarin në Shkodër dhe duhet të synojmë tre pikët.
Penalltia e humbur me Tiranën? Duke parë edhe momentin që ishte ndeshja, realisht të vjen keq. Penalltitë i humbin ata që i gjuajnë. Jam aty për të marrë përgjegjësi dhe ajo ishte goxha përgjegjësi. E humba dhe ndoshta nuk më vjen mirë pasi ndoshta do të na jepte një moral tjetër për ndeshjen, por vazhdojmë para, kështu është futbolli. Jemi aty për të marrë përgjegjësitë, nga unë i pari e te të gjithë.
Tifozët - Shkodra ka shumë tifozë që e duan Vllazninë dhe në këtë moment duhet të tregojnë që janë në mbështetje të skuadrës dhe janë aty, kur skuadra është në vështirësi t’i gjinden pranë. I gjithë ambienti sportiv i Shkodrës mendoj, duke u nisur edhe nga gazetarët, pasi kohët e fundit realisht kam parë një frymë deri diku jo të duhur, që Shkodrës dhe Vllaznisë nuk i shkon për shtat apo nuk e favorizon për momentin që është. Kështu që pa përjashtim të gjithë duhet të jenë aty, se Vllaznia ka nevojë që në vështirësi ta mbështesin.
Unë mendoj që në këtë moment në Shkodër shtohen si specialistët e futbollit, si analistët e futbollit dhe sigurisht që reflekton një frymë jo pozitive. Mendoj që hallet dhe problemet tona duhet t’i mbajmë këtu, të jemi afër njëri-tjetrit në këto momente që zgjidhjen ta gjejmë dhe t’i shërbejë skuadrës për vazhdimësinë dhe jo deri diku ta zhysim apo të ngutemi e ta çojmë Vllazninë në krizë", tha mes të tjerash 'Topi i Artë' i vitit 2025, Bekim Balaj.
Pas 17 ndeshjeve të luajtura Vllaznia me 27 pikë mban vendin e katërt, shtatë pikë pas kryesuesve të Egnatias.
Superliga, raundi 18-të:
E martë, 23 dhjetor 2025
18:00 Partizani - Dinamo
18:00 Teuta - Egnatia
E mërkurë, 24 dhjetor 2025
13:30 Vora - Bylis
16:30 AF Elbasani - Tirana
16:30 Vllaznia - Flamurtari
Renditja:
Komente









